Nga malli për prindërit tek eksperienca si prind i një fëmije me autizëm… rrëfim prekës nga Edmond Tupja

Edmond Tupja, profesori “i pazakontë” i jetës shqiptare, në podcast-in e Mira Kazhanit shfaqet i ndjeshëm, me ca vite më shumë, me një beretë dhe fjalët e duhura për jetën.

Ti që kujton se je i pavdekshëm, ti që ke një fëmijë me autizëm dhe ndihesh i lodhur shpirtërisht, ti që mendon se po kalon një fazë delikate, dëgjo podcastin e profesor Tupjës dhe do bindesh që jemi veç grimca rëre në këtë botë. Ndërsa jeta, siç thotë Edmond Tupja nuk është e bukur, por është jetë.

-Në këtë episod të podcast kam ftuar Edmond Tupjën. Profesor Tupja, nuk e keni idenë sa shumë më kanë shkruar për ju që të bëj një podcast. Vetëm gra dhe vajza. Për be, asnjë burrë. Merre si kompliment.

Edmond Tupja: Për mua është një ngjarje kjo. Event siç thuhet sot. E the kaq bukur sa që u ndjeva mirë. Shpresoj që edhe vazhdimi i emisionit të jetë të paktën në këtë nivel.

-Pse mendoni ju se ju duan njerëzit?

Edmond Tupja: Nuk e di. Për këtë iu detyrohem prindërve të mi. Më kanë mësuar me edukatë dhe respektin për tjetrin. Më futën në shpirt idenë e empatisë. Term psikologjie, por që unë e shqipëroj me dhembshuri për tjetrin. Të dhemb diçka për tjetrin. Im atë ishte arsimtar, shumë llafazan, në kuptimin e mirë të fjalës. Dhe unë kështu jam. Kam qenë disa vjet në Gramsh arsimtar që më bëri mirë dhe pedagog në universitet. Komunikimi është shpëtimi, se ndryshe do vuajmë, do jemi të izoluar. Do jemi në një kambanë qelqi, në rastin më të mirë, që të shohim të paktën. Komunikimi e shpëton njeriun.

-Edhe dashuria

Edmond Tupja: Dashuria është baza. Dhembshuria, përtej dashurisë.

-Nuk besoj që është vetëm fakti i edukatës dhe dhembshurisë. Ju jeni njeri i jetës publike që zotëroni mirë fjalën. E përdorni dhe mirë.

-Edmond Tupja: Më vjen vetvetiu. Diku i kam ngjarë babait, për nga talenti i të shkruarit dhe të folurit. Im atë s`kishte vullnet. Atë vullnet që s`ma dha im atë, ma dha nëna. Kishte një vullnet ajo grua, ajo zonjë, të hekurt. Ishte e rreptë, por e drejtë. Ky është përkufizimi që unë i bëj nënës time.

-Të mungojnë prindërit?

Edmond Tupja: Doni të thoni a më ka marrë malli? Ah, më ka marrë… I kam fotografitë e tyre dhe shpesh them: O ma, o ba, më ka marrë malli, por ju e dini s`vij dot atje ku jeni.

-Ku mendon se janë?

-Edmond Tupja: Janë në tokën mëmë.

-A keni frikë nga vdekja ju profesor Tupja?

Edmond Tupja: Jo. Unë kam frikë nga vuajtja. Kur një njeri më thotë që më vdiq babai, mamaja, nuk e pyes sa vjeç ishte, i them: A vuajti. Dhe kur më thotë Jo, marrë frymë i lehtësuar sikur të isha unë ai i vdekuri. Kjo është ideja. Kuptoje tjetrin. Përpiqu ta kuptosh. Mira Konçi ka një këngë “Ç`është dashuria”. Midis mirësisë dhe dashurisë, unë do zgjidhja mirësinë. Se dhe të këqijtë dashurojnë. Aq sa edhe të vrasin. Të duan aq shumë sa të vrasin. Kurse mirësia…

-Mirësinë nuk mund ta kenë të gjithë.

Edmond Tupja: Jemi kokrriza rëre në gjithësi. Pavdekësinë askush nuk e ka provuar, dëshmuar. Vajti një njeri në parajsë ose në ferr dhe erdhi na tha? Të mos hyjmë në këto konsiderata se…

-Flasim për jetën. Si ka qenë jeta juaj nëse do bënit një sintezë të saj?

Edmond Tupja: E dallgëzuar ka qenë. Në fillim eci mirë. Isha një fëmijë i ndrojtur, por i gëzuar. Pastaj pata fatin të shkoj për studime në Francë. I mbarova. Aty falënderova prindërit se më kishin dhënë elemente të edukatës që unë i rigjeta atje.

-Për shembull?

Edmond Tupja: Për shembull, kur hyn në një dyqan dhe dera është e lëvizshme, mbaje derën derisa tjetri të vendosë dorën, jo t`ia lëshosh surratit tjetrit. Ime më e vlerësonte punën e edukatës. Në një takim që pata kohët e fundit këtu, më kishte ftuar Berisha për arsimin. Jo vetëm mua, plot pedagogë, specialist në të ardhmen si do jemi kur të vijë në pushtet, sipas tij. Unë i thashë: Në Francë, Ministria e Arsimit, quhet Ministria e Edukimit Kombëtar. Edukimi përpara. Ne kemi nevojë për edukatë. Këtu fillon gjithçka. Këtë ia kam shkruar ministres aktuale të Arsimit e kujt s`ia kam thënë. Duhet që rëndësia më e madhe të jepet që në çerdhe. Që të mos ulërijë edukatorja: Hë moj ti sille atë atje (imiton). Është traumë për fëmijët. Kur ka festa, gëzime, daullet bam bum e kambanat bau buu, janë trauma për fëmijët e vegjël. Ishte një ditë Bajrami, 10 vjet përpara, një malësor kishte fëmijën e vogël me vete. I binte daulles. Unë gënjeva, por për të mirën e të vërtetës: Shiko unë jam mjek. Po vazhdove ta mbash kështu këtë, do ta shurdhosh, i thashë. Kjo ishte një gënjeshtër në shërbim të së mirës.

-Gënjeshtër e bardhë

Edmond Tupja: Pse pak na trembnin ne me përrallat prindërit? Polici është bërë legjendar. Do i them xhaxhi policit. Puna është jo te frika dhe te dhuna, por të gjesh një mënyrë tjetër.

-Të thashë në fillim profesor që më kanë shkruar shumë vajza. Disa ishin studente. Njëra prej tyre të kishte takuar në një tip leksioni dhe kishte shumë dëshirë të ndiqte një bisedë përmes këtij podcasti. Po mes shumë mesazhesh për ju, unë dua që të citoj njërin. Ishte një nënë. Nuk jetonte në Shqipëri. Ndoshta në Austri. Kishte një fëmijë me autizëm dhe më thoshte që të premten, kur kishte terapi, ndërsa priste fëmijën të dilte, dëgjonte podcastet. Në fund të mesazhit më kërkonte me ngulm që unë të ftoja Edmond Tupjën. E kishte lexuar librin tuaj, por kishte prapë dëshirë që të dëgjonte prej jush këshilla për një prind që rrit një fëmijë me autizëm. Duhet të jetë shumë e vështirë. E marr me mend.

Edmond Tupja: Shumë e vështirë është të japësh këshilla. Po unë do thoja, gjëja e parë, kur e merr vesh që është ashtu, duhet të thuash: Autizmi ka goditur tim bir, ose time bijë. Është fëmija im, e kam sjellë unë. A e dini që ka nëna që janë shtatzënë dhe shkojnë bëjnë një eko. Mjeku thotë mbas muajit të tretë a të katërt, fëmija është mirë por është me Sindromën Down, e cila ka këto, këto, këto probleme. Ju doni që t`ua heqim fëmijën apo doni ta mbani? Zgjidhni ju. Është fëmija juaj.

-Po të ishit mjek çfarë do i sugjeronit?

Edmond Tupja: Autizmi nuk zbulohet.

-Nëse do zbulohej…

Edmond Tupja: Është vendimi i saj. Nuk sugjeroj.

-Vetë çfarë do kishit bërë?

Edmond Tupja: Nuk e di. S`është rasti. Është inskenim.

-Pse janë shtuar rastet dhe çfarë është ky autizmi?

Edmond Tupja: Ka ekzistuar gjithmonë, po nuk dihej. Autizmi, Sindroma Down, të gjitha futeshin tek grupi i të prapambeturve mendorë. Ata duan trajtim të veçantë. Veç ata me autizëm, veç ata me Sindromën Down. Problemi me ata që kanë autizëm është se kanë mundësi, por nuk duan të përshtaten. Ata që kanë Sindromën Down nuk kanë mundësi, por duan. Ata bëjnë një përpjekje. Këto lidhen me shumë faktorë. Ca kohë ia vunë fajin vaksinave. Vaksinat shpëtojnë me mijëra fëmijë, por nganjëherë qëllon që…

-Ju ia vini fajin një vaksine për shembull?

