Nipi i të ekzekutuarit ia shtrin dorën e pajtimit djalit të Mehmet Shehut: S’ke faj për krimet e babait tënd kryeministër

Në kuadër të Ditëve të kujtesës që synojnë reflektimin mbi të shkuarën, një regjisor austriak e një shkrimtar shqiptar folën për familjarët na zistë e komunistë. Nils Olger e Bashkim Shehu u ndalën te ndikimi i biografisë në art dhe vështirësia e përballjes me të shkuarën e familjarëve.

Më 1949, 14 veta u vranë nga regjimi komunist në masakrën e Qafë Valmirit në Mirditë me një vendim të Gjykatës së Lartë mbledhur në Rrëshen pas një rekomandimi të Mehmet Shehut.

74 vite më vonë, nipi i një prej të pushkatuarve, Gjergj Marku i shtrin dorën e pajtimit, të birit të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, Bashkim Shehu.

Gjergj Marku u shpreh se Bashkim Shehu nuk ka faj për krimet e kryera gjatë regjimit komunist dhe përfshirjen e të atit në to.

Përballja e pinjollit të ish-kryeministrit me pasardhësin e një viktime të atij regjimi, u bë gjatë “Ditëve të kujtesës” organizuar nga IDMC.

“Është hera e parë që ne ballafaqohemi bashkë. E për rrjedhojë mbetet për t’u vlerësuar raporti yt me të kaluarën, pse jo 50 vjet por 83 vjet që mëkohemi me gënjeshtra”, tha Gjergj Marku, pasardhës i një prej të pushkatuarve.

Bashkim Shehu mori pjesë në një bisedë mbi ndikimin e biografisë personale në veprat artistike, bashkë me nipin regjisor të një na zisti austriak që shfaqi filmin “Kutia e hekurt”.

Regjisori Nils Olger pasi zbuloi veprimtarinë e gjyshit të tij, në një ekran të bardhë me shkronja të zeza, shkroi: Ai nuk është më gjyshi që kisha njohur, ai ka ndihmuar kriminelët dhe ka heshtur.

I pyetur nga pedagogia Jonila Godole për përballjen e tij personale me regjimin para dhe pas vitit 1981 kur Bashkim Shehu u dënua bashkë me familjen e tij pas vdekjes së të atit, shkrimtari e përkthyesi Shehu, foli për një dramë.

“Kjo është një dramë për mua. Por të kthehemi si e kam parë unë para 1981. Sigurisht që kam parë që nuk ishte siç e paraqiste regjimi, që ishte një regjim i bazuar mbi gënjeshtrën.

Përvoja, ajo që ndodhi, domethënë burgu, kontakti me të burgosurit, natyrisht më ka kthjelluar.

Pastaj normale, mbase jo normale, por i privilegjuar, nga pikëpamja materiale, por njeriu nuk jeton për gjërat materiale, ka gjëra që janë më të rëndësishme”, tha Bashkim Shehu, shkrimtar e përkthyes.

Ndërsa Gjermania njihet si shembulli më i mirë sa i takon përballjes dhe dënimit të së shkuarës së vet na ziste dhe ngritjes së siteve të kujtesës, sikundër vëmendjen ndaj çdo elementi që e glorifikon atë, Shqipëria në anën tjetër, bën krejt të kundërtën.

A ka të bëjë kjo me vazhdimësinë e elitave, apo me trashëgiminë politike në vend?

“Si e kam përjetuar, e kam përjetuar edhe para 1990-ës, edhe përpara burgut do të thosha. Për mua është një drama që një njeri kaq i afërt si babai, një njeri që më ka dhënë jetën, ka kontribuar në marrjen e jetës së të tjerëve, ose në shkatërrimin e jetës së të tjerëve, kjo është një dramë për mua.

Letërsinë natyrisht nuk e kam përdorur për këtë gjë, pavarësisht se kam edhe gjëra biografike”, tha Bashkim Shehu.

Si është e mundur që nëse kërkojmë të dimë se kush u distancua nga komunizmi, në mendje na vijnë Liri Belishova e Bashkim Shehu, por jo pinjollë të tjetër a familje të tjera të ish-nomenklaturës?

“Tani nuk e di, mund të them këtë nisur nga përvoja personale, është e vështirë, nuk është kollaj, nuk është një fjalë goje, të përballësh me të kaluarën e prindit tënd, për atë që kanë bërë.

Them se është e vështirë. Sa ka ndikuar kjo e sa ndikon në shoqëri, nuk di pse, dhe njerëzit nuk kanë pse shohin e marrin shembull fëmijët e ish pushtetarëve dikur”, u shpreh Bashkim Shehu.

Ai sqaroi se nga ana tjetër: “Se si perceptohet nga një brez në tjetrin, ata që nuk e janë përballur me të kaluarën e tyre vetë, krijojnë një imazh tjetër dhe nuk marrin përgjegjësi për aq sa kanë në masa të ndryshme.

Nuk po marr vetëm majat e pushtetit. Po flas për të gjithë. Dikush ka qenë bashkëpunëtor pasiv e dikush aktiv, dikush viktimë pasive.

Por në një mënyrë ose në një tjetër totalitarizmi këtë bën, që i ingranon të gjithë.

Kjo është e vështirë, për t’u çliruar nga totalitarizmi dhe ngaqë nuk kanë arritur ta bëjnë mendoj unë, njerëzit shpikin një të kaluar tjetër, kjo ju përcillet brezit tjetër, domethënë fëmijë të tyre, nipërve”./balkanweb

ObserverKult


Lexo edhe:

TMERRET E KOMUNIZMIT: MASAKRA E KOPLIKUT- VRASJE DHE DHUNË SHTAZARAKE MBI 60 BURRA E GRA

Vera e vitit 1948 në Koplik u mbyll në mënyrën më gjakatare të mundshme. Për më shumë se një muaj popullsia civile e Malësisë së Madhe, e njohur për qëndrimin antikomunist, u terrorizua dhe shumë burra e gra u rrahën, u torturuan dhe u vranë. Mes tyre edhe katër burra të shquar të atyre viseve, dy prej të cilëve, klerikë katolikë, u mbytën në kanalin e ujërave të zeza

Masakra e Koplikut është një plagë në historinë e Malësisë së Madhe. Plot 56 burra e gra, u burgosën, rrahën, masakruan dhe u vranë për të terrorizuar mbarë popullsinë antikomuniste të atyre anëve. Mes viktimave ishin edhe katër burra të njohur në Malësi: Dom Aleksandër Sirdani, Taro Keqi, Nikë Mark Rexha dhe Dom Pjetër Çuni.

Në një shkrim për gazetën “Dielli”, Sokol Paja rikujton Masakrën e Koplikut, duke sjellë në vëmendje figurën e Dom Aleksandër Sirdanit, një prej viktimave të atij terrori.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult