Minia ishte nga katundi Baldushk i Tiranës. Kishte mbaruar shkollën e mesme mjekësore dhe punonte si ndihmësmjeke në ambulancën e fshatit të saj. Shquhej për sjellje plot mirësi, me këdo që i binte rasti ta takonte.
Bashkëfshatarët thoshin, se Minia, të shëron më shumë me fjalët, se me ilaçe. Ishte e fejuar dhe kishte prerë ditën e martesës. Asaj nuk i shkonte kurrë ndërmend se shteti merimangë, po i përgatiste kurthin, për ta asgjësuar në lulen e rinisë. Barërat e helmuara të livadheve të Baldushkut, shkaktuan atë vit ngordhjen e disa lopëve të kooperativës.
U dha alarmi, nga instancat më të ulta, deri në Komitetin Qendror të Partisë famëkeqe. U
lëshua urdhri: “Të zbulohet dora armiqësore dhe të goditet pa mëshirë”! Midis të piketuarave për kurban, u shënua edhe emri i Mines 20-vjeçare. U vendos që ajo të arrestohej ditën e martesës. Kështu goditej shpirti i dlirtë i saj dhe i gjithë pjesëmarrësve në dasëm.
Taksia e zbukuruar me fjongo të kuqe, u zëvendësua me “Gaz”-in ogurzi të Sigurimit. Në vend të duvakut të nusërisë, i veshën një thes të zi plastmasi. I hoqën byzylykun e martesës dhe i vunë prangat e hekurta.
Në hetuesi, i kërkuan të pranonte, se u kishte dhënë “armiqve” helme për të helmuar lopët, paçka se në ambulancë, kishte pasur vetëm jod dhe aspirina. E kërcënonin të pranonte atë që i kērkonin përndryshe… Vërr topuz!
Minia i firmoste procesverbalet pa i lexuar. Edhe sikur t’i lexonte, përsëri do t’i firmoste, se e dinte çdo ta priste po të mos pranonte. Për tetë muaj që qëndroi në qelitë e hetuesisë u bë kockë e lëkurë. Aq shumë u tjetërsua, sa edhe njerëzit e afërm të saj, nuk e njohën ditën e parë të gjyqit. E dënuan me 20 vjet burgim. Nuk reagoi aspak, kur u bë pretenca dhe iu lexua dënimi. Ajo ishte e shokuar dhe i dukej sikur shikonte një ëndërr të llahtarshme, me sy hapur.
E dërguan në kampin- burg të Kosovës së Lushnjës. Pas disa muajsh ajo vdiq pa u
vizituar nga asnjë mjek. Ne çastet e fundit, iu lut shoqeve që ta varrosnin të veshur nuse. Ato bënë të pamundurën dhe ia plotësuan amanetin. Në një ditë të bukur maji të vitit 1975, trupin e pa jetë të Mines, e nxorën nga porta e kampit-burg, për ta varrosur në varrin pa emër…
“Marrë nga faqja në “Facebook” e Lori Sina
ObserverKult
Lexo edhe:
E TMERRSHME: KJO ËSHTË GAZETARJA QË E VARËN LAKURIQ MIDIS BURGUT TË BURRAVE NË SHQIPËRI