Prej 17-21 tetor 2019, në Tetovë dhe në Korçë do të mbahet Edicioni i 23-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”.
“Në programin e ngjeshur është paraparë të mbahen katër lexime letrare si dhe të promovohen 11 libra të rinj të shtëpisë botuese “Ditët e Naimit””, tha drejtori i festivalit Shaip Emërllahu.
Në këtë edicion marrin pjesë këta poetë: Antoine SIMON (FRANCË), Fiona SAMPSON (ANGLI) TANIA Ko HONG (KOREA E JUGUT/SHBA), Mohamed RABIE (PALESTINË/SHBA), Giuseppe NAPOLITANO (ITALI), Luan BUSHKOLAJ (HOLANDË), Manuel IRIS (MEKSIKË/SHBA), Aminur RAHMAN (BANGLADESH), Maja PANAJOTOVA (BULGARI/BELGJIKË), Jan DOST (SIRI / GJERMANI), Abdelkarim KHALKI (TUNIS), Rokiah HASHIM (MALAJZI), Silke BLUMBACH (GJERMANI), Edvige GIOIA (ITALI), Danela CECCHINI (ITALI), Dorit WEISMAN (IZRAEL), Niki PAPOULAKOU (GREQI) Josipa GOGIÇ (KROACI), Tara SKURTU (SHBA), Emna SAKOUHI (TUNIS), Naida MUJKIÇ (BOSNJË DHE HERCEGOVINË), Mitko GOGOV (MAQEDONI), Xhevdet BAJRAJ (KOSOVË), Besnik MUSTAFAJ (SHQIPËRI), Arjan KALLÇO (SHQIPËRI), Anton PAPLEKA (SHQIPËRI), Kujtim SHALA (KOSOVË), Ndue UKAJ (KOSOVË) Bujar PLLOSHTANI dhe Burhanedin XHEMAILI (MAQEDONI), transmeton ObserverKult.
Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, përveç leximit të poetëve do t’i ndahet edhe çmimi i madh letrar dhe do t’i jepet titulli Anëtar Nderi, lauretes së këtij viti, poetes së njohur angleze Fiona Sampson.
Çmimin letrar “Naim Frashëri” dhe titullin e lartë, Anëtarë Nderi të Festivalit, deri tani e kanë marrë shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, si Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Abdellatif Laabi (Marok), Peter Poulsen (Danimarkë), Lionel Ray, (Francë), Eva Lipska (Poloni), Craig Czury (SHBA), Tua Forsstrom (Finlandë), Athanase Vantchev de Thracy (Francë), Sebastiano Grasso (Itali), Kuei shien Lee (Taivan), Xhorxh Uallas (SHBA) etj.
Në ditën e dytë të Programit, në sallën e Kuvendit Komunal do të bëhet përurimi i 11 titujve të rinj të shtëpisë botuese “Ditët e Naimit”. Librat e botuar, janë ato të laureatëve të Festivalit, poetit francez me origjinë bullgare, Athanase Vantchev de Thracy: ”Hapni dritaren”, poetes polake Eva Lipska: “Mësohu me vdekjen” e poetit shqiptar Basri Çapriqi: “Perëndim dielli”, pastaj e poetit italian Xhuzepe Napolitano: “10 vjet në Tetovë”, e poetes malajziane Siti Rokiah Hashim: “Rëra e Sri Lavender”. Librat e tjerë janë ato të poetëve Besnik Mustafaj: “Në kërkim të gjuhës”, Kujtim Shala “Lethe”, Ekrem Ajruli “Më josh jermia”, si dhe Antologjia e Edicionit të XXIII të Festivalit, “Pema e hijes” dhe Antologjia e poezisë bashkëkohore maqedone, të cilat i përgatiti Shaip Emërllahu.
Për këto libra do të flasin poetët dhe studjuesit Ymer Çiraku, Besnik Mustafaj, Rokiah Hashim, Ndue Ukaj, Xhelal Zejneli, Remzi Salihu, Bujar Plloshtani etj.
Pasdite pjesëmarrësit do të vizitojnë monumentet kulturore dhe historike të qytetit, dhe në mbrëmje në Teqen Arabati Baba do të mbajnë orën letrare “Poetë dhe vargje”. Të shtunën poetët do të shkojnë për në qytetin e Korçës.
Atje, në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës do të mbajnë orën e madhe letrare “Meridianet poetike”, do të ndahen çmimet tjera letrare të Festivalit, si dhe poetët do të vizitojnë objekte të ndryshme kulturore dhe historike të këtij qyteti të lashtë historik dhe kulturor./ ObserverKult