Nga koncertet e Spanjës në Bienalen e Durrësit, violinisti Florian Vlashi tregon sekretet dhe mungesën e madhe

Violinisti durrsak, që punon dhe jeton prej afro tre dekadash në Coruna, krahas punës si instrumentist në Orkestrën Simfonike të Galicisë OSG, është bërë mjaft i njohur si themelues dhe drejtues i grupit muzikor “Siglo XX”, ndërsa nuk ka reshtur së interpretuari në koncerte, jo vetëm në Spanjë.

Violinisti Florian Vlashi ka përfunduar stinën koncertore të këtij sezoni në Spanjë, ndërsa përgatitet të fillojë edicionin e radhës së Bienales muzikore, që ai organizon çdo dy vjet në Durrës.

Artisti shqiptar tregon disa nga të veçantat e veprimtarisë që ka nisur në vitin 2003 në qytetin e tij të lindjes, duke nënvizuar mungesën e madhe të këtij viti, atë të babait të tij.

Floriani është “bir arti”, djali i dytë i Gjergj Vlashit, një nga personalitetet e rëndësishëm të regjisurës, përkthimit dhe letërsisë në Shqipëri.

Violinisti durrsak, që punon dhe jeton prej afro tre dekadash në Coruna, krahas punës si instrumentist në Orkestrën Sinfonike të Galicisë OSG, është bërë mjaft i njohur si themelues dhe drejtues i grupit muzikor “Siglo XX”, ndërsa nuk ka reshtur së interpretuari në koncerte, jo vetëm në Spanjë.

Florian Vlashi mbetet gjithashtu një nga dirigjentët dhe solistët që ka prezantuar nëpër botë veprat e më shumë se 20 kompozitorëve shqiptarë.

Koncertet e fundit në gadishullin Iberik, por edhe edicioni i 10-të i Bienales “Netët e Muzikës Klasike” NMK që do të zhvillohen në Durrës në fillim të muajit gusht, kanë një kuptim të veçantë për artistin 58-vjeçar.

Së bashku me kolegët Enrique Iglesias, violinë, Raymond Arteaga, violë dhe Raúl Mirás, violonçel, solisti shqiptar interpretoi në Ciudad de Cultura de Galicia vepra nga Carlos López Garcia Picos, Octavio Vazquez, Paulino Pereiro dhe Juan Durán.

Ana Isabel Vazquez Reboredo, Drejtoresha e Përgjithshme e Fundación Cidade da Cultura de Galicia duke komentuar koncertin shkruajti se “…ishte një interpretim i mrekullueshëm i krijimeve të artistëve bashkëkohorë galicianë. Muzika përmbyti tërësisht muzeun dhe koha kaloi pa kuptuar, ndërsa fluturonim të mbështjellë me tingujt e harqeve të Florianit, Enrique, Raymond dhe Raúl. Një moment magjik.” – shkroi znj Rebodero, ndërsa 10 media i bënë jehonë koncertit të mbështetur në krijimet e autorëve nga Galicia.

Florian Vlashi pas koncertit tha:“Një ëndërr e hershme e imja të luaja në zemër të Qytetit të Kulturës të Galicisë. Kisha kohë që e prisnja një ftesë të tillë dhe, kur erdhi, u ndjeva i lumtur jo vetëm si muzikant apo si shqiptar, por edhe për një arsye tjetër. Kur e vizitova para disa vitesh me tim atë më kujtohet që më tha se me siguri edhe ti do të luash këtu një ditë”

Galicia en 8 curedas (Galicia në 8 tela) e emërtoi Floriani koncertin e fundqershorit në Pontevedra, ku bashkë me violonçelisten Ruslana Prokopenko, paraqitën veprat e autorëve Federico Mosquera, Eugenia Osterberger, Juan Durán, Wladimir Rosinskij dhe Octavio Vazquez.

“Koncert i jashtëzakonshëm dje nga keto dy artistë të mëdhenj. Publiku degjoi me kujdes, në heshtje, thuajse i hipnotizuar.  Ishte një eksperiencë mahnitëse – shkruajti më pas José Rafael Alfaya, Presidenti i Ciklit të koncerteve, Barcia de Mera.

Florian Vlashi për Bienalen 2021 Durrës, Edicioni jubilar:

 -Çfarë ka ndryshuar me Bienalen nga edicioni i vitit 2003?

Në edicionin e parë të Bienales 2003 koncertet u zhvilluan në tre vënde: në Muzeun Arkeologjik, në Teatrin “Aleksandër Moisiu” dhe në fabrikën e braktisur të Nerofumos në Shkozet. Gjatë viteve janë shtuar koncerte, janë përfshirë vende të tjera koncertesh – që nga Amfiteatri e deri tek spitalet, jetimore dhe burgje –  dhe, që nga viti 2007 zhvillojmë konkursin e Talenteve të Rinj.

Kanë kaluar 18 vite dhe ato tre Netët e para, me muzikë ndërmjet antikitetit, fjalës dhe pikturës, kanë qenë korrespondenca sekrete e gjithë koncerteve tona deri tani. Ky fuzion i arteve është firma e fshehtë e Bienales.

Titulli i Bienales se X është “Në kopshtet sekrete të Muzikës dhe Pikturës”.

Në këtë edicion ka një ndryshim thelbësor: është nje mungesë…Për herë të parë që nga krijimi i Bienales, madje që nga koncerti im i parë në Durrës, në sallë do mungojë im atë. Vendi i tij në llozhën e majtë të teatrit, aty ku ndoqi koncertin e fundit pak ditë para se të ndahej nga ne, do të jetë bosh, Por ai në një formë tjetër, do të jetë i prenishëm në festival më shumë se kurrë, që nga Stabat Mater e Pergolesi-t, në kuartetet e fundit të Beethoven-it, në muzikën spanjolle për violinë e deri tek Suitat e Bach-ut për violonçel solo. Të gjitha këto vepra do të vibrojnë në sallën e teatrit që ai krijoi dhe i dedikoi jetën. Dhe muret e teatrit kanë memorie.

-Një artist që heq dorë nga pushimet dhe çdo dy vjet ia kushton ato kulturës së Durrësit, a ka një thirrje për vendlindjen?

Sigurisht që ka një thirrje, një thirrje të fortë, të përhershme, të padukshme. Të pashpjegueshme. Thirrja e vendlindjes është si dashuria, nëse e din arsyen pse dashuron atëherë nuk është dashuri. Unë e dua Durrësin edhe nëse kjo dashuri mund të më bëjë dëm, siç thotë Quevedo.

Por, duke mos dashur të bie në sentimentalizëm banal, po ju them se artistët janë njerëz shumë të ndjeshëm dhe është detyrim i politikës së një vendi që thirrja e vendlindjes mos të kthehet si “kënga e sirenave” tek Odisea./shqiptarja.com

LEXO EDHE: Mbahet Festivali i kitarës në Elbasan, të ftuar kitaristët më virtuoz të kitarës klasike