“Ngjarje”, filmi shqiptar që konkurron në “BEAST International Film Festival”

“Ngjarje” titullohet filmi me regji nga Lorin Terezi i cili është në konkurrim në festivalin ndërkombëtar të filmit, “BEAST International Film Festival” që u zhvillua këto ditë nga data 24 deri më 28 mars në Portugali.

Këtë vit edicioni i radhës i këtij festivali është vendosur që të zhvillohet online sikurse shumë festivale të tjerë në të gjithë botën për shkak të pandemisë Covid-19.

Ky produksion është i mbështetur financiarisht nga “Qendra Kinematografike Shqiptare”. Vendim që është marrë në mbledhjen e bordit më datë 21 maj 2018.

Ky film në kastin e aktorëve ka emra nga Shqipëria dhe Kosova si Mirjana Deti Laço, Bilbil Kasmi, Kreshnik Ferra, Pëllumb Dervishi, si dhe aktorja Lena Kryeziu Bokshi. Regjisor i filmit “Ngjarje” është Lorin Terezi. Ndërsa skenari nga Lorin Terezi dhe Anila Balla.

Në këtë festival filmi konkurron në kategorinë e “Filmit më të Mirë”. Ky film i përket zhanrit komedi e zezë, pasi subjekti bën fjalë për një kufomë që është gjendur në një fshat të harruar të Shqipërisë. Dhe ku për shkak të kësaj ngjarje banorët e fshatit por edhe vetë fshati fitojnë një protagonizëm për shkak të vëmendjes së madhe që tregon media dhe opinioni publik sepse tronditen nga ajo që ka ndodhur.

Në lidhje me subjektin e këtij filmi regjisori dhe bashkëskenaristi Lorin Terezi më herët është shrehur se ka marr spunto. Pikërisht nga ngjarje të tilla të cilat na ndodh të dëgjojmë shpesh në vendin tonë kohëve të fundit.

Xhirimet e këtij filmi janë realizuar në pjesën më të madhe në fshatin Shkallë të Shëngjergjit në Tiranë. Ky është filmi i dytë për regjisorin i realizuar në një periudhë të afërt me filmin tjetër me titull “Tirana 100 km”./ATSH