Nga Osman Mula, Alfons Balliçi te Gjergj Leka, artistët shqiptarë që imitonin Elvis Presley-n

elvis presley

Kanë kaluar 45 vite nga dita kur Mbreti i Rock & Rollit, Elvis Presly, ndërroi jetë. E gjithë bota e kujton sot në këtë përvjetor legjendën e muzikës. Po në Shqipëri? Si e rikthejnë kohën kompozitori dhe regjisori i njohur Osman Mula, si dhe kantautori famshëm Gjergji Leka, i konsideruar Elvisi shqiptar për kohën?

Pak histori nga jeta e tij

Elvis Aaron Presley lindi më 8 janar 1935 në Tupelo, Mississippi, duke jetuar më shumë se binjakja e tij Jessie Garon, e cila vdiq kur ai lindi. Me origjinë skoceze cigane nga ana atërore dhe hebre nga e nënës, ai pati një fëmijëri të varfër për shkak të kushteve ekonomike të familjes. Ai ishte një këngëtar, aktor, muzikant dhe balerin amerikan, një nga më të famshmit në histori, një burim frymëzimi për shumë muzikantë.

Aktiviteti i tij muzikor në harkun të njëzet viteve karrierë ka qenë i shumanshëm duke variuar nga rock and roll-i, edhe në zhanret e ritmit, bluzit, country, western, gospel, spiritual, tradicional, melodik dhe pop-it, duke u shndërruar në një ikonë. Interpretues i rock and roll-it fitoi titullin Mbreti i Rock and Roll-it.

Prania e tij skenike dhe lëvizjet, me të cilat ai shoqëroi performancat e tij kanë ushtruar ndikim të konsiderueshëm në kulturën amerikane dhe ndërkombëtare. Përveç gjashtë koncerteve të realizuara në Kanada në fund të viteve 1950, ai kurrë nuk performoi jashtë Shteteve të Bashkuara. Në Britaninë e Madhe, Presley regjistroi 21 këngë në krye të listave të shitjeve, me rekorde të pabesueshme:

Me qëndrime 80-javore në vendin e parë në Hit Parade deri në 1277 javë, me qëndrime afatgjatë në Top 10 nga nëntori 1958 deri në korrik 1964. Në karrierën e tij njëzetekatërvjeçare ai ka realizuar 61 albume, duke shitur mbi një miliard disqe në mbarë botën dhe duke vendosur rekordin për rekordet e shitura nga një këngëtar i vetëm.

Lajmi për vdekje e tij u përhap menjëherë dhe në më pak se një orë, një mijë njerëz ishin mbledhur para portës së Graceland; një orë më vonë numri i tyre ishte tre mijë. Pasdite arriti dhe e kaloi shifrën e njëzet mijë. Në mbrëmjen e vonë u arritën dhe u tejkaluan tetëdhjetë mijë.

Nga e gjithë bota, sasi të mëdha porosish patën luleshitësit e Memphisit, të cilët u ngarkuan të bënin mijëra jastëkë lulesh në formë kitarash, duke iu referuar instrumentit që e kishte shoqëruar këngëtarin gjatë gjithë karrierës së tij.

Dy fluturime speciale u organizuan për të transportuar pesë ton lule nga Kalifornia dhe Kolorado. Graceland, pasuria madhështore e blerë nga këngëtari në vitin 1957, është bërë një muze i hapur për publikun që nga viti 1982, duke u kthyer në një destinacion i pelegrinazhit të vazhdueshëm të fansave të tij të panumërt. Pas Shtëpisë së Bardhë, Graceland është shtëpia e dytë më e vizituar në SHBA, me një mesatare prej mbi 10,000 vizitorësh në javë.

OSMAN MULA: “UNË E KAM IMITUAR ME SAKS DUKE KËRCYER NË SKENË ELVIS PRESLIN”

U takuam të flisnim për Elvis Preslin, por biseda me Osman Mulën, regjisorin, kompozitorin e njohur, nuk mundet të mos zgjojë nostalgji, kujtime, emocione, që përcjellin artistë të atij brezi. Pastaj pasioni për pikturën, kur të tregon mjaft vepra në vaj të realizuar prej tij. Pastaj Presley, Sinatra, Xhons, Fiztzgeral:

“Sa vështirë ta imitonim, ishte e pamundur, por edhe e ndaluar”, thotë, Mula që të befason për rininë, mentalitetin që e shoqëron edhe pse vitet kalojnë.

Osman Mula

Mula, Elvis Presli, dy fjalë për këtë kolos të muzikës

Elvis Presli është një ndër përfaqësuesit e mrekullueshëm të muzikës amerikane, nisur edhe nga mjaft rryma që ai ka kënduar, një artist këngëtar, ikonë që në moshën 17-18- vjeçare arriti të shpërthejë, kur vetë ai e kishte të vështirë të përcaktonte se në çfarë rryme muzikore do të spikaste. Do të kalojnë edhe 50 vite të tjera, ai do të veçohet për disa veçori të Elvisit brenda Preslit.

Cilat janë?

Vokalin së pari lidhur me kishën aty ku kanë kënduar edhe shumë të tjerë, duke marrë konsideratat për koralet negritare. Pastaj, duke kënduar në lokalet më prestigjioze, kazinotë e famshme në fillimet e tij, e më pas në sall gjigante, stadiume të Amerikës.

Së dyti, plastika e shkëlqyer e një këngëtari, i cili këndoi, kërceu gjatë gjithë jetës në skenë. Me një formacion prej katër vetash, kryesisht kitara akustike ku grupi thuajse në shumë këngë ka bërë “Back vokalin”.

Një bukuri e paparë dhe kur bashkonte vallëzimin, portretin, vokalin dhe kitarën në trupin e tij, ishte sugjestionues. Në këtë bukuri, që është edhe e treta, ishte veshja që ai zgjodhi, që askush si ai nuk mund ta kishte e ta ketë aq të identifikuar. Aq sa kur në një muze sheh një kostum, thua kjo është e Elvis Preslit.

Elvis Presley

Pantallona të bardha apo të zeza kauboj me njolla, viza, topa anash, ngjyrë floriri, me një këmishë të hapur, një xhaketë me jakë më të ngritur se këmisha. Të gjitha këto me zbukurime, qëndisje, rruaza floriri. Me disa unaza në gisht. Edhe pse kostumet i ndryshonte, por pa humbur stilin. Me një piano e gjithë në ar. Deri edhe me avion personal.

Një karrierë e lidhur kryesisht me kitarën

Ai e pëlqente kitarën akustike, pasi ajo kishte lidhje me dy dashuri të tij: Për nënën dhe babanë dhe pikërisht ishte kjo kitarë që i ati ia bleu kur gjendja ekonomike në familje ishte e rënduar. Madje, më 1977, pak muaj para se të vdiste, kur ka kënduar në një koncert, thirri të atin në skenë dhe i tha: “Ti ma ke blerë këtë kitarë”.

Elvis Presli, një rizgjim edhe për Amerikën

Pas Luftës së Dytë Botërore, bombës atomike, depresionit, kishte tentativa, dëshirë për një rizgjim ekonomik, social, artistik në Amerikë. Muzika e tij ishte një shpërthim. Kjo për arsye të ritmit, duke befasuar e sjellë tekste rinore, pa dramë, shumë zbavitëse, që për kohën dhe stilin amerikan u bë e preferuar.

Kontakti i parë i Osman Mulës me Elvis Preslin

Kam qenë 14-15 vjeç, gjimnazist, viti i parë. Në radiot e huaja, në Hit Parade të kohës, atë italiane apo jugosllave, dëgjoja vonë natën, emisione e huaja, “Radio-Luksemburg” etj. Kujtoj se në gjimnaz tentuam të krijonim një grup, ku unë luajta “My way” një këngë e Sinatrës, por që Elvis e këndonte në çdo koncert të tij.

Në Europë, në atë periudhë ishin tri këngë të tij që dëgjoheshin: Love me tender, My way dhe Hound dog. Një pengesë tjetër e kohës ishte edhe gjuha. Në atë kohë në shkolla mësohej rusishtja dhe jo gjuha angleze.

Po në televizor?

Në ato pak televizorë që nxirreshin në oborrin e shtëpive për të parë ndonjë ndeshje ndërkombëtare futbolli, në interval ka qenë, aty e kam parë për herë të parë Elvis Preslin, jam mahnitur. E kujtoj mirë dhe kënga ka qene “Hound dog”. Ishte i veshur me kostum të zi, më një interpretim të jashtëzakonshëm.

Vitet ‘70-të, në Shqipëri ka një tendencë për krijimin e grupeve muzikore, sa ndikonin grupet e njohura të kohës, veçanërisht Presli?

Sigurisht, gjithçka edhe e ndikuar nga grupet e huaja të kohës, ato italianë, amerikanë. Ishte “Matura 72”, grupi i Men Musarajit, ai i Shkodrës “Pranverë 72”, si dhe i ILAF “Jehona rinore” i Lalës. Ka dëshira tentativa, nga Sherif Merdani, Alfons Ballici, por nuk e kishim të lehtë sepse dihej që filmat, muzika amerikane nuk pëlqehej nga drejtuesit e shtetit shqiptar. Për të gjithë ishte e ndaluar. Sidomos pas Festivalit të 11-të, ku unë me grupin tim kemi kënduar u censurua totalisht.

Osman, jeta sentimentale, sa ka ndikuar te Presley?

Mjafton të lexosh librin e Prishila Preslit, gruas së tij, “Unë dhe Elvis”, e përkthyer edhe në shqip. Një jetë sentimentale tejet e ngarkuar, aktive me femra, gra të njohura të spektaklit, show-girl, aktore, këngëtare etj. Një pafundësi që sigurisht ndikuan tek ai për shumë motive.

Por, edhe vajza e tij, Liza Mari, u martua më 1994 me Majkëll Xhekson, me të cilin u nda pas një kohë të shkurtër. Për jetën, karrierën e artistëve të mëdhenj, janë të pashmangshme edhe këto. Mendoni për Elvis Preslin, djali më i bukur, më i preferuar në Amerikë, kudo.

Z. Mula, e kujtoni kur vdiq Presly, si u dha lajmi?

U përhap menjëherë në rrethet, miqësitë artistike, sigurisht nën zë. E kundërta me radion, televizorin, shtypin, ndonëse diku, me sa kujtoj, kam dëgjuar o lexuar duke u keqpërdorur nga propaganda e kohës, u tha se: “Ky është fati i artistëve amerikanë: Droga!”

Pikërisht në ditën kur Elvis Presly ndahet nga jeta, në Teatrin e Operës dhe Baletit këngëtarja greke Marinella jep një koncert, ju kujtohet?

Një koincidencë gjykoj. Jemi disa vite pas Festivali të 11- të, vitit agresiv 1973, pas të cilit u godit arti, muzika e huaj, pikërisht vjen në Tiranë një këngëtare e famshme si Marinella. Një koncert i paharruar, i mrekullueshëm, i pari i një këngëtareje perëndimore, një sfidë për sistemin ka qenë. Diçka shumë e veçantë për kohën.

Z. Mula, nga vajza juaj, te Vaçe Zela dhe Elvis Presly….

Duk u rritur kuptova se kisha udhëtuar me Elvisin, një personalitet i madh jo vetëm muzikor, por edhe i duhur për kohën, që ushqeu me mirësi jo vetëm Amerikën. Jam i lumtur që në atë rini timen, më kanë mbajtur gjallë Vaçe Zela, Bitëllsat dhe Elvis Presly. Ndonëse ishte e vështirë, e pamundur e ndaluar ta imitonim, unë e kam imituar me saks duke kërcyer në skenë, aq ishte mundësia për kohën, rrethanat. Edhe emrin vajzës time, Elvisa, ia kam vënë në kujtim të Elvis Preslit.

GJERGJ LEKA: “UNË, ELVIS PRESLI? E QUAJ KRENARI QË DIKUSH MË BËNTE KËTË KRAHASIM”

E kanë konsideruar një Elvis Presli shqiptar në rininë e tij, për nga ngjashmëria, tipi, profesioni, stili, look-u. Artist modern, kantautor, muzikant i gjithanshëm, i preferuar, i pëlqyer nga rinia, brezat e viteve ‘80-‘90 kur u shfaq në skena e ekrane. Zë i bukur, melodioz, i pandryshuar edhe sot, një Elvis shqiptar ka mbetur.

Gjergj Leka

Gjergji, pak nga fëmijëria juaja, lidhja me muzikën…

Në fëmijërinë time pata fatin nëpërmjet babait tim ose më mirë gjyshes sime italiane të kisha në shtëpi një magnetofon të markën “Geloso”, me bobina, por që shumë herë nuk i dëgjohej zëri pasi babai vinte kufje që të mos e dëgjonte edhe komshiu, sepse kështu ishte koha.

