
Nga 25 deri më 29 janar mbahet Festivali Poetik i Prishtinës, edicioni III, organizuar nga Portali për Kulturë, Letërsi dhe Art, ObserverKult.
Për pesë ditë me radhë do të ketë promovime librash, mbrëmje autoriale, debate, ligjërata, video-ese, diskutime, homazhe, orë poetike etj.
Dita e parë e Festivalit Poetik të Prishtinës, organizuar nga ObserverKult do t’i kushtohet në tërësi Letërsisë Shqipe në Maqedoni, kësaj pjese integrale të letërsisë shqipe e cila pavarësisht kushtëzimeve kontekstuale, trysnisë, nëpërkëmbjes, anatemimit dhe persekutimit të vazhdueshëm nga pushtetet, nxori në pah autorë me vetëdije të lartë krijuese që na lanë trashëgimi vepra pashmangshëm referenciale për nga vlerat ideo-estetike.
Kështu, më 25 janar, Festivalin Poetik të Prishtinës do ta hapim me një Homazh artistik në nderim të më të dashtunës tonë, poetes Lindita Ahmeti, për të vazhduar me pjesën e dytë ku do të shpaloset mendimi kritik e studimor për Letërsinë shqipe në Maqedoni dhe tutje në pjesën e tretë me Orën e madhe poetike.

Kemi kënaqësinë t’i kemi në mesin tonë poetët e studiuesit: Ali Aliu, Agim Vinca, Nehas Sopaj, Puntorie Muça Ziba, Lulzim Haziri, Shaip Emerllahu, Shazim Mehmeti, Vjollcë Berisha, Xhabir Ahmeti, Ahmet Selmani, Salajdin Salihu, Bardhyl Zaimi, Nurie Emrullai, Xhemazije Rizvani, Arlind Farizi, Fatos Rushiti, Valdeta Dulahi, Ismail Arsllani, shoqëruar nga artistët: Fitnete Tuda dhe Astrit Stafai.

Ju mirëpresim më 25 janar, nga ora 13:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.
Festivali Poetik i Prishtinës organizohet nga Portali për Letërsi, Kulturë dhe Art, ObserverKult dhe sivjet shënon edicionin e tretë.
Për pesë ditë me radhë do të ketë promovime librash, mbrëmje autoriale, debate, ligjërata, video-ese, diskutime, homazhe, orë poetike etj.
Programi i ditës së parë, më 25 janar, fillon në ora 13:00 dhe mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë,
ndërsa në katër ditë tjera Festivali mbahet në Termokiss dhe fillon nga ora 18:00
Festivali mbështetet Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës.
ObserverKult