Nis puna për restaurimin e banesës së familjes Shurdha, monument kulture kategoria e parë

Në qytetin e Shkodrës ka nisur puna për restaurimin e banesës së Muhamet Shurdhës, monument kulture kategori l.
Projekti i restaurimit është hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër dhe financohet nga buxheti i shtetit.Sipas DRTK-së, restaurimi përfshin kryesisht dritaret e drurit të banesës Shurdha, ku në kat të parë është parashikuar zëvendësimi i dritareve duralumini dhe vendosja e grilave të drurit.
“Në katin e dytë do të bëhet restaurimi i dritareve të drurit, zëvendësimi i elementeve drusorë të degraduar, pastrim dhe lyerje e kangjellave metalike. Gjithashtu do të ndërhyhet dhe në strehën e çatisë”, – tha DRTK.
Banesa Muhamet Shurdha, monument kulture kategori l, shpallur në vitin 1977 nga Ministria Arsimit dhe Kulturës, është ndërtim dykatësh. Ruan një mjedis ku përfaqëson mirë tipologjinë e fundit të shek XVIII dhe fillimit të shek XIX ku vlerësohet dekori i ambienteve të  brendshme, tavani oktagonal me rozetë rrethore me dimensione 4 x 4 m, dritaret, një trapazan, një dollap i gdhendur si dhe muret e pikturuara.
Është interesant të përmendet fakti se për të ruajtur bojën origjinale dhoma ka 200 vite që është në stadin fillestar të lyerjes.Familja e Muhamet Shurdhës është një ndër të shumtat familje shkodrane që në kohën e luftës së dytë botërore kanë strehuar familje hebreje./atsh