Në Kalanë e Krujës ka nisur puna për restaurimin e kullës simbol, së dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturëse Shqipërisë, Elva Margariti, e cila tha se “pas dëmtimeve të rënda nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, kanë nisur ndërhyrjet emergjente përforcuese në Kullën e Sahatit”.
“Bashkë me Milva Ekonomi inspektuam këtë kantier punimesh, ku do të kryhet një operacion shumë delikat për ruajtjen e këtij monumenti, por edhe për të siguruar jetën e banorëve, që jetojnë pranë saj. Projekti është realizuar nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHWB) dhe po zbatohet nga “Leon Construction”, nën mbikëqyrjen e Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Kjo ndërhyrje është mbështetur financiarisht nga “Prince Claus Fund for Culture and Development””, – theksoi Margariti.
Sipas saj, ndërhyrjet përforcuese do të ndahen në tre hapa: përforcimi paraprak i kullës, me fasha poliestri dhe binarë druri; përforcimi i plotë i kullës me elemente çeliku; instalimi i sistemit të monitorimit.
Dikur prej afro 16 shekujsh e identifikuar si edhe qendra e shtetit të Arbrit, kalaja e qytetit të Krujës, është ndërtuar mbi një kodrën shkëmbore të Krujës, me një lartësi prej 557 metra. Flamuri ynë kombëtar u ngrit pikërisht aty për herë të parë në 28 Nëntor 1443 nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu./ATSH