reklamë

Nga varfëria në Lushnje, te skena me Vaçe Zelën/ Hysni Zela zbulon si e ndihmoi motra të bëhej artist

“Unë po shkoj 80-vjeç dhe ende më thonë ‘vëllai i Vaçe Zelës’”, është një nga rrëfimet që Hysni Zela solli me humor dhe emocion në emisionin “S’e Luan Topi”.

Këngëtari i njohur i muzikës popullore foli për fëmijërinë në Lushnje, ardhjen në Tiranë dhe marrëdhënien me motrën e tij, divën e muzikës shqiptare, Vaçe Zelën.

Hysni Zela kujtoi vitet e para të jetës, kur familja përballej me vështirësi ekonomike, ndërsa Vaçja, e cila ishte më e madhe dhe ndodhej në Tiranë për gjimnaz, dëshironte që edhe pjesëtarët e tjerë të familjes të zhvendoseshin në kryeqytet.

“Ishte një fëmijëri shumë e varfër, megjithatë si të gjithë të tjerët në atë kohë. Vaçja ishte më e madhe, ishte në Tiranë në gjimnaz. Dëshira e saj ishte që ne të shkonim në Tiranë, ndërsa prindërit tanë nuk donin”, kujtoi ai.

Më pas, rrëfimi u ndal te momenti kur Hysni Zela nisi të këndonte së bashku me Vaçen. Ai tregoi se motra e tij ishte tepër kërkuese dhe nuk ngurronte ta kritikonte për mënyrën se si interpretonte, duke e shtyrë vazhdimisht të përmirësohej.

“Vaçja gjithë jetën ka qenë e suksesshme… unë isha 14 vjeç kur erdha në Tiranë. Kur nisa të këndoj me të, ajo më bënte natyrisht vërejtje. Por vërejtjet e saj ishin… hajde t’i bëj. Nuk ishte e thjeshtë. Ajo kërkonte shumë gjëra. Më thoshte ‘pse e bën fytyrën kështu?’. Unë i thoja ‘si ta bëj mor aman’. Rrija rrija dhe i thoja ‘e di që të kam frikë unë kur flet ti kështu?!’”, rrëfeu me humor Hysni Zela.

Pavarësisht se ndër vite ka krijuar identitetin e tij si këngëtar, ai tregoi se emri i tij vazhdon të shoqërohet shpesh me atë të motrës së famshme. Hysni Zela tha se e konsideron këtë një krenari edhe pse me shaka pranoi se do të donte që njerëzit ta njihnin edhe për emrin dhe kontributin e tij artistik.

“Unë po shkoj 80-vjeç dhe ende më thonë ‘vëllai i Vaçe Zelës’. Unë e kam për krenari, por them ‘si nuk thanë njëherë Hysni Zela?’”, u shpreh ai.

Në një tjetër pjesë të rrëfimit, Hysni Zela foli për Vaçen jo vetëm si artiste, por mbi të gjitha si motër dhe si pjesëtare e familjes. Ai e përshkroi atë si një njeri të jashtëzakonshëm, të përkushtuar dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar familjarët e saj.

“Vaçja ishte e jashtëzakonshme, një njeri i jashtëzakonshëm, njeri që ndihmonte, i ndihmonte prindërit përderisa na pruri në mes të Tiranës në atë kohë. Dilte, bënte pazarin, e çdo gjë i bënte ajo”, pohoi Hysni Zela.

Rrëfimi i tij solli në vëmendje jo vetëm figurën e Vaçe Zelës, por edhe rrugëtimin e vetë Hysni Zelës si artist dhe marrëdhënien e veçantë mes dy vëllezër e motrës, të lidhur nga muzika dhe familja./tch

ObserverKult


Lexo edhe:

Nis sonte edicioni i 24 i Tirana International Film Festival