Nga ditari i Zef Lekajt/ Hetuesi: Si s’ke turp ta vlerësosh Gjergj Fishtën…

Zef Lekaj

Nga Leon Lekaj

U festua me madhështi 151-vjetori i Fishtës. Folën të gjithë. Të parët qenë “zeusët” e letrave, e pas tyre kuptohet, të gjithë “perënditë” e vegjël. Folën më pas edhe ata që e anatemuan, me refrenin “Kështu qe koha”. Folën edhe ata që heshtën atëherë, me të njëjtin refren. Folën të gjithë. Lavde, përmendore për shkrimtarin e madh. Për patriotin e madh.

Në dialogun e mëposhtëm unë po risjell dikë që foli atëherë. Dikë që nuk e përfilli refrenin e neveritshëm por tha me plot gojën:

Po!

At Gjergj Fishta ishte një shkrimtar i madh.
Dhe për këtë e ca të tjerë u dënua me dhjetë vite burg.


Ditari i tim ati, Zef Lekaj


“…Ndërmjet meje dhe hetuesit u zhvillua pak a shumë kjo bisedë.
Hetuesi-Ti i pandehur ke pohuar në mes të tjerëve se Dostojevski na qenka një romancier i madh.
Unë- Po. Për mua është një nga romancierët më të mëdhenj të botës.
Hetuesi- Pra e ke thënë këtë gjë?
Unë- Po.
Hetuesi- E kujt ia ke thënë?
Unë- S. I.
Hetuesi-Dhe e ke porositur të mësojë gjuhën italiane, sepse ti i ke përkthimet e romaneve të tij në këtë gjuhë e do t’ia jepje t’i lexonte, kështu?
Unë- Pak a shumë ashtu.
Hetuesi (i nxehur)- E sheh i pandehur se në ç’batak ke rënë! Po ti, si artist, nuk e ke ditur se Partia e Punës, Realizmi Socialist, Lidhja e Shkrimtarëve, e kanë dënuar dhe e dënojnë rëndë këtë shkrimtar me frymë të theksuar dekadente?
Unë- Zoti hetues! Në një mbledhje artistësh para njëzet vjetësh, ku merrja pjesë, Dostojevski doli si shkrimtar i madh. Tani ata e kthyen pllakën. E ç’faj kam unë se vlerësimi im mbeti gjithmonë i njëjtë?
Hetuesi-Janë pikërisht këto ide, kjo propagandë që ti ke zhvilluar andej-këndej që të solli këtu. Je munduar me mish e me shpirt të helmatisësh njerëzit e artit që ke pasur pranë. Edhe për reaksionarin, klerikun e paturp, Gjergj Fishtën ke llomotitur. Ç’thua për këtë?
Unë- Kam thënë se at Gjergj Fishta ishte Poet i madh.
Hetuesi- Po si s’ke turp të vlerësosh një njeri të tillë, që gjithë jetës ia ka kushtuar Italisë fashiste dhe reaksionit?
Unë- Unë di që i ka shërbyer vetëm Shqipërisë.
Hetuesi- Gjepura! Vjershat e tija janë një hiç, një zero me xhufkë! Pastaj…ai pranoi të bëhej edhe Akademik i Italisë. Nuk e tregon kjo fytyrën e tij të vërtetë?
Unë- Zoti hetues, shumë njerëz me vlerë kanë qenë Akademikë Nderi të një shteti tjetër, por kjo nuk tregon se ata kanë qenë të shitur tek të huajt.
Hetuesi- I pandehur, shihet qartë se sa i zhytur je në llumin e reaksionit dhe njëkohësisht se sa injorant që je. Si ke mundur të harrosh shprehjen e Fishtës kur shkruan:
“…Le t’a dijë bota mbarë
Se atë Gjergj Fishta s’asht ma shqiptar…”
Ç’pret ti atëherë nga një poet që mohon troç atdheun?!
Unë- Konteksti, në të cilën gjinden këto vargje të Fishtës nuk të çojnë tek ai përfundim, që ju pretendoni…pastaj… “Lahuta e Malcisë” a nuk është një provë e padiskutueshme e patriotizmit të tij?
Hetuesi- Jo i pandehur, jo! Dhe mos kujto se po ma hedh! Sapo përfunduam ekspertizën për veprat e Fishtës dhe këtë ekspertizë e bënë intelektualë të shquar si drejtori i Gjimnazit V. Gj. dhe profesori i historisë. Ata pohojnë se çdo vepër e Fishtës mban frymën e karakterit të tij reaksionar e antikombëtar.
Unë- Ekspertiza e tyre zoti hetues, është e pavlerë sepse, ata nuk e kanë lexuar asnjëherë Fishtën, por edhe sikur ta lexonin nuk do ta kuptonin kurrë atë.
(Hetuesi u nevrikos përsëri, i ra ziles dhe polici më shoqëroi në qeli.)

ObserverKult

Lexo edhe:

LEON LEKAJ: NJË DHURATË E PAPRITUR