Edmond Tupja: Unë di këtë, për të qenë objektiv, që kur bëri një vaksinë të dytë, iu theksua jashtëzakonisht. Se ai fliste, luante me të rriturit, por jo me fëmijë të moshës vet, ishte indiferent. Në sy të shihte në përgjithësi, por kishte gjëra tipike të autikut, për shembull tundej. Si tigri që shkon e vjen brenda kafazit, se është antistres, kur ti bën një gjë dhe e përsërit. Është si dehja. Pi një gotë… Ka fëmijë që fillojnë flasin vonë, por s`do të thotë që është autizëm. Ka fëmijë që ndonëse janë me autizëm, janë shumë të zhvilluar. Janë me Asperger.

-Si Greta Thunberg

Edmond Tupja: NASA në Amerikë para 2-3 vjetësh kishte të punësuar 6 mijë fëmijë autikë me Sindromën e Asperger.

-Ata kanë një lloj gjeniu brenda?

Edmond Tupja: Po. Një lloj gjeniu.

-Nuk i dihet asnjëherë.

Edmond Tupja: Këtu ka shumë që janë me autizëm, por ta merr kompjuterin dhe e rraskapit kompjuterin, tabletin. Këta duhet t`i duash, t`u japësh dashuri. Do bëhesh aktor. Çifti nganjëherë, sidomos kur ka probleme të tilla me fëmijën, ka një moment, kur burrat sidomos nuk mbajnë, por edhe gratë janë të lodhura, duhet të bëhen aktorë. Pra edhe kur urrehen në atë çast, të thonë: Ah sa do të doja të jepja një shuplakë (improvizon me zë të butë). Jo, Shko bjere njëçik atë, ku e kam vënë makinën e mishit, por: I dashur, shko merre atë që më hëngre shpirtin tërë javën, se ku e ke vënë dhe unë s`e gjej dot.

-Po është e vështirë kjo

Edmond Tupja: Është e vështirë, por duhet për të mirën e fëmijës.

-Çfarë është për një prind të ketë një fëmijë me autizëm?

Edmond Tupja: Do kthehem tek mitologjia. Zeusi vuri re që një nga ata perëndi a gjysmë perëndi kishte bërë një pisllëk. E kishte mbyllur vdekjen dhe nuk vdisnin më njerëzit. Zoti tha: Njerëzit janë të vdekshëm. E mori këtë Sizifin edhe e dënoi. Një shkëmb, një gur të madh do ta ngjitësh të maja e malit edhe kur të arrish ta ngecësh aty, ke shpëtuar. Ai e shtynte gurin deri afër majës, pastaj s`kishte më fuqi, binte. Edhe ky muhabet. Nuk e fali. Një shkrimtar francez Albert Camus (Kamy), filozof, dramaturg mendimtar, shkroi një libër që quhet “Miti i Sizifit”, përkthyer nga një miku im, i ri, por me talent. Vdiq fatkeqësisht. Ai ka një frazë shumë të bukur. Flet për fatin e njeriut. Si është puna e njeriut? Jeton, shijon jetën, bën të mira dhe vjen një moment do vdesësh. Atëherë pse jetova unë? Pse më sollën në këtë botë që të vdes? Ai ka filozofinë e tij, ekzistencializmin. Duhet imagjinuar Sizifi i lumtur me atë punë që bën. Skllevërit…

-Imagjinata e shpëton njeriun.

Edmond Tupja: Jepi një kuptim asaj që bën ti. Edhe tek diçka e keqe, ti mund të dominosh, të mbizotërosh. Edhe kur je keq, ka edhe më keq. E keqja s`ka fund. Kështu që ka edhe më keq. Jeta për mua, ateist shumë tolerant, askush nuk ka ardhur të na thotë që është mirë lart dhe keq poshtë. Ferri dhe parajsa. Jeta të jepet vetëm një herë. Këtë jua them të gjithëve atyre që më dëgjojnë, zonjave, zonjushave, zotërinjve, nënave që vuajnë, por edhe nënave në përgjithësi: I duhet dhënë kuptim çdo gjëje. Jeta nuk është e bukur, por është jetë. Një mikut tim, i ati me goxha pozitë, i doli tradhtar dhe e internuan atë djalë. Unë e kisha harruar, por kur ra diktatura dhe doli, më tha: O Mond të kam kujtuar. Më ke thënë një gjë për vetëvrasjen. Kur më shkonte mendja për vetëvrasje atje në internim, më kujtoheshe ti që më the një ditë ‘Unë jam kundër vetëvrasjes, sepse nuk e ke zgjedhur ti jetën, që do t`i thuash lamtumirë. Të ka zgjedhur ajo ty. Të ka zgjedhur jeta ty. Na zgjedh jeta ne. Është e çmuar jeta. Kështu mbijetuan miliona të internuar, sidomos hebrenjtë nëpër kampet e shfarosjes masive. Kështu kanë mbijetuar popuj të tërë. Jeta është një dhuratë. Për juve është perëndia që jua ka dhënë. Beson? Je mirë? Kur je mirë ti, jam edhe unë. Për mua, ma ka dhënë natyra, prindërit. Prindërit kanë qenë produkt i natyrës.

