Nino Deda është artisti shqiptar që jeton prej vitesh në Gjermani. Nino ka lindur në Durrës më 8 gusht 1968. Nga qyteti i lindjes emigroi në vitin 1992, drejt Gjermanisë ku jeton me bashkëshorten dhe 2 fëmijët. Ai nisi që në moshën 5-vjeçare të luajë në firzamonikë dhe më vonë nisi pianon n shkollën e mesme artistike “Jani Kukuzeli. Studioi për kompozicion dhe piano në ish-Konservatorin e Tiranës (sot Universiteti i Arteve).
Rrugën drejt Gjermanisë, Nino e përshkruan të vështirë, për të cilën mund të shkruash edhe romane, por në fund, rrugë që të bën të ndihesh krenar.
Në një intervistë tejet interesante dhe të ndjerë në Dritare Tv, nga Gjermania ai zbuloi disa copëza nga jeta e tij, mes artit dhe viteve që kanë krijuar kujtime të pafundme.
“Unë në Gjermani bëj muzikë kishtare, kam studiuar për këtë, por mes viteve që kalojnë lidhja me Shqipërinë, muzikën, kulturën, traditën, të kaluarën, na lidh më shumë. Edhe pse nuk jam aktiv në rrjetet sociale, e ndjek shumë kulturën dhe muzikën dhe gjithçka që ndodh në Shqipëri. Ndodh ql sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë nostalgji kemi. Është gjë e natyrshme, e bukur. E kaluara jonë, tabani ynë është shumë i vyer, dhe më inspiron shumë. Kam dëshirë të luaj muzikë shqip dhe herë pas here e kam bërë një gjë të tillë”, rrëfen Nino.
Ai nuk lë pa përmendur se me dashurinë e tij, firzamonikën ka patur mundësinë të luajë muzikë shqip, për të treguar se rrënjët nuk harrohen kurrë.
“Ne sapo ishim lidhur dhe ime shoqe më kujton shumë herë se gjatë asaj kohe, ajo ra nga mësimet ndërsa unë vazhdoje me 10-ta”, kujton ai.
Ishte e vështirë të vije në një vend të huaj, të lije vendin tënd, dhe nuk e di çfarë do të bëja nëse do të rikthehesha edhe një herë në kohë”, thotë Nino.
Teksa zbulon se po merret me krijimin e një kantate me gjashtë pjesë, sytë i shkëlqejnë sepse është ajo pa të cilën nuk jeton dot, muzika. Në bisedë me Ninon, kupton se përmes fjalëve ai depërton thellësisht në pasionin e tij, muzikën e përmes muzikës depërton më thellë në çdo shpirt që muzikën e ka frymë, gjak, e ka dashuri të madhe.
Po, në cepa të fshehura të botës, janë artistë si Nino Deda që nuk e harrojnë Shqipërinë, që nuk shkëputen nga rrënjët, nga fjalët shqip, nga fjala, heshtja, nga qielli, nga fryma e frymës së nënës që thotë se “guri i rëndë në vend të vet”. Nino Deda është një gur i çmuar i muzikës tonë, në mes të krenarisë që na bën të ndjejmë kur mes fjalësh i shkëlqejnë sytë, se në fund ai flet shqip, frymon shqip, ai ruan pasionin e tij si një shqiptar. E vendi ynë ka nevojë për njerëz si Nino Deda që e duan dhe e tregojnë Shqipërinë me sytë e dashurisë./dritare.net