Next Verse 2025/ Shkodra, vendtakim i poezisë dhe kulturës mbarëshqiptare

Shkodra, qyteti i artit dhe kulturës, u bë për dy ditë me radhë qendra e fjalës poetike dhe e krijimtarisë letrare shqiptare, me zhvillimin e Festivalit Letrar Mbarëkombëtar “Next Verse – Ku Shkojnë Fjalët”. Kjo ngjarje kulturore u organizua nga Biblioteka Publike “Marin Barleti” në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, duke sjellë një program të pasur me lexime, diskutime dhe reflektime mbi letërsinë e sotme shqipe.

Mbrëmja e 31 tetorit shënoi hapjen zyrtare të festivalit në hollin e katit të dytë të Teatrit “Migjeni”, ku organizatorët mirëpritën autorët pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Në fjalën përshëndetëse, drejtoresha e Bibliotekës Publike “Marin Barleti”, Ledia Dushi, theksoi rëndësinë e bashkimit të zërave letrarë nga hapësira mbarëkombëtare dhe vlerën që ky festival ka në forcimin e dialogut kulturor përmes fuqisë së fjalës.

Pas saj, foli Xhahid Bushati, i cili vlerësoi larminë krijuese të autorëve pjesëmarrës dhe u ndal në rëndësinë e kontributit të secilit prej tyre në pasurimin e letërsisë bashkëkohore shqipe, duke e parë këtë festival si një dëshmi të gjallë të vitalitetit kulturor që bashkon trojet shqiptare.

Në ditën e dytë e festivalit, më 1 nëntor, Teatri “Migjeni” u kthye në një skenë të gjallë ku fjala poetike mori jetë përmes leximeve autoriale të mysafirëve të ftuar.

Në sesionin e parë, publiku ndoqi leximet autoriale të Blerina Rogova Gaxha, Stefan Çapalikut, Durim Taçit, Donika Dabishevcit, Fahredin Shehut, Ndue Ukajt dhe Lena Ruth Stefanović. Poezitë dhe tregimet e tyre përshkuan temat e identitetit, kujtesës, dashurisë dhe përjetimit njerëzor, duke e mbajtur publikun të përfshirë në një përvojë të thellë ndjesish dhe reflektimesh.

Më pas, zërat e Nora Prekazit, Lulzim Hazirit, Mark Lucgjonajt, Andreas Dushit, Marsela Neni, Artur Bakut sollën një valë të re fryme e energjie krijuese. Poezitë e tyre lëviznin nga personalja në universalen, nga përvoja intime te përballja me realitetin bashkëkohor.

Salla e Teatrit “Migjeni” u mbush me jehonën e fjalës së gjallë, duke dëshmuar se letërsia shqipe vazhdon të ketë zëra të fuqishëm e të ndryshëm, që dialogojnë fuqishëm me publikun.

Programi i festivalit pastaj vazhdoi me një vizitë në Varrezat e Rrmajve, një udhëtim ky për të nderuar personalitetet e kulturës që prehen në Shkodër, aty ku fjala jeton përtej kohës. Drejtues i këtij udhëtimi dhe folës ishte akademik Stefan Çapaliku.

Aktiviteti pati karakter reflektues dhe kulturor, duke sjellë një ndalesë mbi historinë, arkitekturën dhe rëndësinë e këtyre hapësirave të kujtesës, si pjesë e traditës dhe identitetit të qytetit. Vizita u kthye në një moment përkushtimi dhe meditimi mbi lidhjen mes kujtesës, kulturës dhe vazhdimësisë së fjalës.

Në mbrëmje, vëmendja u zhvendos në sallën “Koliqi” të Bibliotekës Publike “Marin Barleti”, ku u zhvillua paneli diskutim me temën “Letërsia shqipe pas viteve ’90”. Studiuesit Prof. Dr. Anton Berishaj, Dr. Brikena Smajli dhe Dr. Fabio M. Rocchi sollën analiza të thelluara mbi transformimet e letërsisë shqipe në periudhën post-tranzicion, ndikimin e globalizimit në krijimtarinë bashkëkohore dhe rolin e autorit shqiptar në kontekstin e sotëm kulturor. Diskutimi u shoqërua me pyetje dhe komente nga publiku, duke e kthyer panelin në një forum të hapur mendimesh dhe vizionesh për të ardhmen e letërsisë shqipe.

Që të gjitha këto sesione u moderuan nga poetja e njohur shkodrane Arjola Zadrima.

“Next Verse – Ku Shkojnë Fjalët” nuk ishte vetëm një ngjarje letrare, por një rrugëtim shpirtëror dhe intelektual që bashkoi gjithë hapësirën shqiptare në një të vetme, përmes fuqisë së fjalës.

Me këtë edicion, Shkodra forcoi rolin e saj si një prej qendrave më të gjalla të kulturës shqiptare, ndërsa festivali la pas një ndjesi të thellë bashkimi, frymëzimi dhe vazhdimësie.
Në fund, fjalët e poetëve duket se gjetën përgjigjen e tyre: ato shkojnë atje ku dëgjohen, ku ndahen dhe ku prekin zemrën e tjetrit. Dhe për dy ditë, ato gjetën shtëpinë e tyre në Shkodër.

ObserverKult