Më 30, 31 korrik dhe 1 gusht, në platenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me fillim nga ora 10.00, çelet Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, në të cilin do të ekspozohen mbi 1000 tituj të librave të vjetër, të rrallë dhe të përdorur dhe po në të njëjtën kohë hapet ekspozita “Bëje ose vdis!: kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Ukshin Hotit” përgatitur nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës dhe ekspozita tjetër “‘Vullkani’ i republikës, përjetimi i demonstratave të Prishtinës të vitit 1981 në Tiranë” përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë.
Gjatë ditëve të panairit dhe të ekspozitave do të organizohen edhe këto aktivitete kulturore:
Më 30 korrik në hollin e Teatrit Kombëtar organizohet takim me kryeshefin e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido.
Po më 30 korrik në ambientet e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës organizohet punëtoria, për palët e interesuara, për restaurimin e librit të vjetër, të rrallë, të përdorur dhe të dëmtuar.
Më 31 korrik, në hollin e Teatrit Kombëtar, bëhet promovimi i katalogut të “Librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur”.
Më 31 korrik, po në hollin e Teatrit Kombëtar, organizohet takim me profesorin, studiuesin dhe poetin Sali Bashota dhe me shkrimtarin Adem Gashi, transmeton ‘epokaere’.
Më 1 gusht, në hollin e Teatrit Kombëtar, me fillim nga ora 13.00, organizohet ora poetike me aktorin Bislim Muqaj, i cili do të interpretojë 13 poezi të 13 poetëve shqiptarë.
Po më 1 gusht, aty në hollin e Teatrit Kombëtar, me fillim nga ora 13.00, organizohet takim me poetin e mirënjohur Xhevdet Bajraj.