Halil Matoshi: Ni poet – ni poezi

Sabri Hamiti
Sabri Hamiti

(Në 70-vjetorin e poetit Sabri Hamiti)

Interpretim i poezisë “N a n a” të Sabri Hamitit (Libri “ABC”) – për Ditën e Nânës;

Nga Halil Matoshi

1. Fjala që evokon fotografinë apo ikona e nânës

Figura e Nanës zë një vend të rëndësishëm në opusin letrar të Sabri Hamitit. Na është e njohur poezia “Fytyra e nanës” nga libri “Leja e njohtimit 1985”, kur ky autor paralajmëron obsesionin e tij për figurimin poetik të fytyrës së defiguruar të Nanës, e cila i vjen poetit vetëm si fanitje, si dëftim i ëndrrës dhe i humbet sakaç, pa arritur që ta kornizojë si një ikonë të cilës do t’i lutej për një ninullë dhe pak fat. Por poeti sikur do që Nanën ta ketë metaforë të gjallë e jo natyrë të vdekur në mur. Andaj poeti në të komunikuarit me Nanën (në mungesë) e verbalizon ndjeshmërinë e fytyrës së Nanës (si fotografi) e cila ia thotë formulën: “Hiçmë prej syve, mbajmë në zemër”.
Në librin “KAOSMOS” Hamiti sërish i kthehet “fytyrës së nanës”, e cila sërish i vie si shpëtimtare në gjendje ankthi, kur e mbulon hija e vdekjes si një “Zonjë Futë”, e cila, i vjen poetit si “pamja e vdekjes”, me sy të përgjakur dhe trup të akullt, por në çastin e duhur shfaqet fryma e valë e Nanës dhe e merr në përqafim, duke ia hijeshuar edhe vdekjen. Sytë e përgjakur tashmë marrin dimensionet e gropave (pamje/fotografi që evokojnë) të syve të Nanës, ndërkaq akullnaja e dëftuar nga zonja Futë merr dimensionin e plafit të dheut që e ngroh poetin, ndërkaq Futa defigurohet dhe shprishet në trupin e bardhë të Nanës që si fije shprese e rrit hapësirën e shpëtimit nga ankthi i jetë-vdekjes.
Poezia N A N A nga vëllimi më i ri i autorit “ABC” (libër që fitoi çmimin kombëtar “Pjetër Bogdani” për 1995-tën) është pa dyshim një krijim unikat për shumë arsye. Në rend të parë për efektin e saj psikolinguistik dhe për figurshmërinë monumentale. Një vjershë vërtet antologjike, që e veçon aspekti i saj semantik në rrafshin letrar dhe etik në rrafshin botëkuptimor.
Poezia e Hamitit përgjithësisht është poezi emblematike e etnisë, poezi e esencave dhe e veçorive kombëtare, pra poezi e atdheut në planin ideotematik. Ndërkaq, poezia që do ta trajtojmë më poshtë ka një mbindërtim të verbit – ikonë që është e rrallë në poezinë e re shqipe.

2. Katër dimensione semantike të figurës Nânë

Figura e nanës në vjershën e Sabri Hamitit i ka katër dimensione të shenjës gjuhësore. Nana në këtë vjershë, vrojtuar nga aspekti i semantikës së fjalës, është emër-kuptim (polisemi) që do të thotë: për një emër më shumë se një kuptim. Pra, në kuptimin e parë parabiblik Nana ka veçoritë e qenies hyjnore reprodukuese të jetës, që lind jetën, krijueses së jetës. Në kuptimin e dytë Nana është mëmëdheu (në kuptimin mitologjik-dhemitra) që lind me “frymë e gjak”, si univers. Në kuptimin e tretë semantik nana është shenjtëri, si nanë që lindi birin e viktimizuar, Jezunë;
Dhe së katërti nana në këtë vjershë merr veçoritë e një prindi (të subjektit lirik).
Në rrafshin ligjërimor autori i drejtohet Nanës – si shenjuese e jetës, lindjes dhe hapësirës së qenies nëpër kohë, me pyetje retorike, do të thoshim me një qortim poetiko-etik. Metafora e Nanës në këtë vjershë e bën lidhjen midis “fjalës” dhe asaj që Ricoeur (Riker) e quan “ta shohësh sikur…”, e kjo lidhje është psikolinguistike, që konsiston në momentin e ndjeshmërisë dhe atë ikonik të metaforës. Gjuha poetike e Hamitit në këtë vjershë është një material i fortë që përmes metaforës paraqet shkrirjen midis një kuptimi dhe shumëkuptimësisë.
Në tri vargjet e para poeti krijon imazhin e një nëne e cila vdes në lindje, duke lënë pjellën jetim, e si pasojë përjetësisht të dëshpëruar.

Nëse je Nanë
Pse lind fëmijë me frymë e gjak
Dhe vret veten t’i bësh jetima

Në tri vargjet e dyta, autori me dëshpërim qorton Nanën pse nuk ua thotë fëmijëve Babën, (që është ngritur në qiell!) që është diku i vdekur, i rënë apo i humbur… Nisur nga përvoja e të mundshmës, jeta me babë do të kishte trajtë tjetër. Sipas S. Langerit “gjuha poetike paraqet përvojën e jetës së mundshme”.

Kur je Nanë
Pse nuk ua thua fëmijëve Babën
Po i humb sytë në qiellin bosh?

Ndërkaq, në trevargëshin e tretë poeti vë në lidhje kohën biblike me aktualitetin historik të qenies shqiptare, duke e dekonstruktuar figurën e Krishtit ne fotografinë-ikonë verbale të një fëmije të gozhduar, sot e këtu, tue lyp babë e liri. Mirëpo nga një kod etik, autori e ridimensionon figurën e Krishtit në një fëmijë të flijuar që Nana Shenjtore ua falë të tjerëve për shpëtim. Shkrirja e një kuptimi në disa sosh, dendësia e gjuhës që u bë lëndë, material, virtualiteti i përvojës që e artikulon ajo gjuhë joreferenciale, mund të përfshihet në konceptin ikonë… Sikur ikona në kultin bizantin, ikona verbale përbëhet nga shkrirja e kuptimit dhe ndjeshmërisë, ajo për më tepër është ‘send’ i fortë, monument…
Sipas mënyrës vitgenshtajniane te të menduarit, fjalët kanë për qëllim evokimin dhe nxitjen e fotografive.

Mbasi je Nanë
Pse vajton fëmijën e gozhduar
E ua fal të tjerëve si shpëtim?

A nuk na e jep fjala e zgjedhur e Hamitit fotografinë e gozhdimit të Krishtit? Apo pamjen e rekonstruktuar dy mijë vjet më pas, të një fëmije në rrugët e Kosovës?
Dhe në trevargëshin e fundit poeti e estetizon qortimin duke kërkuar nga shenja-Nanë, jo flijimin e vetes në lindje, as flijimin e pjellës për shpëtimin e tjerëve, që në rendin e gjërave është – paraqet gjymtim, po edhe qoftë flijimi gjymtim hyjnor. Poeti gjakon kthimin në rendin natyror dhe estetik: me vdekë në prehër të fëmijëve. Ky trevargësh krijon fotografinë e jetës konform rendit natyror të universit, përmes metaforës së gjallë (ikonizimit verbal) të Nanës, që vdes e lë vazhdën prapa.


Cila Nanë je
Ti Mari Mejreme a Gugu
Që nuk vdes në prehër të fëmijës?

3. Krijimi i fotografisë së gjallë në fjalë

Në tërë vjershën e Hamitit, që ka dymbëdhjetë vargje (4×3), që i lidh figura e Nanës dhe ideja e flijimit, ku jo vetëm që kuptimi dhe tingulli veprojnë në mënyrë ikonike, njëri ndaj tjetrit, por edhe vetë kuptimi është ikonik. Kjo është ikona dhe fotografia (ikonizimi verbal) që Ricoeur e quan “të shohësh sikur…”; ç’është kjo?
“Të shohësh sikur…”, është faktor të cilin na e zbulon akti i leximit dhe këtë nëse ai akt është “mënyrë në të cilën krijohet imagjinarja”. Është lidhje pozitive midis emetuesit dhe përmbajtjes; në metaforën poetike emetuesi metaforik është sikur përmbajtja. “Të shohësh sikur…” është raport intuitiv që i mban sëbashku kuptimin dhe fotografinë. Kjo në të njëjtën kohë është përvojë dhe akt. Talenti intuitiv për “të shikosh sikur…” – nuk mësohet thotë Ricoeur. Është dhunti.
“Fotografia poetike na çon në burimin e qenies që flet. Kënga e lind fotografinë: fotografia poetike bëhet qenie e re e gjuhës sonë, ajo na shpreh neve vetë duke na bërë ashtu siç ajo na shpreh; thënë me fjalë tjera, ajo njëkohësisht është lindja e shprehjes dhe e qenies sonë” – thotë Ricoeur dhe përfundon “Po, vërtet, fjalët ëndërrojnë”. / Pjesa e gjashtë (Ikona dhe fotografia) e studimit të gjashtë: Veprimi i ngjashmërive, nga libri Metafora e gjallë, Paul Ricoeur./
Fjala ka lindur së bashku me lindjen tonë. Dhe dhembja e Nanës që vajton pjellën e saj të viktimizuar… këtë ka dashur të na e thotë Hamiti. Kjo është ajo “të shohësh sikur…” në fjalë. Ikona e Niobës, Ajkunës. Shën Mëria..

*Botuar në Zëri, 23 dhjetor, 1995

ObserverKult