-Logjikë shumë e bukur dhe mesazh shumë i mirë për ata që e dëgjojnë këtë podcast. Meqë ra fjala dhe të kam këtu, si njeriun që e njeh mirë shkencën e fjalës, podcast në shqip si mund ta themi? Duhet ta themi?

Edmond Tupja: Unë kam përkthyer një libër ku doli fjala podcast. Thashë ç`është kjo?! U futa në internet. Rroftë interneti! Është një ndihmë e jashtëzakonshme për të gjithë ata që duan të mësojnë, qoftë të mirat e qoftë të këqijat…

-Edhe në jetë, edhe të keqen, edhe të mirën e mëson…

Edmond Tupja: Mesa kuptova nga anglishtja, pastaj e pashë edhe në frëngjisht, aty u sigurova, është radio nëpërmjet internetit. Është kjo?

-E vërtetë!

Edmond Tupja: Uhh, u lehtësova! Faleminderit! (qesh)

-Cila është fjala juaj e preferuar?

Edmond Tupja: Kurth femëror! Çdo zgjedhje e dashur Mira, Erë Mira, ke dhe mirësinë brenda, ke edhe parfumin tek emri yt. Jam i pari që ta kam thënë apo i dyti? Yt shoq ta ka thënë i pari?

-Jo, ma ka thënë mami. Kur isha e vogël më këndonte një këngë me gjithë aromat e luleve, se e lidhte me emrin tim. Kështu që pas mamit jeni ju. Po asnjë djalë nuk ma ka thënë.

Edmond Tupja: Nuk e dinë ç`kanë humbur! Ka shumë fjalë. Është fjala nënë, është fjala baba. Ka plot fjalë. Ky është kurth në kuptimin e mirë të fjalës. Për ta ilustruar për të rinjtë, një djalë ecën rrugës dhe sheh katër vajza. Njëra më e bukur se tjetra. Ndjen që i lëvrin diçka, jo thjesht fizike, por edhe shpirtërore. Janë të gjitha të mira. Kë të zgjedhë?

-Mami do thoja unë, pastaj të gjitha të tjerat. Të gjitha vijnë pas nënës.

Edmond Tupja: Bravo! Ishe në një gjatësi vale për një çast me trurin tim. “Mami”, vajza e vogël u zgjua tek ty, ajo vajza e vogël që e çonte mami në kopsht. Pastaj e korrigjove, doli intelektualja, “nëna”.

-Sa vjeç jeni profesor? E thoni moshën?

Edmond Tupja: Femrat nuk pyeten, por unë jam mashkull kështu që…

-Ndaj ju pyeta.

Edmond Tupja: Do përgjigjem me një varg të Bodler. Jam aq i vjetër, kam aq kujtime, sa s`do t`i kishte pasur as një njëmijë vjeçar. Dhe unë jam i vjetër. Jam i lashtë, por jo i leshtë. Kam hyrë për 76.

-Të rrosh 100 vjet!

Edmond Tupja: Jo 100, 99. Se s`kam qenë kurrë i të 99-tave.

-Shumë e bukur! E kemi mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme. Faleminderit shumë profesor Tupja.

Edmond Tupja: Faleminderit juve që ma dhatë këtë mundësi të ndjehem sot gati në re./tiranapost

ObserverKult


Edmon Tupja biri im oh një grua

Lexo edhe:

EDMOND TUPJA RRËQETH ME RRËFIMIN E TIJ: “DJALI S’DO JETOJ KUR TË IKIM NE, KA KATËR VJET PA DALË NGA SHTËPIA”

Nga: Ben Blushi

Mond Tupen e shof çdo mëngjes te rruga e shtëpisë sime. Pi kafe.
Ç’bën gjithë ditën, i thashë
Dal pak, punoj, bëj pazaret dhe pastaj me djalin
Dukesh mirë, i thashë, sa kile je?
Jam dy nën peshë, tha Tupja,

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult