Lenggries, 27. 8. 81
I dashtuni Atë Danjel, megjithëse kaloi fort gjatë pa ndigjue për njeni tjetrit (n), sigurisht s’jemi harrue! Dhe s’kemi se si të harrohemi. Petraqi me të cilin në kohët e fundit kam mbajtë gjithnji kontakte edhe për punë të korrekturave të shtypajve të librave më ka dhanë lajme se je mirë me shëndet e punë. Së fundi më dha adresën tande në telefon. Padër, si je? A e di se përpara rrumbullak 33 vjetësh jemi ndeshë për të parën herë në Valbonë? Më duket si me pasë qenë në nji tjetër jetë. Shpresoj se do të më shkruesh gjanë e gjatë tue më kallëzue si i ke punët. Tash po të tregoj për vete, ma tepër për punë, mbasi kështu po kalon jeta. Kemi zanë vend nja 50 km larg Münchenit, në hymje të alpeve; ndërtova nji shpi ma tepër për të strehue librat se u shumuen aq sa askush s’jepte me qefë banesë mbasi thonë se librat janë të randë për katet e epra. Ka edhe asish këtu që i shikojnë punët tepër hollë. Shkoj e vi për München kur kam mësim ose tri herë në javë, në çdo stinë.
Kam pasë shum të çame kreje edhe në çashtje të kathedrës së albanologjisë, mbasi ishte ad personam e unë dosha kontinuitetin. Ka njerëz që kam pregatitë me vjet dhe janë në gjendje me ba punë të mëdha. Tash për tash ashtë sigurue ekzistenca, por ligjët dhe sistemet universitare janë tue ndërrue dita ditës: gjithkund kursime prej kah rrjedh mandej edhe prioriteti i dishiplinave (Fächer). Albanologjia, thonë këta edhe ndër sy, e mbramja birë e kavallit. Po, disesi shpresoj se ndreqet puna përndryshej pa sigurinë e kontinuitetit jam i paralizuem e nuk mund të zhvillohen programe afatgjata. Këto janë vështirësitë që më kanë lodhë ma tepër se puna në vetvete.
Për nji kohë nuk kam qenë mirë as me shëndet: kisha nji aritmi të fortë dhe më kapi pak friga. Me të thanë të drejtën (mes nesh) kjo më qiti ndërmend me i mbledhë të gjitha dorëshkrimet letrare e me i vu për fije, me mend se nji ditë mund të kërkohen prej ndokuj dhe mos të humbin. Kjo punë para 5 vjetësh. Ndërkaq kisha mbledhë landë të madhe edhe rreth “standa(r)dizimit të gjuhës”, këndej doli edhe ideja, bile bindja, se tradita letrare e Veriut nuk asht aq e keqe sa mos të lavrohet dikund: kisha marrë mësim edhe prej historisë së gjuhës të teksteve të vjetra prej Buzukut e këndej (mbë këtë pikë ma poshtë!), se ndihmesa kryesore asht me botue edhe nëse njeriu nuk asht i bindun qind për qind në vlerën e shkrimeve të veta. Edhe nji rrethanë tjetër më dha zemër me ia hy botimit të një pjese të shkrimeve letrare: Erika si mjeke kishte kursye pak të holla me mend me krijue nji nisjativë private ose me financue disa zgjanime në shpi dhe për takamisje. Kështu qe rasti me i lanë mbasdore krejt këto plane dhe u vendos me botue të pesë vëllimet letrare. Pos punës shkencore e mësimit më doli tash edhe redaktimi e rendimi i këtyne veprave. Kjo zgjati ma se pesë vjet, sistematikisht së paku deri 5 orë në ditë. Ndërkaq, në vend që me vojtë ma keq me shëndet, u përmirësova fare dhe tash jam në rregull! Duhet ta njoh se Erika më ka përkrahë gjithsesi në këtë punë, ndonëse ajo s’di aq shqip sa me marrë vesh se çka përmbajnë këto vepra. Prej disa përkthimeve “roh Uebersetzung” tash kupton ngapak edhe përmbajtjen…
Me përzemërsi Martini