Nga një raport i Degës së Hetuesisë në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit, i datës së 11 dhjetorit 1957, hartuar dhe firmosur nga kryetari i kësaj dege, në këtë kohë, Nevzat Haznedari, mësohen detaje mjaft të vlefshme zyrtare mbi kushtet e dhomave të izolimit, ku mbaheshin të arrestuarit gjatë periudhës së hetuesisë, deri në këtë periudhe, pra 1957, gjithçka ishte ferr.
Kjo pjesë e raportit, që flet për dhomat e izolimit, zbulon se deri në këtë kohë që bëhej raporti, ato ishin identik siç i përshkruajnë shumë të mbijetuar që i përjetuan torturat në ato biruca. Ato ishin ishin të ngushta, të errëta pa asnjë dritare, me lagështirë në dysheme dhe pa ajrim.
Po ashtu në ato biruca, veç vuajtjeve fizike, të arrestuarit vuanin presionin psikologjik prej spiunëve që ju futeshin në qeli me qëllim që t’u merrnin informacion. Kjo pjesë e dokumentit tregon edhe mënyrën se si përgjoheshin të arrestuarit nëpër biruca. Raporti zbulon se nga viti 1957 ishte marrë përsipër të përmirësoheshin kushtet nëpër qeli.
Më poshtë teksti i plotë mbi dhomat e izolimit dhe përgjimi në to, shkëputur nga ky raport i Degës së Hetuesisë në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit.
Mbi gjendjen e dhomave të paraburgimit të hetuesisë së Sigurimit të Shtetit:
Konditat në të cilat të burgosurit mbahen të izoluar, gjatë zhvillimit të hetuesisë, duke e krahasuar me të kaluarën ka përmirësime të mbëdha në të gjitha drejtimet, sidomos, përmirësime të dukëshme janë bërë në dhomat e paraburgimit ku mbahen të izoluar të paraburgosurit në qendër.
Këtu përveç zgjerimit të dhomave, është bërë shtruarja e tyre me dysheme është vendosur ajrosja e tyre dhe janë siguruar tesha fjetjeje të mjaftueshme për të gjithë ata të paraburgosur që nuk mund t’i sigurojnë vetë ose familjet e tyre.
Nuk është siguruar, në të gjitha rastet, nxjerrja e të paraburgosurve në pushim dhe ajër të pastër gjysmë ore në ditë dhe kjo deri më sot për mungesë të konditave.
Ndërsa ndër qarqe e rrethe, me gjithse është punuar për përmirësimin e dhomave të paraburgimit duke i shtruar me dysheme, prapë, në përgjithësi, në këto vende akoma dhomat e paraburgimit nuk janë në gjendje të përshtatëshme për t’u mbajtur persona në izolim ka dhoma që janë akoma të shtruara me çimento me lagështirë dhe, në disa raste edhe pa dritare.
Në lidhje me këtë, është e nevojëshme të merret kjo masë:
Nga një komision i formuar nga shokë të Prokurorisë së Përgjithëshme, të Degës së VII-të nga një Doktor dhe inxhinjer, të kontrollohen në të gjithë Republikën dhomat ku mbahen të paraburgosurit dhe, në përfundim të nxirren jashtë përdorimit ato që janë të papërshtatëshme dhe të projektohen për përmirësimin e dhomave të papërshtatëshme.
Mbi përpunimin e të paraburgosurve me agjenturë në dhomat e izolimit:
Në përgjithësi, veçanërisht ata që kanë paraqitur interes, janë përpunuar me agjenturë në dhomat e paraburgimit, në raste më të rëndësishme është vendosur edhe përgjimi operativ.
Nga një veprim i tillë ka patur rezultate të dukëshme por, lidhur me këtë, janë konstatuar gabime që kanë shkaktuar dekonsperimin e agjenturës para të burgosurve të tjerë në burg, ose pranë rojeve të burgut.
Me qëllim që të evitohen gabime të tilla, janë duke u marrë këto masa:
1) Është në përfundim instruksioni mbi organizimin e përpunimit të të paraburgosurve në dhomat e paraburgimit.
2) Është duke u studjuar çështja e zgjedhjes dhe e rekrutimit të agjenturës së re, për ta patur të gatëshme në të gjitha rastet që do të paraqiten, simbas karakterit të çështjes dhe rëndësisë së saj./Kujto.al
Burimi, AMB, Fondi i Hetuesisë, viti 1957, dosja 27
Lexo edhe:
KUR ENVER HOXHA DETYROI RRETH 100 SHQIPTARË TË NDAHEN ME GRATË E TYRE RUSE
ObserverKult