Sapo ka dalë nga shtypi libri i dytë me poezi i poetes Anila Toto, titulluar ” Nga vise të bukura shpirti”. Në vazhdim gjeni parathënien e librit.
Nga Bardhyl Londo
Ka një poezi Anila Toto, kushtuar atit të saj të shtrenjtë, e cila fillon me vargun brilant “ti vije nga vise të bukura shpirti”. Që kur e kam lexuar për herë të parë goditja ishte tamam si një vetëtimë që bie, ndriçon, shkëlqen dhe të tërheq vëmendjen sepse ajo shkarkohet në një qiell dhe horizont të pastër dhe të kaltër kur ti nuk e prisje fare. Sa herë më dalin përpara poezitë e kësaj autoreje më kujtohet menjëherë ky varg.
Dhe puna nuk është vetëm tek bukuria e këtij vargu,bukuri që mund ta shkaktojë vetëm një varg kaq origjinal, i ndjeshëm dhe njerëzor. Çështja është më e thellë: gjithë udhëtimi poetik i Anila Totos, duke përfshirë edhe librin që po i paraqet sot lexuesit, nuk është gjë tjetër, veçse një udhëtim poetik në viset e bukura të shpirtit njerëzor, në zbulimin e këtyre viseve dhe në ftesën që i bën njeriut – lexues të udhëtojë vetëm në këto vise, të bëhet “ skllav “ i tyre, dhe “ rob “, në kuptimin e mirë të fjalës, i hapësirave të tyre, të bëhet udhëtar i përjetshëm i shtigjeve, rrugëve apo autostradave të tyre, të ngjitë, shpatet, kodrat apo malet e tyre, të qajë dhe të qeshë si këto vise.
Është një thirrje e madhe humane që herë pas here shndërrohet në një klithmë të mprehtë, sapo poetja takon ligësitë, prapësitë, apo fallëqësirat me të cilat është mbushur kjo botë dhe kjo jetë. Në këtë rast, ndonëse vjershat me këtë temë nuk janë të shumta në këtë libër, zëri i poetes, shndërrohet në një klithmë dhe kushtrim të vërtetë në emër të humanizmit, në emër të drejtësisë shoqërore, në emër të së sotmes dhe të ardhmes të njeriut.
Dhe ç’është më e rëndësishme, siç shprehet në një poezi, për qëllimin dhe triumfin e moralit që trumbeton dhe përpiqet ta kultivojë në mbarë shoqërinë, poetja nuk ka nevojë as për “ kishë, as për bashki “.
Vini re, çfarë detajesh kuptimplotë ka zgjedhur: kishën, që mund të ishte edhe xhami, teqe, mekam apo sinagogë, pra një simbol morali,dhe bashkinë, simbolin e pushtetit politik.
Natyrshëm lind pyetja: përse ka nevojë autorja, kujt i kërkon ndihmë ajo? Njeriut, vetëm njeriut, “viseve të bukura të tij shpirtërore”.
Poezia e Anila Totos të kujton, në kuptimin më të mirë të fjalës, Diogjenin e famshëm që kërkonte me një kandil në mes të ditës, pikërisht njeriun. Këtë bën edhe poetja librin e së cilës po paraqesim sot: ajo kërkon humanizmin, kërkon dashurinë njerëzore, kërkon dashurinë dhe mirësinë.
Të gjitha këto nuk janë moralizime apo predikime të thata që nga njëri vesh të hyjnë, nga tjetri të dalin. Ato vijnë të realizuara me një ndjesi njerëzore dhe me një lirizëm brilant, që të bëjnë menjëherë për vete, dhe, kësisoj, e gjejnë shumë shpejt rrugën tek lexuesi duke u bërë pronë e shpirtit të tij, duke u bërë bashkëudhëtar i tij në jetë.
Anila shumë poezi i nis dhe i mbaron duke pasur si pikënisje njerëzit e saj më të afërt shpirtërorë: babain, bashkëshortin, vëllain ( sa të ndjera dhe të dhimbshme janë vargjet për të), djalin etj. Por kjo nuk do të thotë se poezia e Anilës është thjesht një album familjar. Përkundrazi. Duke u nisur nga një botë intime dhe shumë të afërt për të, një botë që ajo e njeh aq mirë dhe që e ka jetuar intensivisht, arrin dhe realizon synime të mëdha dhe të përjetëshme njerëzore: arrin të injektojë tek të tjerët dashurinë për njeriun, për “ viset e bukura shpirtërore të tij”. Kjo është poezia e vërtetë që arrin të prekë shpirtin e lexuesit dhe të ndikojë tek ai. Ndryshe poezia mbetet një predikim i thatë, një vargëzim të cilin lexuesi sapo e lexon e harron, e lë mënjanë me indiferencë dhe e dënon me harrim.
Poezia e Anila Totos është origjinale nga fillimi në fund. Ajo është një poezi që nuk imiton askënd. Natyrisht në rradhët e saj ndihet kultura e leximit të gjerë të poezisë botërore dhe asaj shqiptare. Por gjithsesi kjo kulturë vetëm sa e ndihmon poeten, por nuk e dikton atë, nuk e detyron të imitojë askënd.
Kësisoj, kushdo që lexon librin e kësaj poeteje, sa herë të lexojë vjersha të saj, edhe pa e pasur emrin, do ta kuptojë se me cilin autor ka të bëjë. Dhe kjo nuk është pak: ta arrish që me librin e parë këtë, do të thotë shumë, është një dëshmi e talentit të vërtetë.
Poezia e Anila Totos, është një poezi elegante në kuptimin më të mirë të fjalës.
Ajo nuk zhurmon, nuk bërtet, nuk rend pas manierave për t’u dukur “ e kohës “ apo “ moderne” duke kullotur në lëndina që janë pronë e të tjerëve.
Ajo i ngjan një detit të qetë e të kaltër në dukje, por brenda saj ka valët e dashurisë njerëzore, ka margaritarët e bukur të humanizmit, ka një botë në të cilën po të zhytesh do të gjesh perla të vërteta.
Mirësevjen dhe udhëtim të bukur libri i Anila Totos në botën dhe rrugën e gjatë të poezisë./ ObserverKult