Nga Mimoza Kuchly
Ka njerëz për të cilët nuk arrin të thuash, kanë vdekur, por thjesht u ndanë nga jeta ashtu siç shkëputen meteorët nga qielli. Kjo për të vetmen arsye se kanë lënë gjurmë të thella jo vetëm në kohën e tyre, por edhe në brezat që i ndjekin pas.
13 shkurti data e lindjes së njërës prej figurave, e cila plotëson “kushtet” e kujtimit të përhershëm: Françesk Radi!
Mjafton vetëm emri dhe gjithkush do t’i sjellë ndër mend ose portretin, elegant e me kitarën pas vetes, ose motive nga këngët që nuk i janë fshirë kujtesës.
Ndërsa admiruesit e shëtitjeve liqenit të Tiranës do të kujtojnë bustin në bronx me emblemën – kitarën, pikërisht në vendin ku ai dikur në rininë e tij këndonte mes miqsh e shokësh, këngë shqiptare dhe të artistëve të tuaj.
Këngëtar, kantautori i parë i muzikës së lehtë moderne shqiptare, i cili i përket brezit të artistëve të viteteve ’70-ta, kompozitor e instrumentist i shkëlqyer në kitarë, kitarë “bass”, kontrabas, piano, mandolinë, çifteli, sharki e të tjera instrumente të temperuar.
Në Melburn të Australisë, u ritakova me bashkëshorten e Françeskut dhe imazhin e vërtetë profesional të ekranit tonë për vite me radhë, e cila krijoi ikonën në gazetari, znj. Tefta Radi.
Ndryshe në kryeqytet, ajo i shtoi më tepër emocionet kur lexoi pjesë nga librin “Më duaj, por jo vonë”, me bashkëutorësi Mimoza Ahmetin, prezantuar mes bashkëpatriotëve shqiptarë.
Në ambientet e restorantit të një djaloshi nga Elbasani, folëm së bashku ndër të tjera natyrisht për arritjet dhe ngërçet e kulturës dhe artit tonë, e natyrisht nuk mund të kalonim në heshtje dhimbjen e Teftës.
Zëri i saj tashmë i kishte humbur notat ” e seriozitetit ” që isha mësuar ta dëgjoja ekranit. Kjo për shkak të emocioneve të ndarjes pas 42 vitesh jetë, nga Franko, jo vetëm si bashkëshort, por edhe njeriu i shtrenjtë, bashkudhëtari, artisti me të cilin kishte ndarë gjithçka që nga rinia e hershme, gëzime e trishtime, dështime e suksese, gjithçka që i jep jetës ngjyrat e stinëve dhe e bën atë interesante, me të mirat dhe vështirësitë e saj.
Më kujtohet kur dikur ajo dilte në ekran, dashje pa dashje njerëzit nuk harronin të përsërisnin për të shoqin, “hë more, ai këngëtari me kitarë, me biografi të keqe. Po si ka mundësi që e lënë akoma të shfaq lajmet dhe të përhapë fjalën e Partisë?!”.
Në Paris, bleva librin “Gjurmë në pentagram” të cilin Tefta me kujdesin e veçantë, që nga prezantimi tepër elegant, por edhe për gjuhën, dokumentacionin apo arkivin qoftë të familjes apo institucioneve të ndryshme, ia kushton Frankos, njeriut prej të cilit mësoi shumë në jetë, humanizmin pa cak, si të donte e të falte. Po ashtu ia dedikon edhe dy fëmijëve të tyre Anjezës dhe Baltionit.
Ky libër, i publikuar në tri gjuhë: anglisht, gjermanisht dhe shqip, është një dëshmi e shtrenjtë jo vetëm për familjen e artistit, atyre që e kanë njohur dhe vlerësuar artin e Françesk Radit, por dhe gjithkujt që e do dhe e vlerëson muzikën e vërtetë mbështetur në tabanin tonë kombëtar.
Rrënjët e tij vinin nga breza artistësh, po ashtu rritur në gjirin e jareve shkodrane, këngëve të shqipërisë së mesme, motiveve popullore të veriut, etj., që ishin një CV e shkëlqyer për ta udhëhequr në krijimtarinë artistike.
Fotot, dokumentacionet origjinale të epokës, mbresa, opinione të miqve dhe “armiqve” të tij, na bëjnë të njohim një Franko, (siç e thërrisnin të gjithë), përtej skenës dhe kitarës së tij, një njeri të apasionuar për muzikën e cila e ushqeu deri në ditën e fundit të jetës.
Referuar librit, sipas specialistëve të fushës ai solli risi në strukturën, aranzhimin, zhanrin dhe performancën e këngës së lehtë shqiptare me daljen e gjithëhershme të tij me kitarë në skenë, duke u shkëputur nga standartet e këngëve dhe këngëtarëve të kohës e duke fituar statusin e një këngëtari të veçantë.
“Françesku ishte ndër të parët artistë që ra në sy me krijimet e tij, me mënyrën e tij të të kënduarit dhe gjithçka që filloi të brumosi personalitetin e tij artistik. Ai gjeti një mënyrë të vokalizimit të tij që ishte afër vetes së tij dhe e shkëputi nga të tjerët” (Zhani Ciko, Dirigjent).
“Ishte një figurë që nuk e kishte asnjë këngëtar tjetër. Atëhere kishte këngëtarë të dëgjuar, si Sherif Merdani, ose Tonin Tërshana, por Françesk Radi ishte tjetër.
Ishte një prurje si gjithë këngëtarët e botës kur dolën atëhere në Amerikë, ishin tipat e kantautorit, një njeri që ka një individualitet, ka një kitarë në sup, ka një melodi, ka një mesazh për të dhënë, mesazhin e brezit të vet…Kjo ishte shumë origjinale”. (Sadik Bejko, poet)
“Franko, kantautori që shenjoi një profil të vetin kur ishte e vështirë, solli këngën europiane, kur Shqipëria ishte e mbyllur si burg…”(V. Zhiti, shkrimtar).
Por, suksesi u bë gjithashtu dhe shkaku i martirizimit “për së gjalli” nga sistemi i kohës. I akuzuar për shfaqje të huaja moderniste, liberale, dekadente perëndimore, në krijimtarinë e tij muzikore, u internua dhe për dy dekada iu ndalua të merrte pjesë në aktivitetin më të madh të muzikës së lehtë, Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, deri në pasvitin 1990.
Këngët e tij “Adresa” (e cila është dhe kënga e parë e inçizuar si kantautor ’71 si dhe videoklipi i parë) apo “Biçikleta”, motive që edhe sot këndohen aq ëmbël, por që fatkeqësisht ishin ato që siç i dhanë suksesin, edhe ia dërmuan ëndrrën të cilën e kishte në deje pas Festivalit të 11.
Franko do të thoshte: “Periudha e viteve në Fushë-Arrëz ndoshta ishte periudhë jo fort e këndshme, por aty gjeta shoqen e jetës, Teftën, mësuesen e Letërsisë dhe konferenciere.
Ajo ishte e emëruar, ndërsa unë isha i dënuar. Të dyja palët jetonim në të njëjtat kushte, flinim në të njëjtat godina, hanim në të njëjtat mencash të punëtorëve, por nuk ishte e lehtë të dashuroje në ato kohë, pasi ndryshimi midis meje dhe Teftës ishte se unë vëzhgohesha nga policia dhe raportohesha për gjithçka, ndaj dashuria jonë mbeti e fshehtë, për t’u rritur e për t’u shndërruar në gjithësinë për njëri-tjetrin pas kthimit në Tiranë”.
Kush nuk e kujton Françesk Radin me ngjashmërinë kumptimplote me këngëtarin e njohur Italian, Adriano Celentano, ndaj dhe e quanin, Celentanon shqiptar. Herë na dukej se dëgjonim Celentanon, herë Bitëllsat, por gjithmonë me origjinalitetin e tij.
“Njerëzit që mbulonin sektorin e artit, filluan duke thënë: imiton Adrianon, i bie kitarës si Adriano, mban flokët e gjata, por Zoti i kishte falur një timbrikë vokale të shkëlqyer, e cila rastësisht përngjasonte me atë të Celentanos, por jo se Franko e imitonte” (E. Shëngjergji, kompozitor).
Do të vinte viti 1990, që nuk shembi vetëm murin e Berlinit, por edhe një sërë pengesash e kështu Françesk Radi, me kitarën, simbolin e tij, kurrësesi shpata e Demokleut, por si lira e Apollonit, do të na shfaqej gjithmonë i veçantë, nga njëra këngë në tjetrën, herë motive të muzikës popullore e herë asaj qytetare.
Në këto momente më kujtohet kur kam dëgjuar në festival, “Telefonatë zemrash”, kur ai këndon me Mariza Ikonomin, këngë që atë periudhë emigrimesh, e kë nuk bëri t’i shkiste loti tek e dëgjonte! Më pas “Rock i burgut”, “Ky fat na ra”, “Zemër e lodhur”, “Sa e bukur je”, apo të tjera këngë natyrisht në italisht, frengjisht, anglisht, etj.
“Muzikanti Radi, nuk bëri kurrë kompromis me krijimtarinë. Adhuroi muzikën profesionale, punoi fort për të, i dha shpirtin dhe zemrën për t’ia përcjellë publikut e brezave si vlerë e kënaqësi.
Ai përpunoi dhe interpretoi nën ritme të moderuara muzikën popullore dhe qytetare. Sherif Merdani, këngëtari i brezit, është shprehur për Frankon:
“Tani e kujtoj me nostalgji dhe duke bërë apel për këngëtarët tanë të rinj, për kompozitorët tanë të rinj: dëgjojeni Françeskun, studiojeni Françeskun. Do të keni vetëm njohuritë më moderne të muzikës së lehtë shqiptare, bazuar mbi motivet popullore, mbi motivet karakteristike të jugut e të veriut, aq sa do t’u çudisë në të vërtetë”.
Librit për Franko Radin i shtohen edhe tekstet dhe partiturat e këngëve që ai interpretoi apo orkestroi. Sa bukur do të ishte nëse do t’i dëgjonim në origjinalitetin e tyre, por besoj se lexuesi artëdashës sapo ta marrë në dorë, nuk do të kaloj mospërfillës e do ta mbyll më një motiv ndër buzë, apo vargjet e teksteve aq domethënëse, jo vetëm fjalë zemre, por edhe tinguj shqiptarë. Është një libër që meriton të gjendet në institucionet muzikore shqiptare dhe jo vetëm.
Duke qenë se është i shkruar në anglisht dhe gjermanisht, them se Françesk Radi- Apolloni ynë, bënë shumë mirë rolin e ambasadorit të muzikës shqiptare.
Pranverë e trishtë kur Franko në një moshë kur kishte ende për të thënë, për të dhënë, për të lënë, largohet krejt papritur.
“Franko ishte ai që ushqeu ëndrrat tona drejt lirisë. Franko, mik i vjetër, që nuk vjetëroheshe, trim i hershëm që nuk u trembe… Njeriu i pasur që kishe pasuri veç muzikën… Muzën e parë… Franko tani je frymë… je ndryshe nga ne… këtu le kujtim artin tënd… atje pranë të tuve… shkon sot… Prill i trishtë si në këngët e vjetra të Don Backyt…e pafundmja… Lamtumirë mik! Ju do të bëni edhe dheun të këndojë…”. (Prof. Asoc. Dr. Përparim Kabo, studiues).
“Gjurmë në pentagram”, një dhuratë e bukur që mund t’i bëhet jo vetëm vetes, por më shumë akoma, miqve, studiuesve dhe artëdashësve të huaj, pasi muzika është ajo që nuk ka nevojë për “pasaportë”.
Qofsh i përjetshëm Françesk Radi për pasionin dhe revolucionin që bëre në muzikën tonë! Faleminderit Tefta për këtë punë të vështirë aq më tepër emocionale, por edhe të bukur për të na sjellë pranë nesh kohën dhe jetën e një artisti, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar! / panorama.com
ObserverKult
Lexo edhe:
ERINA ÇOKU: A E DIN SE NUK TË DU?
Poezi nga Erina Çoku
Ti nuk din gjâ, po unë nuk të du.
E ngase unë nuk të du,
dhe ktë s’e lun as guri
toka asht shqetësu
e po rrotullohet kadalë e mjera,
prandej diçka për botën unë duhet me bâ:
Se nuk të du duhet me t’njoftu.
Uh, duhet me marrë ‘i copë udhë t’gjatë
e me mbrritë n’cakun tand
me ta thanë qartë ballë për ballë
se nuk të du, as ‘i fije.
E ngase unë nuk të du,
dhe kësaj nuk i lëviz as presja
filli i hânës â bjerrë
e gjysë ka mbetë e shkreta,
kshu që unë diçka për hânën duhet me bâ:
Se nuk të du duhet me t’tregu.
Uh, duhet me t’u avitë fort
ngjitë me ty qerpik m’qerpik
me ta rrëfy n’dritë t’synit
se nuk të du, as ‘i grimë.
E ngase unë nuk të du
dhe kjo asht krejt e dukshme
dielli n’mendime krejt ka râ
e brenda reve mshihet shpesh i vorfni.
A kam si diçka për të unë mos me bâ?
Se nuk të du aspak, duhet me t’ sqaru.
Uh, duhet me t’folë njat mu n’vesh
që n’kryt tand këto fjalë mosdashnie
bashkë me zanin tim t’hyjnë sak
e ti fije dyshimi mos me pasë:
Nuk të du, nuk të du, pra.
Uh, duhet me t’folë njat mu n’vesh
që n’kryt tand këto fjalë mosdashnie
bashkë me zanin tim t’hyjnë sak
e ti fije dyshimi mos me pasë:
Nuk të du, nuk të du, pra.
E ngase unë nuk të du
ajri, uji e dheu janë bâ lâmsh
sa kurrkush drejtim s’po di m’u dhanë,
si mundem unë për kyt rruzull mos me bâ gjâ?
Prandej, se nuk të du, ty vrik duhet me t’kallëzu.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
EMIN Z. EMINI: KJO ASHT E MBRAMA KANGË E EMJA PËR TY…
kjo asht e mbrama kangë e emja
për ty
për pafundin tonë të andërrt’
t’kryem pa u bâ zhgjandërr
nashta
moj dritë e futueme
siç ishe për mue
ke me ken e para kang’
qi tjetri
ka me ia ngjit emnin t’and
e njaj burrë botet
i marrosun me duert e shpirtit
qjell’s ka me ia tubue ret’ e shiut
grunin e dashnisë me e rritt
gryk’s t’ bun’s me i xan pritë
shtratin e uj’t me rrutullue
rruzullimit nji det t’ri
me dallgë dashnijet me ia marue
bé e rrfe me bâ ka
tokë e qjell gjallë i mbâ
fryma e jote
hanë e djell
gjerdan gushet ka me t’i vjerr’
ka me i fry zjermit t’zi t’ferrit
t’bardhin njat t’lumin mkat me djeg
se ty
ka me t’njoft për perëndi
por ma s’mbrami
njashtu si unë qi nuk deshta me besue
edhe ai kurr’ s’ka me mujt besë me xan
qysh gjethi kputet pemës
nji natë vjeshtet njashtu tue ra shi i situn
pa çel dita kie me lan
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult