Nezir Kraki: Dashuria është burim rrëmujash që trazojnë zemër, mendje e trup

Nezir Kraki

Qetësi, jo dashuri

Dhe, vjen dita kur disa gjëra që jeta na imponon, na shtyjnë t’i kthehemi esenciales, t’i shohim ndryshe njerëzit dhe momentet, larg rutines anekdotike të kohës.
…kur individi që kërkonte dashuri kërkon veç qetësi dhe kush kërkonte famë e mirënjohje kërkon veç respekt.

Kur jeta merr ‘kuptim të ri’ dhe pyetjet që tentojnë ta sqarojnë arsyen e ekzistencës në këtë planet shtohen. Se askush nuk shpëton nga vorbulla e kohës, e moshës, e përvojes, thjesht, nga vorbulla e jetës.

Prandaj në listën e prioriteteve tona, të gjërave që i mendonim si shumë të rëndësishme, numrat rendorë ndrrojnë vend duke iu përshtatë ‘kuptimit të ri’ të jetës, që secili nga ne e arrin heret a vonë. Kështu, dashuria aq shumë e kërkuar, e dëshiruar, e ëndërruar, e imagjinuar, nuk gjendet më në maje të piramidës së jetës, madje as në vendin e dytë. Në vendin e dytë gjendet nevoja për respekt, të dhënë dhe të marrë.

Në maje të piramidës gjendet diçka shumë më e thjeshtë por më vështirë e arritshme: nevoja për qetësi, qetësi të brendshme. Dashuria është e kundërta e qetësisë së brendshme. Ajo është burim rrëmujash që trazojnë zemër, mendje e trup. Është luftë e përhershme me armiq të padukshëm, të paprekshëm. Është lodhje sistematike që kthehet në normalitet duke mos i lënë zemrës, mendjes e turpit asnjë hapësirë për rigjenerim të energjive të reja pa të cilat edhe vet dashuria vyshket, mbetet pa magji.

Qetësia pra!

Qetësia që ia mundëson brendësisë të jetojë normalisht, të frymojë, të mendojë, të shijojë e pse jo edhe të dashurojë. Qetësia e brendshme është çelësi i gjithçkaje, është fryma.

Pse ndalen dashuritë sot mendoni ju? Sepse në to s’ka qetësi. Edhe zjarri më i madh fiket në mungesë ajri, oksigjeni. Dashuritë e mëdha fiken për të njëjtën arsye. Ajo që shpesh shihet si dashuri, në realitet s’është asgjë më shumë se asfiksi, ngulfatje dhe përhumbje përballë gjërave esenciale që jetën e mbushin me kuptim. Kur dashuria nuk mundëson ruajtjen e qetësisë atëherë ajo nuk është e plotë, është e destinuar të dështojë.

Nuk besoj që mund të shkohet nga dashuria në qetësi, por veç nga qetësia në dashuri. Dhe, derisa dashurisë i duhet qetësia për të mbijetur, qetësia s’ka nevojë për dashuri.

Prandaj…
Qetësi ju lutem!
Gëzuar!

ObserverKult


Lexo edhe:

NEZIR KRAKI: MOS ME T’DASHTË TY ËSHTË KRIM…