
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur lirikash dashurie të Zef Serembes:
KËNGË DASHURIE
Dëgjo, vajzë nga gjumi zgjohu,
në se krejt dashuria ty nuk t’u ftoh:
sonte ta them unë një këngë.
që midis zemrës me dhimbje më del,
e në se edhe ti më dashuron,
dëgjo, vajzë, e më kujto.
Sa mirë të desha, sa mirë të dua,
vetëm ti, vashë, më deshe mua,
M’u faneps një ditë ky dhe
plot me gaz e me hare,
se dashuria jote më shtiu një dritë,
që hoqi natën, ngado më priste.
Po në se edhe ti më dashuron,
lule e gëzuar, mos më harro.
S’qe bukuria që më rrëmbeu,
jo begatia që më gënjeu
po jotja zemër mendtë m’i ktheu,
më ngriu gjakun, shpirtin më vodhi.
Tani në se edhe ti më dashuron,
kujtomë një herë e mos më harro.
MË TË BUKURËS Ç’Ë STRIGARË
Nga katudi u largova posi i bjerr
Vajta te ljufta e fortë e u gjenda i vetë:
Larh u rrinja nga ti me zëmrën shkjerr,
Se anamesa të hojve u gjenda i shkretë:
Edhe zëmra kekj fort të dëshironej
Edhe e mjera më ra se nkë të çonej.
Gjaku venej mbë truall si ujë kroi
E fare gjellën time e ndikurova,
Vapë e kekj shkoi mbi mua e bora shkoi,
I aksëm gjith gramitë u kapëtova
E shumë her’ si i bjerr ndë gjithësi
Më vinin trut te ti me dashuri.
VRULL
Zogj të bukur këndojnë me hare,
Po zëmra do më plasë mua në gji.
I helmuar e shkoj jetën te ky dhe:
Mërzitem në katund, në vetëmi.
Tërë shkëlqim m’hapet përpara deti,
Që zgjon te trutë e mi mendime shumë,
Zëmra m’u shqerr nga tmerri mua të shkretit,
Aq sa vetëm pushoj kur bje në gjumë.
Arbria matanë detit, na kujton
Se ne të huaj jemi te ky dhe!
Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron
Që ne turku na la pa Mëmëdhe…
Hakmarrja na jep shpresë e na ndriçon,
Por fryn era dhe akulli më zë,
Se ç’ka qenë Arbëreshi po harron:
Dhe s’i vjen turp aspak, po rri e flë.
VASHËS SË LARGËT
Fati ynë është shumë i fort
Se na jep helme dhe mort,
Posi hënës, posi djellit,
Që kërkohen kot prej qjellit,
Se i shkreti fat i zbon
Edhe kurrë s’i bashkon.
Edhe i ligu mirë e di
Që është drita dashuri.
E kur fatin tim kujtoj
Derdh un’ lot e psherëtoj
Plag’ e rëndë s’hiqet dot
Që më bëre ti qëmot:
Qenë ilaçe e qenë bare
Që s’më vlejtën mua fare.
Nuk pushon ky helm i fort,
Që na jep përdita mort.
FYTYRA E ASAJ
Si vajza ime e bukur s’ka asnjë:
E prerë, e holl’ si kumbull, drejt më rri:
Kur ecën, shkon si zogë e mbase më
Zërin e saj e ngre plot harmoni.
I ndan flokët në mes dhe rrethas vë
Gërshetin që i shkëlqen krejt në të zi,
I feks balli që rreze drite zë
Si gryka e detit n’agim’n e ri.
Të zes e tërë mënd e mall të thellë,
Sytë e saja shkëlqejnë më se hënë,
Në mes të faqes i qesh hunda e hollë.
Ka buzët si merxhan, është faqemollë,
Dorën dhe zverkun si alabastër vënë
Edhe, kur qesh, sikur të ngre në Qiellë.

Zef Serembe lindi më 6 mars të vitit 1843 në Strigar të Kozencës.
Ndoqi studimet në kolegjin e Shën Adrianit, ku pati mësues Jeronim de Radën, me të cilin më vonë u bë mik.
Që herët u lidh me Lëvizjen Garibaldine dhe më vonë me lëvizjen çlirimtare në Shqipëri. Ngjarjet politike shoqërore në Itali, pas bashkimit të saj, e zhgënjyen rëndë dhe bashkë me fatkeqësitë vetjake (vrasja e të ungjit, vdekja e së dashurës), i shkaktuan krizë të thellë shpirtërore.
Në këtë gjendje, më 1875 mori udhën për Brazil, në kërkim të varrit të vajzës së dashur, por pa kaluar moti kthehet në vendlindje, ku vazhdon të mos gjejë prehje. I tronditur shpirtërisht, merr rrugën e mërgimit dhe e mbyll jetën, në San Paolo të Brazilit, më 1901.
Shumë dorëshkrime të Serembes kanë humbur (midis tyre një poemë e gjatë dhe ndoshta disa drama).
Ai lëvroi gjerësisht lirikën me një tematikë të larmishme, krijoi lirika atdhetare, filozofike, shoqërore e të dashurisë. Në vjershat atdhetare grishi për luftë të hapur kundër pushtuesit osman (“Vrull”, “Dora d’Istrias”).
Lirika e tij filozofike-shoqërore dhe e dashurisë pasqyroi konfliktin midis individit dhe shoqërisë së kohës, duke sjellë një hero të ri, kryengritësin individual të vetmuar dhe të zhgënjyer nga jeta.
Disa nga titujt e veprave të tij: “Poesie italiane e canti originali tradotti dall’albanese”, Kozencë 1883; “Sonetti vari”, Napoli, 1890; “Il reduce soldato”, New York, 1895; “Vjershe – 1926”, botuar në Milano nga nipi i tij Cosmo Serembe.
Falë kërkimeve për tekstet e humbura të poezive të Zef Serembes, vitet e fundit janë bërë disa botime të veprës së tij që plotësojnë njohjen për krijimtarinë e poetit: “Omaggio a Giuseppe Serembe”, Kozencë, 1988; “Alla ricerca del Serembe autentico”, Kozencë, 1991; Poezi, Tiranë, 1999.
ObserverKult
Lexo edhe: