Pjesë nga ditari i Lasgush Poradecit
Tiranë, e Mërkurë 24 Tetor 1945
Ora 11 isha te Ministri i Kulturës Sejfulla Malëshova, i shpura materialin e vëzhgimeve të mija mi Naim Frashërin për botim kritik të lirikës së Naimit. “Botim kritik” i thashë “s’mund të bëhet, dyke mos patur dorëshkrime të mjaftuarshme. Do të bëj vetëm një botim kriteri” i thashë, siç e kisha parashtruar dhe në raportin t’im përpara se të vete në Poradec.
Pastaj në lidhje me vjershën që kish botuar jashtë më 1928 dhe e botoj dhe tashi mora fjalën dhe i thashë: “Do të ishte një çnderim për mua sikur t’ju nderonja se jeni ministër, po unë ju nderoj dhe ju pyes në cilësinë t’uaj si vjershëtor. Juve kini bërë një gabim në poezinë t’uaj që rishtyptë tashi kundër meje, sepse gjërat që thoni atje kundër meje nuk i përgjigjen të vërtetës po përkundër. Kur është jashtë njeriu, mund të gabohet dhe ju ishit atëhere jashtë. Po tashi që gjindeni në Shqipëri dhe që jeni në gjëndje të kontrolloni jetën t’ime me shumë lehtësi, të afirmohet një mos-e vërtetë për mua, s’është liri po robëri.
Sejfullaj: “aty (në poezi) unë nuk them si ishit, si jini, po si do bëheshit”, Unë: “Po juve në atë poezi thoni: “të blenë me para”, “të futnë në kuvli”, dhe në shënimin që i kini bërë vjershës simvjet më 1945 thoni: “hyri në pellgun oportunist”, dhe “u bë poet dallkauk”, dhe shënoni vetë që vjersha është shkruar më 1928”.
“Juve thoni ashtu, po mua s’më ka blerë kurrë njeri as me para as pa para, as jam futur në kuvli, as kam qënë as do jem oportunist, as jam bërë as do bëhem dallkauk, po kam rrojtur dhe rroj si njeri i thjeshtë dhe i ndershëm vetëm me rrogën t’ime, si profesor që jam emëruar në bazë të dipllomës s’ime. Unë as e njihja Zogun as s’e njoha kurrë ndonjë herë, as shkela ndonjë herë në Parlament, po rrojta gjithnjë i tërhequr, si kurdoherë sipas naturës s’ime; nuk shkrojta kurrë as për Zogun as për ndonjë tjetër siç bënin të tjerët si p.sh. A. A. që ish ministër dhe i bënte poezi Zogut, si F V. që ish deputet dhe i bënte edhe ay Zogut poezi. Ato poezi quhen dallkaukllëk, oportunizmë, kuvli, jo poezia ime që fluturon e pastër dhe e lirë përmbi dobitë dhe vogëlsirat njerëzore.
Poezia për mua është lirija absolute e shpirtit dhe një poezi që futet në relativitetet e shoqërisë dhe të kohës, në dallkaukllëk që d.m.th. politikë humbet karakterin e lirisë suverante të shpirtit – konditë sine qua non e artit të vërtetë. Unë nuk e lejoj veten që ta ve poezinë t’ime në shërbim të kontigjencave shoqërore, sepse unë jam një tip i çuditshëm, jam i lirë. Mua njeriu mund të më vjedhë 100, 200, 300 napolona, sikur t’i kisha , po karakterin t’im si njeri, si artist independent, s’m’a vjedh dot, s’m’a merr dot kurrë! S’m’a ble dot njeri kurrë!”
Sejfullaj tha: “do flasim një herë tjetër më nge” dhe unë ika dhe hyri Gjeneral Kolonel Koçi Xoxe.
ObserverKult
Lexo edhe:
RRËFEHET E BIJA E LASGUSH PORADECIT: BABAI PËR KOHËN QË JETOI NUK U VLERËSUA…
122 vite më parë në 27 dhjetor lindi një ndër pionerët e romantizmit shqiptar, poeti Lasgush Poradeci. 34 vite pas ndarjes nga jeta e tij, e bija Maria në një rrëfim të veçantë për Report Tv, solli një tablo të jetës së shkrimtarit. Plot kujtime e nostalgji për një poet që në kohën kur jetoi e shkroi figura e tij, nuk u vlerësua sa duhej. Ajo zbulon për herë të parë sesi ditëlindjet nuk ishin festuar ndonjëherë në shtëpinë e familjes së poetit.
Poezia për të ishte liria absolute e shpirtit shprehës të një krijuesi…
Me vargjet e tij e rreshtat e tij ai arriti të depërtoi aq thellë në shpirtin njerëzor sa një qytet i tërë mori emrin e tij “Pogradeci i Lasgushit”.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult