Panairi i Librit “Tirana 2020” ka çelur siparin në atriumin e Muzeut Historik Kombëtar. Një ceremoni, që do të pasohet me rreth 60 aktivitete që kanë në qendër letërsinë shqipe edhe përkthimet gjatë tri ditëve. Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, kreu i Shoqatës së Botuesve dhe nënkryetarja e Bashkisë, e cilësojnë këtë një mundësi të mirë, ku lexuesit do të blejnë librat e preferuar, mes 8000 titujve që do të prezantohen përmes platformave online.
“Menduam që të nisnim këtë aventurë, një rrugë e panjohur, duke parë edhe eksperiencat e panaireve online. Kjo ide është mbështet nga shumica e botuesve. Gjatë katër ditëve të Panairit të Librit do të ketë më shumë se 60 aktivitete, do të diskutohet për probleme të mjeshtërisë së përkthimit”, shprehet Petrit Ymeri, kreu i Shoqatës së Botuesve.
“Mendoj se ky eksperiment do të jetë edhe më mirë për Panairin, ndoshta do t’i bashkohen më shumë se përherë të rinjtë, prandaj e shikoj këtë ndryshim mendësie të organizatorëve. Shumë pozitive. Ne e kemi mbështet në mënyrë simbolike nga QKLL, por pse jo dhe në vijim takime të tjera mund të mbështeten edhe nga MK”, shprehet Elva Margariti, ministre e Kulturës.
“Mendoj se përpos faktit se ky ishte 100-vjetori më i çuditshëm i Tiranës kryeqytet, që mund të kishim planifikuar ndonjëherë, të paktën për librin mendoj se mund të ketë shërbyer pozitivisht”, thotë Anuela Ristani, nënkryetare e bashkisë.
Autori i Vitit për 2019, me librin “Dëmtuar gjatë rrugës” Besnik Mustafaj, shprehet se vëmendja institucionale ndaj librit ka munguar në 30 vite
“Ky vit është shumë i vështirë për librin, njerëzit edhe ekonominë, por posaçërisht për librin për shkak të lidhjes së brishtë që ka lexuesi shqiptar për librin në këto 30 vite. Kjo lidhje ka mbetur e brishtë për shumë arsye objektive, por edhe për një përgjegjësi të politikës që ka qeverisur librin në këto 30 vite, e cila nuk ka dashur ta vlerësojë librin dhe të gjithë shërbëtorët e tij; librarë, botues, autorë dhe shpërndarës, në mënyrë që lidhja të jetë në rritje edhe jo e paqëndrueshme dhe e brishtë“, thotë shkrimtari Besnik Mustafaj.
Çmimet e Panairit do të ndahen ditën e diel, datë 15 nëntor.