Vetëm një kufje kishim në shtëpi, nga njëra anë nëna, dhe babain nga ana tjetër e kufjes.

Brenda këtyre shiritave kishte shumë nga spektaklet italiane, mbaj mend sapo kishte filluar Canzonisima. Një arkiv i shkëlqyer që ruajti babai im, ku janë 22 mijë orë regjistrime. Që më ka ndihmuar të realizoj edhe programin televiziv “Na ishte njëherë muzika”

Rikthehemi tek Elvis Presly, kur jeni “takuar” me të për herë të parë?

Në rininë time të hershme, në moshën 14-15 vjeç, filluan të më thërrisnin Elvis, Elvis. Kjo nofkë, të them të drejtën më ka pëlqyer gjithmonë, më bëhej qejfi kur ma thoshin dhe më pse ngjasimi nuk kishte lidhje, por ishte një hije: Shihja veten në pasqyrë, disa tipare sikur më afronin me të.

I gjatë ai, i gjatë unë, pak i shëndoshë ai, pak i shëndoshë unë. Fillova t’i mbaja flokët e gjata, me balluken para si ai, me baseta paksa të gjata, me pantallonat e gjëra poshtë, aq sa mundesha. Pra, deri këtu shkon ngjasimi im.

E quaj krenari që dikush më bënte këtë krahasim. Po, kur ma thonë sot, hiq mjekrën t’i ngjash Elvisit. Mbi të gjitha më pëlqente mënyra e interpretimit e Preslit

Elvis, një mbret i Rok & Rollit, apo një kolos edhe në një stil tjetër?

Është një gabim deri diku, kështu e quaj unë, edhe pse shumë diskutohet për Elvis Preslin si i tillë. Kjo edhe për kryeveprat e tij në Rok. Por, nëse do të dëgjoni ato pak intervista që ai ka bërë sidomos në periudhën para se të largohej nga jeta në mënyrë dramatike, do kuptoni që ai shpirtin e ka te baladat.

Elvis Presli ishte mjeshtri i baladave: Are You Lonesome Tonight? Love tender, Falling in love, etj., janë perla që janë kënduar më shumë se të gjitha materialet që ai kishte në repertor. Të mendoni që “Love me tender”, janë më shumë se 3 milion artistë në botë që e kanë riinterpetuar.

“O sole mio”, kënga italiane që Elvisi e bëri të famshme në botë?

Imagjinoni, “O sole mio” është shkruar kur nuk ekzistonte as Elvis Presly. “It’s Now or Never”, versioni rumba që interpretoi Elvisi e bëri të njohur Italinë në botë, ndonëse italianëve nuk i pëlqen kur thuhet, por kjo është e vërtetë. Dhe është një baladë. Ai jepte maksimumin pikërisht në këngët e shpirtit.

A view of a guitar and a collection of personal jewelry of Elvis Presley & Colonel Tom Parker, that was lost for decades and will be sold at auction in August, at the Sunset Marquis Hotel, in Hollywood, California, U.S., July 28, 2022. The items were part of a lost collection and do not belong to Priscilla Presley. REUTERS/Aude Guerrucci

Nga Presli tek Agim Krajka, sa larg dhe sa afër?

Dhe nëse do të bëjmë një krahasim ndërmjet Elvis Preslit dhe një tjetër të madhi, një kompozitor shqiptar, si Agim Krajka, ngjajnë te ky fakt. Edhe Agim Kraja mbahet në Shqipëri, nuk e di pse i ka dalë ky nam, që është ai i muzikës ritmike, moderne në një kohë, por që Krajka vdiste për baladat. Kënga si ajo e Gjyshes, a ka gjë më të bukur? Ja, ky është një krahasim shumë i bukur për të thënë të pathënat e vërteta që muzika ka.

Ka një kuriozitet Gjergji: Në dhjetor të 1957, Elvis Presli thirret të kryejë shërbimin ushtarak, e dini këtë fakt interesant dhe ku?

Kur kam lexuar për jetën e tij, jam befasuar. Si pjesë e trupave amerikane e ka kryer në Europë, në Friedberg, territor në Gjermaninë Perëndimore. Sigurisht që edhe ky fakt i ndryshoi stilin e jetës duke qëndruar për dy vjet larg skenave. Në ketë shërbim të gjatë ai mësoi edhe artin marcial, disiplinën e karatesë.

Presley dhe filmat, një tjetër lidhje?

Ata që thonë se e bënë të famshëm filmat, nuk është aspak e vërtetë, madje filmat e dëmtuan imazhin e tij. Ishin sallat gjigante, stadiumet që ai mbushte, ku qanin jo vetëm femrat siç thuhet, por lotonin edhe meshkujt nga këngët e Rok & Rollit te baladat e tij që të bëjnë të mendohesh. Krijoi një stil tjetër në këtë drejtim.

Edhe “Radio Tirana” fillon të japë këngë të Elvis Preslit, por….

Vitet ‘80-të pati një moment kur “Radio Tirana” filloi të jepte pak muzikë të Presleyt, por jo të kënduar, instrumentale. Ishte koha që Xejms Lasti po pushtonte botën me këngët e instrumentalizuara të tij.

Por, Elvis preferohet në mbrëmje vallëzimi, dasma, në plazhe.

Kuptohet që nuk imagjinohej të këndohej. Por, në këtë drejtim janë shfrytëzuar edhe mbrëmjet e vallëzimit që u bënin në shkolla, ku u luante muzikë e huaj. Me Genc Dashin, Xhekun e shkretë, shkonim mbrëmjeve dhe luanim mjaft materiale të Elvisit. Në dasmat gjithashtu. Hotel “Dajti”, nga orkestrat e plazheve. I preferuar ka qenë për sportistë e artistë, pasi ata kishin kontakte më shumë me botën.

Elvis Presley

Nga mungesa e pjesëve filmike, te kaseta e improvizuara? Nuk kishte “Youtube” që ti mundet ta kërkoje e shikoje. Dhe çfarë u bënte? U bënte një kasetë dhe në atë kohë unë kisha mundësi se punoja në “Radio-Tirana” dhe nga shiritat të bënim kaseta dhe ato kaseta me këngët e tij e të tjerëve qarkullonin në të gjithë Shqipërinë. I shfrytëzonin, sidomos orkestrat e restoranteve ku shkonin të huajt.

Më folët për një kuriozitet që nuk e dinë njerëzit. Cili është?

Do të duket çudi emri që do t’u them njerëzve: Doktor Sabit Brokaj. 1980 o 1981 ka qenë. Në ato vite isha i ri, ai kishte shumë simpati për mua dhe më ka sjellë një kasete nga Parisi, në një kohë kur të merrte dreqi, pasi ai ishte edhe mjeku i Enver Hoxhës. Dhe ajo kasetë po them ka qenë një shkëndijë e madhe. Është bërë me mijëra kopje se ishin këngët më të bukura të momentit.

Për çfarë këngësh e këngëtarësh bëhej fjalë?

Ishte një compilation, me 14 këngë, 14 emra që nga Elvis Presly deri te Sinatra. E mbaj mend që për herë të parë kam dëgjuar Mireille Mathieu – “Une femme amoureuse”. Pastaj “Women in love”, nga Straisand. Dhe nuk e di, kur kam lëvizur nga një shtëpi tek tjetra më ka humbur, ende e kam peng.

Me siguri do ta kenë miq e shokë të asaj kohe, sepse në hotel “Tirana” atë kasetë unë ua kam dhënë edhe atyre që kishin orkestër që të mësonin këto këngë për turistët që vinin aty. Dhe imagjinoni ketë kasetë e solli Sabit Brokaj, për hir të së vërtetës, kryevepër apo jo?

Dhe e fundit, një ndarje tragjike nga jeta?

Presly ishte një djalë paksa depresiv, që i ri i ndikuar me problemet që Amerika kishte në ato vite. Dhe nga njëherë suksesi i madh si ka ndodhur me Elvis Preslin ndodh edhe me shumë këngëtarë të tjerë, yje, aktorë që bien në depresion.

Nuk u shquante Presley për inteligjencë, apo mënyrë intelektuale e të paraqiturit. Ishte një djalë i thjeshtë ndryshe nga të tjerët. Dhe qenia ndryshe nga të tjerët përbënte problem dhe në shumë momente të jetës së tij, Presli e kuptoi, por ishte vonë se ku kishte gabuar./panorama

ObserverKult

Lexo edhe:

ZBULOHET PAS 50 VITESH, DEL NË ANKAND KOLEKSIONI QË ELVIS PRESLEY I DHUROI MENAXHERIT…