Atletja rrëfen puthjen me forcë në zyrën e ministrit/ abuzimet në organet e sigurimit

“Feçor Shehu ka shfrytëzuar postin zyrtar dhe ka kryer veprime të pahijshme me gratë. Në karrierën e tij në organet e Sigurimit, rastet e abuzimeve seksuale kanë qenë të shumta”

NGA AFRIM IMAJ

Përballja me këtë akuzë për ish-ministrin e Brendshëm është ndër goditjet më të forta ndaj tij në procesin e vitit ‘83.

Fakti që pjesa më e madhe e pohimeve të tilla vijnë nga dëshmitare femra, e bën edhe më të sikletshëm pozicionin e Feçor Shehut.

Në librin e Kastriot Dervishit, shtjellohen raste konkrete duke iu referuar fakteve të siguruara në Hetuesi nga viktimat e perversitetit të ish-kreut të Policisë Sekrete.

Njëra ndër to, ish-atletja nga Shkodra, rrëfen se Feçor Shehu pasi e ka takuar në një konferencë sportive, e ka ftuar në zyrë dhe aty e ka puthur me forcë.

Fiksimi i tij, pohonte P. Th. para hetuesve në 12 qershor 1983, vazhdoi gjatë, madje Feçori urdhëroi arrestimin e tim shoqi për të qenë pa telashe në lidhjen me mua.

Një tjetër dëshmitar, po nga Shkodra, ish-vartës i Feçor Shehut kur ishte kryetar i Degës së Brendshme aty, tregonte se e kishte parë në krevat me të bijën e të zotit të shtëpisë në zonën e Malësisë së Madhe, kur ishin ftuar prej tij për të darkuar.

“Viktima në fjalë sa ishte ndarë nga martesa e parë, kujtonte oficeri i Sigurimit, Ismail Pepaj dhe, falë ndikimit të Feçorit, pak muaj më pas u martua me titullarin e një ndërmarrjeje”.

Në vijim të dëshmive për abuzime me femrat, ish-ministri i Brendshëm akuzohet se ka përdorur mekanizmin e arrestimit për të shtënë në dorë vajza të ndryshme.

Rasti më flagrant është arrestimi i një vajze nga Tropoja në mesin e viteve ’70, i denoncuar më së fundi si veprim monstruoz i inskenuar nga njerëzit e Feçor Shehut.

Lidhur me këtë histori,  kreu i akuzës, Rrapi Mino, shprehej në proces se për arrestimin e Rukie Ramës, Feçor Shehu ka dezinformuar edhe Komitetin Qendror, duke e vlerësuar të drejtë dhe të mbështetur në prova të pakontestueshme, ndërkohë që ka qenë e kundërta”.

Po kështu, ish- ministri i Brendshëm është akuzuar edhe për prangosjen e Lindita Begës dhe disa grave të tjera nga Tirana, dënimi i të cilave ishte provuar si i kundërligjshëm dhe mbi motive të dyshimta.

30 maj 1983

Lirim Pëllumbi/I vit-lindjes 1943, ish kuadër i MPB-së (kryetar dege dhe zëvendësdrejtor i drejtorisë së Parë), i dënuar me 10 vjet burg, i burgosur në Spaç, dëshmonte në lidhje me përgatitjen e tezave të analizës vjetore të vitit 1974. Feçori e kishte marrë vete dhe kishte bërë raportin. Dëshmitari kishte qenë edhe përgjegjës i grupit të “komplotistëve” të ushtrisë. Po ashtu, ai ishte personi që kishte takuar Sami Muhametin (djali i tezes së Feçorit) sipas porosisë së dhënë nga Feçori. Samiu ishte takuar me Lirimin në kafe “Drini”. Aty i kishte thënë se do informonte rreth disa çështjeve që lidheshin me Feçor Shehun. Ky i fundit i kishte vlerësuar të dhënat dhe kishte kërkuar që ai të tërhiqej në bashkëpunim. Dëshmia e Lirimit është nga më të gjatat. Ai flet për stilin e punës së Feçorit, imoralitetin e tij, për një përdhunim që kishte kryer ndaj B. M. se Feçori ishte feminist…

12 qershor 1983

Atletja P. Th/ E vitlindjes 1937, bobinatore në UEM Durrës, tregonte se e kishte njohur Feçorin kur ishte delegate në konferencën e sportistëve në Tiranë më 1958, sepse i kishte qëlluar të rrinte afër tij në sallë.

