Nga Ali Pashë Tepelena tek misteri i Rumit në ‘Vallen e Dervishëve’, ekspozita e rrallë mbi Bektashizmin

bektashizmi

Piktori Rakip Shabani çel një ekspozitë të rrallë “Mbi Bektashizmin”, në festën e Sulltan Nevruzit. 20 vepra në akuarel, ku pikturohen objektet e këtij besimi e teqetë në majat e malit, personalitete bektashian mes të cilëve Ali Pashë Tepelena, si dhe “Vallja e Dervishëve” me portretin e poetit persian Rumi.

Misticizmi i besimeve fetare e objekteve të kultit, bëhet joshës për krijimtarinë e piktorit Rakip Shabani. I cili para telajos ndihet si artist pagan. Në festën e Sulltan Nevruzit, përmes 20 veprave në akuarel, të ekspozuara në “Galerinë43”, sjell “Një ekspozitë mbi bektashizmin”, duke thyer edhe ‘tabutë’ për ekspozita të kësaj natyre.

“Unë pashë që objektet e kultit të këtij besimi ndërtohen nëpër maja malesh. Mu duk shumë interesante, më tërhoqën objektet. Pastaj natyra, gjithë struktura dhe mënyra se si ishin ndërtuar dhe kur u futa brenda në to, u befasova. Myslimanizmi nuk lejon përfytyrimin e figurës së njeriut, kurse këto objekte ishin plot me vepra arti, që kishin si subjekte gjithë portretet e njerëzve të cilët kanë krijuar bektashizmin, përfshirë edhe portretin e djalit të Muhamedit edhe portrete të babave të teqeve të tjera”, thotë piktori.

Ka shkuar në Kaninë e Vlorë, ku zë fill historia e këtij besimi. Ka vizituar Malin e Tomorit, ku çobanët i rrëfyen se Tomorr do të thoshte  “të mirët”,  ka pikturuar legjendën e Sarisalltëkut të Krujës e shumë objekte e personalitete të bektashizmit në mbarë Shqipërinë.

“Disa vepra i përfundoj në këto vende, e të tjera i trajtoj në studio. Studimet, legjendat, të dhënat që marr në terren harmonizohen me imazhin”

Portretet e figurave simbol të këtij besimi, që ngrihen mbi majat e malit, janë ndër elementët më mistik e të veçantë të ciklit të pikturave. Këtu gjendet edhe një për Ali PAshë Tepelenën

“Kur mendon për shembull, që ‘Tomori’, është vendi kryesor i bektashinjve. Ajo skulptur e madhe e djalit të Muhamedit me dy fëmijët e tij që gjendet atje. Por unë që nga Kalaja e Beratit nuk arrij ta shoh atë, ndaj në maj të ‘Tomorit’ vendos portretin e Tij sikur dhe e gërshetoj me Malin”

Ritet e këtij besimi, kulmojnë me “Vallen e Dervishëve”. Në brendësi të tablos, pikasim portretin e mistikut, Rumi.

“Është poeti i madh pers, Rumi.  Ishte i pari që e kërceu Vallen e Bektashinjve, dhe çuditërisht kjo ka një shprehje: ‘Ata kërcejnë gati si të dehur ,por vetëm duart i mbajnë në një vend. Një e mbajnë nga qielli, kurse një e mbajnë nga toka. Marin të mirat nga Zoti dhe ua japin njerëzve”, shton Shabani. 

Cikli me personalitetet e këtij besimi përmban Portretet e Haxhi Bektash Veliut, Baba Rezhajt. Haxhi Dede Reshat Bardhin etj.,  e përmbyllet me një vizatim të Ali Pashë Tepelenës, i cili në të gjallë ndërtoi disa teqe…

ObserverKult

Lexo edhe:

PIKTUROI ENVERIN ME FLOKË TË GJATË! PIKTORI RAKIP SHABANI RRËFEN SI U FTUA NGA…