reklamë

Nesër nis edicioni i 30-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”

Në një konferencë shtypi të mbajtur dje në Tetovë, drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu, së bashku me anëtarin e Jurisë, Xhelal Zejneli, prezantuan Programin dhe shpallën Laureatin e Edicionit Jubilar të 30-të të Festivalit, i cili do të mbahet nga 15 deri më 18 tetor 2026, në Tetovë.

Ky edicion shënon 30-vjetorin e themelimit të Festivalit dhe 180-vjetorin e lindjes së poetit të madh të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri. Gjatë tri dekadave, “Ditët e Naimit” është shndërruar në një pikëtakim të rëndësishëm të poetëve nga vende të ndryshme të botës, duke promovuar poezinë, dialogun ndërkulturor dhe vlerat universale të letërsisë.

Në edicionin jubilar do të marrin pjesë poetë dhe krijues nga vende të ndryshme të botës: Ion Deaconescu (Rumani), Eli Rosa Zamora (Venezuelë/SHBA), Giuseppe Napolitano (Itali), Pierre Ech-Ardour (Francë), Angela Valenti Durazzo (Monako), Vanesa Fens (Meksikë), Brunhilde Román Ibáñez (Spanjë), Sevgi Suçin dhe Mehmet Hakkı Suçin (Turqi), Teodora Sukareva (Bullgari), Dan Gheorghe (Rumani), Anxhelka Korçulaniq (Kroaci), Flutura Açka (Shqipëri), Donika Dabishevci (Kosovë), Haxhi Shabani (Mali i Zi), Arjan Kallço (Shqipëri), Ndue Ukaj (Kosovë), Puntorie Muça Ziba, Dragana Evtimova, Ana Pejçinova dhe Remzi Salihu (Maqedonia e Veriut), etj.

Laureat i Çmimit të Madh Letrar “Naim Frashëri” për edicionin jubilar të XXX-të është poeti dhe akademiku rumun Ion Deaconescu, i përzgjedhur për këtë vlerësim nga juria e festivalit, e përbërë nga Ndue Ukaj nga Kosova, kryetar, dhe Haxhi Shabani e Xhelal Zejneli, anëtarë.

Në mesazhin e tij drejtuar Drejtorisë së Festivalit pas marrjes së lajmit për laureimin, laureati Deaconescu thekson rëndësinë e një humanizmi të ri dhe të përgjegjësisë së njeriut ndaj botës. Duke vënë në pah rolin e poezisë në jetën njerëzore, ai thekson se “një nga rrugët më të sigurta drejt lumturisë njerëzore është poetizimi i botës”, duke e lidhur krijimtarinë poetike me nevojën për rikthimin e ekuilibrit në Univers. Në mesazhin e tij, poezia paraqitet si një urë lidhëse ndërmjet popujve, një gjuhë e përbashkët që kapërcen kufijtë dhe vetminë.

Edhe në këtë edicion është botuar Antologjia e Festivalit, të cilin e përgatiti dhe redaktoi Shaip Emërllahu.

Programi i Festivalit nis të enjten, më 15 tetor, ku në orën 19:30, përpara Qendrës së Kulturës, do të bëhet çelja e Festivalit përmes një koreografie fishekzjarresh dhe vendosjes së buqetave me lule te shtatorja e Naim Frashërit, në nderim të 30-vjetorit të Festivalit dhe të 180-vjetorit të lindjes së poetit.

Hapja zyrtare do të bëhet në orën 20:00, në Sallën e madhe të Qendrës së Kulturës. Fjalën e e hapjes do ta mbaj drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu, ndërkaq një fjalë përshëndetëse do ta mbajë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Më pas do të zhvillohet ora e madhe letrare “Globi poetik”, gjatë së cilës do të dorëzohen çmimet letrare “Naim Frashëri” dhe “Ditët e Naimit”.

Të premten, më 16 tetor, do të mbahet tribuna shkencore “Ditët e Naimit” – 30 vjet në poezinë botërore. Pasdite janë paraparë vizita në monumentet kulturore dhe historike të Tetovës, ndërsa në mbrëmje, në Teqenë Arabati Baba, do të zhvillohet ora letrare “Poetë dhe vargje”.

Të shtunën, më 17 tetor, paradite do të promovohet “Antologjia e Poezisë Bashkëkohore Botërore” e autorëve Ion DEconescu dhe Aminur Rahman. Në orën 20:00, në Qendrën për Kulturë dhe Art “Shift Center”, do të mbahet ora letrare “Meridianet e Poezisë”, ku do të shpallen fituesit dhe do të ndahen çmimet e tjera letrare “Menada”, “Oeneumi”, “Qiriu i Naimit” dhe “Silke/Liria”. Kjo veprimtari do të shënojë edhe mbylljen solemne të Edicionit Jubilar.

Festivali mbështetet nga Ministria e Kulturës, Komuna e Tetovës dhe sponsori restorant “Kurtishi”.

Me edicionin e tij të XXX-të, “Ditët e Naimit” vazhdon misionin e promovimit të poezisë shqiptare dhe botërore, të bashkëpunimit ndërkulturor dhe të trashëgimisë së Naim Frashërit, duke e afirmuar Tetovën si një pikëtakim të rëndësishëm të krijuesve dhe kulturave të ndryshme./ D. Hadri

ObserverKult