Nis projekti i restaurimit të Kafes së Madhe në Shkodër, i miratuar në vitin 2016 nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve të Shqipërisë, pas konsultimit me Këshillin Shkencor. Investitori ka nisur punën për zbatimin e projektit 5 vite pas miratimit dhe rimarrjes së lejes këtë mars nga Bashkia e Shkodrës.
Punimet që po kryhen në pjesën e pasme të Kafes së madhe kanë zgjuar frikën e qytetarëve se mos zhduket edhe ky monument i trashëgimisë kulturore në Shkodër. Nga ana tjetër drejtoresha Rajonale e Kulturës Kombëtare në Shkodër, Majlinda Laçaj, thotë se godinës do i ruhet identiteti, siç është parashikuar në vendimin e vitit 2016.
Leja e ndërtimit, parashikon restaurim dhe ndërtim 2 deri 3 kate si edhe një kat nëntoke. Arkitekti Artan Shkreli në dokumentarin kushtuar Kafes se Madhe në Shkodër, heq çdo dyshim se do ketë tjetërsim të Kafes së Madhe.
Kafja e Madhe simbol i qytetit te Shkodrës është shpallur monument i trashëgimisë kulturore në fund të viteve ’80 ndërsa deri në fillim të viteve 2000 ka qenë funksionale dhe pas këtij viti u la në degradim dhe rënie të lirë shkatërrimi./Simon Shkreli-Abcnews.al