Feçori i jepte karamele, fërkohej me krahun e tij tek dëshmitarja. Në fund, Feçori i kishte thënë ta çonte me makinën e vet deri në Shkodër, por dëshmitarja nuk kishte shkuar.

Kur Feçori kishte shkuar në Shkodër, e kishte kërkuar shpeshherë t’i vinte në zyrë, e ngacmonte rrugës, i fërkonte dorën etj.

Ngacmimi kishte vazhduar edhe në kohën kur dëshmitarja ishte martuar në Durrës.

Fiksimi i tij për të ishte rritur shumë. Burrin dëshmitares ia kishin arrestuar, se ishte kapur me letra pornografike në ndërmarrje.

Dëshmitarja kishte shkuar në Ministri, kur Feçori sapo ishte bërë zëvendësministër.

Ai e kishte pritur, e kishte puthur dhe i kishte thënë të vinte tek ai, sa herë kishte nevojë. Kur dëshmitarja ishte kthyer në Durrës, kishte gjetur burrin të liruar në shtëpi. Ne vitin 1967, dëshmitarja ishte grumbulluar për të shkuar me ekipin e atletikës jashtë vendit, por në fund merr vesh se emri i saj nuk ishte miratuar.

Duke qarë ka shkuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të takuar Feçorin, i cili ia kishte nxjerrë pasaportën për katër-pesë orë. Një rast tjetër dëshmitarja mbante mend që Feçori e kishte provokuar sërish në Durrës.

13 qershor 1983,

Ismail Pepaj/I vitlindjes 1923, punonjës i organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitet 1949-1967 në zonën e Bunës e Velipojës, dëshmonte në Hetuesi fillimisht për një të dhënë të bashkëpunëtorit “Blerimi” e me pas për Feçor Shehun si “prepotent, intrigant e imoral”. Ai pohonte se e kishte parë në krevat me të bijën e të zotit të shtëpisë në zonën e Shkodrës, ku ato po hanin darke. Vajza ishte ndarë nga martesa e parë, ndërsa pak muaj më vonë ishte martuar me titullarin e një ndërmarrjeje të zonës.

Rexhep Kolli/ Funksionar i lartë i Sigurimit të Shtetit, duke dëshmuar për rastin e arrestimit të Rukie Ramës, pohonte se për të u bë një proces i falsifikuar me gjithë ato poshtërsi. Sipas dëshmitarit, atë e kishte marrë në qafë një punëtor operativ. Rukien Kolli e vlerësonte një vajzë të emancipuar nga partia, me arsim të lartë, një vajzë që partia e kishte çuar komandante brigade në aksionin e rinisë, e kishte çuar përfaqësuese në Komitetin Qendror të Rinisë, e kishte çuar delegate në Kongresin e Gruas. U montua për të një proces i tillë, tregonte Rexhep Kolli, deri në atë masë saqë u thirr dëshmitar i rremë një bashkëpunëtor i Sigurimit, u sajuan ato pisllëqe, deri në atë masë sa poshtërsia arriti kulmin. Nga dokumentet rezultonte se   në çështjen e saj dilte Feçor Shehu, ky ishte kryesori, se ky kishte miratuar këtë lloj procesi. Pak a shumë kështu ndodhi edhe me Prendushe Dedën. Për çështjen e saj ka internime të pabazuara e poshtërsi të fëlliqura. Janë asgjësuar të gjitha aktet e ekspertimit, dy aktet bazë të laboratorit qendror.

“Rukie Rama u arrestua me urdhër të Feçor Shehut”

FEÇOR SHEHU: Eshtë shkruar në aktakuzë se janë bërë dokumente false për të arrestuar njerëz. Feçor Shehu nuk ka bërë asnjë dokument të tillë, përkundrazi kur ka zbuluar ndonjë rast të tillë, ka mbajtur qëndrim…
ARANIT ÇELA: Tashti kjo puna e…
FEÇOR SHEHU: Aktakuza sjell aty Rukie Ramën. Kam parë për këtë edhe vendimin e Gjykatës së Lartë. Lidhur me akuzat për këtë, le të përgjigjet Sulo Abazi, që ka qenë kryetar i Degës së Brendshme. Unë këtë Rukie Ramën nuk e njoh as si fytyrë, as si lokalitet nga është. Nuk kam pasur asnjë interes që të arrestohet ajo. Prandaj, në qoftë se janë bërë dokumente false, ato i ka bërë Sulo Abazi…
RRAPI MINO: Për këtë gjë janë kërkuar tri herë sqarime nga KQ dhe ti e ke dezinformuar…
FEÇOR SHEHU: Pra, unë duhet të përgjigjem kështu për falsifikimet që ka bërë Sulo Abazi me punëtorin operativ…
RRAPI MINO: Ti e di që për këtë keni dërguar tri ekipe…
FEÇOR SHEHU: Kemi dërguar Kapllan Sakon që ishte kryetar i degës për Krimet Kundër Shtetit, i cili ka raportuar dhe nuk është e vërtetë që ne kemi pasur sinjalizime, siç thotë Rexhep Kolli…
ARANIT ÇELA: Nga të dhënat që dalin këtu, ky Kapllani kudo që ka shkuar ka shuar zjarret.
FEÇOR SHEHU: Ai ka qenë për krime kundër shtetit…
NDIHMËSGJYQTARI: Në kohën kur diskutohej problemi i Rukies dhe kërkoheshin në materiale. Në prova thuhet aty, ti ke thënë që detyrimisht duhet që të digjet agjentura dhe sikur gjithë agjentura e Tropojës të digjet, të dalë dëshmitari në drejtim të saj…
FEÇOR SHEHU: Nuk është e vërtetë, thotë një njeri, unë nuk jam dakord me thënien e një njeriu..
RRAPI MINO: Po a e dini ju që ka pasur mendime të ndryshme për këtë? E dini ju që prokurori i Tropojës nuk ka pranuar të merrte pjesë në gjykim? Ai ka dëshmuar atëherë se po të merrte pjesë në gjyq, do ta nxirrte të pafajshme…
FEÇOR SHEHU: Unë di që edhe kur e ka parë Prokuroria e Përgjithshme, ka qenë dakord me vendimin e gjyqit…
ARANIT ÇELA: Nejse, kur është kthyer Kapllani e të ka raportuar për çështjen e Rukies që e kishit dërguar ju, të ka thënë se ka pasur probleme në arrestimin e saj…
FEÇOR SHEHU: Unë kam parë raportin që ka dhënë ai dhe e ka firmosur Kadri Hazbiu dhe nuk e kam parasysh se çfarë informacioni thotë atje, po di këtë gjë që arrestimi ka qenë i padrejtë…
ARANIT ÇELA: Keni ndonjë gjë tjetër…
RRAPI MINO: Ka pasur edhe raste të tjera kur Feçor Shehu ka urdhëruar në mënyra të ndryshme për arrestime të tilla, siç ka qenë rasti i Lindita Begës…
ARANIT ÇELA: Çfarë kishe tjetër për të shtuar, i pandehuri Feçor Shehu…
FEÇOR SHEHU: Në aktakuzë thuhet se unë kam hequr në vitin ’57-‘58 survejimin e Ambasadës jugosllave…
ARANIT ÇELA: Survejimin e ka pasur Ministria thua ti apo jo…
FEÇOR SHEHU: Jo vetëm survejimin, por edhe vetë përpunimin e ambasadave e ka pasur Ministria. Unë nuk kam gisht në këtë punën e ndërprerjes. Flitet në akuzë se kam shkelur kriteret në dërgimet jashtë shtetit. Kjo nuk është e vërtetë. Tani, kam edhe disa gjëra që unë i shikoj të drejta, të cilat kur isha i lirë nuk i kam kuptuar si duhet. Janë shkelje të ndryshme. Më kujtohet një rast, i nderuar kryetar, në vitin 1966, kur na thirri Kadri Hazbiu 4-5 kryetarë e na pyeti se ç‘po bënim për shkurtimin e organikave. Ishte aty edhe Rexhep Kolli me Mihallaq Ziçishtin. Në atë takim, unë bëra vërejtje për përmasat e thella që propozonte Mihallaq Ziçishti për të bërë shkurtime në organika.

“Thikat” që çuan në pranga Lindita Begën

Një ngjarje e papritur e ka nxjerrë jashtë të zakonshmes Tiranën e fundviteve ‘70. Mjaft nga makinat e diplomatëve të huaj u gjetën një mëngjes me goma të shpuara. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i Sigurimit të Shtetit ndaj ndodhisë tronditëse, ndërkohë që incidenti me makinat e diplomatëve është rezervuar për opinionin e gjerë. Vonë pas mesnate, njerëzit e prangave do të kryqëzonin protagonistët e dyshuar.

Njëherazi me raportin për ngjarjen, udhëheqja politike do të informohej edhe për suksesin e Policisë së fshehtë. Kjo histori disi e çuditshme është zbardhur fillimisht në romanin “Thikat”, të shkrimtarit Neshat Tozaj.

Por, si ka qenë e vërteta dhe përse në gjyqin ndaj Kadri Hazbiut ajo iu adresua Feçor Shehut, ish-ministrit të Brendshëm? Veprimi i çartur i një gruaje me probleme mendore do të bëhej objekt i një historie me agjentë e spiunë potencialë. Katër-pesë goma makine të shpuara me një thikë të zakonshme do të prodhonin një vepër të rrezikshme armiqësore. Gjithsesi, koha e kërkonte që të gjendeshin patjetër fajtorët. Madje, të gjendeshin edhe nëse nuk ishin.

Ato ditë-net në Tiranë pati hetime intensive dhe shumë të arrestuar. Pikërisht në këtë kohë është konsumuar edhe një debat, jo nga ata që ndodhnin shpesh, mes ministrit të Brendshëm, Feçor Shehut dhe njërit prej ekspertëve të kriminalistikës, Neshat Tozajt. Ky i fundit përpiloi një ekspertizë, sipas së cilës thika e përdorur nuk ishte një armë e ftohtë. Madje, sipas tij, këtu nuk kishim të bënim me një veprimtari armiqësore. Por ekspertiza e Tozajt u përplas me atë të bërë nga një njeri pranë ministrit Shehu. Pikërisht kjo bëhet shkak i përballjes së ekspertit-shkrimtar me ministrin. Për Tozajn nuk dihen pasojat, gjithsesi sistemi i asaj kohe i persekutoi ata që u cilësuan si autorë të ngjarjes.

Prokurori: Dosja e turpeve të Feçorit
“Dosja hetimore e Feçor Shehut është e tejngopur me rrugaçëri. Mjafton të përmend letrën që i drejton udhëheqjes një punonjës i Komitetit Qendror, në kohën kur Feçori ishte drejtor në Tiranë.

Ai denoncon se i ka çnderuar vajzën Feçor Shehu dhe djemtë e tij po përgatiten që ta vrasin. E di mirë, shprehet ai, se po ta vrasin, unë do të ngelem pa djem, se natyrisht ligji do t’i dënojë me vdekje edhe vajza do të më dalë e turpëruar.

Kështu, nga tre fëmijë, do mbetem pothuajse fare pa fëmijë. Kërkoj nga Komiteti Qendror, thotë, që të merren masa për Feçor Shehun ose të paktën të transferohet. Deri kaq arrin ky njeri kaq i ndershëm, d.m.th kërkon megjithëkëtë turp së paku të transferohet nga Tirana që të shpëtojë jeta e fëmijëve, e djemve të tij.”/panorama.com.al

LEXO EDHE: Ish-mjeku personal i Enver Hoxhës tregon gjendjen e rënduar pas infarktit: I ndryshoi zëri dhe mu duk sikur u përlot kur më tregoi…