Nis nga Shqipëria rrugëtimi i veprave origjinale të 3200 artistëve nga gjithë bota

“Parallel 42 – A Circle of Humanity” titullohet ekspozita e hapur në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri të Shqipërisë, një ekspozim i jashtëzakonshëm i veprave origjinale të 3200 artistëve nga e gjithë bota. Këto vepra ekspozohen për herë të parë në Tiranë si pjesë e koleksionit “Imago Mundi”.

“Parallel 42 – A Circle of Humanity”, është një ekspozitë krejt origjinale në mënyrën se si është konceptuar dhe ka marrë formë në hapësirën e dedikuar për të.

Projekti “Imago Mundi”, i Fondacionit Benetton, është një projekt global që synon krijimin e një gjeografie artistike të veçantë në llojin e saj, duke sjellë koleksionin pranë sa më shumë njerëzve, përmes ekspozitave, katalogjeve dhe internetit e duke inkurajuar një dialog të sinqertë me artin dhe me botën.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e shkurtër që mbajti para të pranishmëve theksoi se “në një kohë kur gjitha bota u izolua, kjo ekspozitë nisi të marrë jetë si një varg i pambarimtë përshpërimash nga të gjitha anët e globit”.

Kryeministri Rama falënderoi të gjithë ata që bënë të mundur çeljen e ekspozitës.

“Falënderoj të gjithë ata që bënë të mundur çeljen e ekspozitës, djemtë që e kuruan me shumë këmbëngulje, se siç u tha, të gjitha këto vepra vijnë nga të gjithë cepat e botës dhe është dashur një këmbëngulje e madhe për t’i sjellë të gjitha bashkë në këtë rreth.

Duke u kërkuar mijëra artistëve që të japin kontributin e tyre në atë kuadratin e vogël dhe duke mundësuar pastaj, pikërisht në një moment të historisë së njerëzimit kur njerëzimi u detyrua të izolohej nëpër shtëpi, nëpër qytete, shtete të ndryshme që ndërprenë plotësisht komunikimin, që kjo ekspozitë të marrë jetë si një varg i pambarimtë përshpërimash nga të gjitha anët e globit”, tha ai.

Nga ana e tij, drejtori i projektit “Imago Mundi”, Enrico Bossan në fondacionin Benetton, u shpreh se është hera e parë që ndodhet në Shqipëri.

“10 vjet më parë  “Imago Mundi” lindi me idenë e Luçiano Benetonit dhe ne menduam se ndodhi për të takuar njerëz që kanë fuqi për të bërë atë çfarë nënkupton “Imago Mundi”, larminë, pluralitetin dhe si sot në këtë vend apo në shumë vende të tjera koleksioni i “Imago Mundi” mund të ndihmojë të niset një diskutim, të bëjë njerëzit të ulen së bashku dhe të dëgjojnë një zë tjetër.

Kemi 15 koleksione, por ka vetëm një vend, vendi i artistëve. Kryeministri e di shumë mirë se është artist i madh. Artistët kanë një zë, një zë me rëndësi, nuk ka kufij sot. Kur kalojmë nga njëri vend në tjetrin nuk ka kufij”, tha ai.

Ekspozita udhëtuese jo vetëm e përkatësisë shtetërore të artistëve, por edhe veprave përgjatë paralelit 42 të globit, fton publikun të shkelë në vende në dukje të largëta, por që bëhen të afërta dhe të prekshme.

Itinerari në 15 vende nis në Shqipëri si kryqëzim i përhershëm i Evropës, duke i dërguar më pas veprat në Turqi dhe Gjeorgji, në Rusi, Korenë e Veriut, në Mongoli, Kinë dhe Japoni e më pas në Kanada e SHBA. Rrugëtimi vazhdon në Portugali, Spanjë, Itali e Francë dhe mbyllet në Bullgari./ATSH

LEXO EDHE: FOTOGRAFI TË RRALLA TË SHQIPËRISË SË VITEVE ’80-’90