Bashkia e Tropojës organizon me 29 korrik sofrën bujare të Nikaj Mërturit në Curraj të Epërm për promovimin e vlerave turistike të jashtëzakonshme të kësaj zone dhe traditave nga më të rrallat në Shqipëri.
Tropoja është një nga destinacionet turistike malore më të preferuar nga turistët vendas dhe kryesisht të huaj sepse shpalos bukuri marramendëse të natyrë, alpet e larta, fusha bimësi e dendur, ah dhe pishë, gështenjë dhe boronica, bimë medisionale, ujra të kristaltë dhe përmes gjarpëron lumi i Valbonës, me bukuri të rralla.
Në vijim të udhëtimit promovues të destinacioneve turistike të zonës, pas Valbonës, gjithkush mund të jetë mysafir në sofrën bujare e fisnike të Nikaj Mërturit e pikërisht në Currajn e Epërm.
“Jo vetëm të huajt, por cilido prej nesh ngelet i mahnitur nga bashkëjetesa shekullore e historisë njerëzore dhe mrekullisë natyrore të kësaj zone të pashoq”, shprehet kryebashkiaku Biberi.
Organizimi do të ketë tingujt e Eposit të Kreshnikeve dhe valleve të Ansamblit “Dardania”, si një sfidë e vërtetë ndaj stresit që na ka shkaktuar pandemia si dhe sinjal i vërtetë i shpresës se jeta, normaliteti e shpresa do kthehen më fuqishëm se asnjëherë.
Nikaj-Merturi përbën jo vetëm një destinacion magjik për t’u vizituar por dhe një vend të veçantë për të investuar. /atsh