
Libri më i ri me poezi i poetes dhe studiueses Donika Dabishevci, “Grue prej zjermi”, u promovua në Gjakovë, në një mbrëmje letrare të organizuar nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, e cila mblodhi studiues, krijues, përfaqësues të institucioneve kulturore dhe lexues të shumtë rreth një diskutimi të gjerë për poezinë dhe shtresimet estetike, filozofike e kulturore të veprës.

Kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, Ruzhdi Sefa, në fjalën e rastit theksoi rëndësinë e takimeve që e mbajnë librin, krijimtarinë dhe debatin kulturor në qendër të jetës publike. Ai foli edhe për rolin që Shoqata synon të ketë në krijimin e hapësirave ku autorët dhe veprat e tyre mund të takohen drejtpërdrejt me publikun dhe me mendimin kritik.

Mbrëmjen e moderoi gazetari Blerim Valla, i cili e orientoi bisedën drejt çështjeve qendrore të veprës dhe krijoi hapësirë që këndvështrimet e studiuesve të zgjeroheshin edhe përmes pyetjeve dhe interpretimeve të të pranishmëve.
Për librin referuan studiuesit Migena Arllati dhe Vilson Culaj, të cilët sollën dy këndvështrime të ndryshme, por plotësuese, mbi universin poetik të Donika Dabishevcit.

Në vështrimin e saj me titull “Grue prej zjermi -Trupi, erosi, liria dhe metafizika e një zëri femëror”, Dr. Migena Arllati e vendosi veprën përtej kufijve të një leximi vetëm erotik, duke argumentuar se trupi, dëshira dhe dashuria përbëjnë vetëm një nga shtresat e saj.
Sipas Arllatit, në thellësi të librit zhvillohet një reflektim më i gjerë mbi qenien, lirinë, identitetin, kujtesën dhe marrëdhënien e njeriut me tjetrin.
“Trupi dhe shpirti nuk paraqiten si realitete kundërshtuese, por si pjesë të së njëjtës përvojë ekzistenciale, ndërsa dashuria dhe liria vendosen në një raport të vazhdueshëm tensioni, afrimi dhe vetëdijësimi” theksoi Arllati.
Një nga pikat qendrore të interpretimit të saj ishte metafora që bart vetë titulli i librit. Arllati e veçoi dallimin ndërmjet një gruaje “të zjarrtë” dhe një gruaje “prej zjarri”, duke e lexuar zjarrin jo si cilësi të jashtme të personazhit femëror, por si përbërje të qenies së saj.
Në këtë lexim, gruaja kalon përmes dashurisë, mungesës, dëshirës, dhimbjes dhe transformimit, derisa arrin te një vetëdije më e plotë për veten. Kësisoj, “Grue prej zjermi” mund të shihet edhe si një poetikë e rilindjes së subjektit femëror, ku udhëtimi poetik zhvendoset gradualisht nga kërkimi i tjetrit te afirmimi i vetvetes, theksoi ndër tjerash Arllati.
Një perspektivë tjetër solli studiuesi Vilson Culaj, i cili e linmterpretoi librin përmes një rrjeti të gjerë referencash filozofike, biblike dhe mitologjike.

Duke nisur nga poezia “Adami jem”, Culaj u përqendrua në marrëdhënien ndërmjet trupit dhe shpirtit, mëkatit, lirisë e dashurisë, duke e parë librin si një udhëtim të subjektit femëror drejt çlirimit dhe vetëpërcaktimit.
Në interpretimin e tij, figurat e Adamit dhe Evës, por edhe referencat ndaj Heraklitit, Platonit, Dantes dhe traditës së krishterë, e vendosin poezinë e Dabishevcit në një plan ku eros-i ndërthuret me dimensionin shpirtëror dhe metafizik.
Culaj u ndal posaçërisht edhe te përdorimi i fjalës “syn” në poezi, duke e lexuar syrin si figurë të perceptimit, njohjes dhe depërtimit në qenien e tjetrit. Sipas tij, në libër artikulohet një koncept i dashurisë ku trupi, shpirti dhe mendja formojnë një tërësi.
Edhe për Culajn simbolika e zjarrit përbën një nga boshtet qendrore të veprës. Ai e lidhi atë me katarsisin, transformimin, lirinë dhe guximin për ta ndërtuar vetë fatin.
Duke analizuar poezi të veçanta, mes të cilave “Ku ishe gjatë tanë jetës teme, syn”, “Tuj shku rrugës për Üsküdar” dhe “A ban”, Culaj u përqendrua në raportin ndërmjet kujtesës, mungesës, kohës dhe kërkimit të vetvetes.

Një qasje të veçantë interpretuese ndaj librit solli edhe profesoresha Delvina Dylazeka Hajdari, ndërsa pjesa e debatit me publikun e zgjeroi më tej diskutimin mbi gjuhën, simbolikën dhe shtresimet e veprës.


Një dimension tjetër mbrëmjes i dha edhe muzika. Kitaristi Naser Dula krijoi një ndërthurje të veçantë ndërmjet fjalës poetike dhe muzikës tingullit, ndërsa instrumentistët Klea Doda dhe Prijës Berisha e pasuruan programin me performimet e tyre instrumentale.

Në promovim ishte e pranishme edhe drejtoresha e Kulturës në Komunën e Gjakovës, Nita Efendia Brovina, prania e së cilës i dha mbrëmjes edhe dimensionin e mbështetjes institucionale për veprimtaritë letrare dhe kulturore që zhvillohen në qytet.

Autorja Donika Dabishevci zgjodhi të mos fliste për librin, duke e lidhur këtë qëndrim me autonominë që fiton vepra pasi hyn në komunikim me lexuesin. Sipas saj, fjala e autorit mbi kuptimin e veprës rrezikon të marrë një autoritet të privilegjuar dhe, rrjedhimisht, ta ngushtojë hapësirën e interpretimeve të mundshme. Për këtë arsye, ajo parapëlqeu ta linte tekstin të hapur ndaj leximeve të ndryshme, duke ia njohur lexuesit lirinë për të hyrë në të nga përvoja, ndjeshmëria dhe horizonti i vet interpretues.

“Në këtë raport, autori mbetet krijuesi i veprës, por jo zotëruesi i kuptimit të saj përfundimtar; me botimin, teksti nis jetën e vet në shumëfishin e leximeve që arrin të prodhojë”, theksoi Dabishevci.
Kjo hapje ndaj pluralitetit të leximeve u reflektua edhe në pjesën e debatit, ku publiku u përfshi aktivisht me pyetje, komente dhe interpretime, duke e zhvendosur mbrëmjen nga forma konvencionale e një promovimi drejt një bashkëbisedimi të mirëfilltë për poezinë.

Pyetjet prekën aspekte të ndryshme të veprës, nga gjuha dhe ndërtimi i subjektit femëror te erosi, dashuria, liria dhe simbolika e zjarrit, ndërsa ndërveprimi mes autores, studiuesve dhe lexuesve hapi perspektiva të reja interpretimi. Nën moderimin e Blerim Vallës, debati u zhvillua si një komunikim i drejtpërdrejtë mes veprës dhe recepimit të saj, duke konkretizuar pikërisht atë liri të leximit për të cilën Dabishevci ishte shprehur më herët gjatë mbrëmjes.

Atmosfera e mbrëmjes dhe momentet e promovimit u dokumentuan përmes fotografisë nga Shkëlzen Rexha dhe Ana Jetullahu.

ObserverKult
Lexo edhe:
Ag Apolloni: Revolucioni i trupit në librin “Grue prej zjermi”
Mërgim Bekteshi: Arkitektura poetike e qenies te libri “Grue prej zjermi”
Rami Kamberi: Poetika e trupit, identitetit dhe lirisë në librin “Grue prej zjermi” të Donika Dabishevcit
Sarë Gjergji: Trupi, pushteti dhe rezistenca në “Grue prej zjermi” të Donika Dabishevcit
“Grue prej zjermi” nga Donika Dabishevci, një himn poetik për gruan, dashninë e lirinë
Donika Dabishevci: Grue prej zjermi






