Edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar te Monodramës “Albamono” nisi në Maliq, me pjesëmarrjen e trupave teatrale nga 8 shtete, të cilat do të vlerësohen nga një juri profesioniste.
“Trupat vijnë nga tërë skajet e Evropës. Kemi nga Rusia e largët, Spanja, Kroacia, Rumania, Maqedonia e Veriut”, tha një nga organizatorët. “Sa bukur që vijnë në Maliq gjithë ato trupa nga bota”, u shpreh një pjesëmarrës.
Nata e parë e “Albanomo” mbërriti ndryshe pa prezencën e drejtorit artistik të këtij festivali Dhimitër Orgocka, i cili u nda nga jeta janarin e këtij viti, prandaj kjo natë u çel me filmin dokumentar në kujtim të Orgockës.
“Çelim festivalin me një dokumentar kushtuar Dimitër Orgockës. Ky dokumentar është modest duke pasur parasysh jetën e profesorit”, u shpreh një nga organizatorët.
“Ky dokumentar vjen pas shumë vite jete të tij me homazhin e atij njeriu që e ka krijuar. Sa mirë që ky festival vjen edhe pa Dhimitër Orgockën, por me të sigurisht pasi ai e ka lindur si festival”, tregoi një pjesëmarrës.
Nata e parë e festivalit u zhvillua përpara pallatit të Kulturës “Dhimitër Orgocka” në Maliq, i cili pasi u dogj vazhdon të jetë jashtë funksionit, ndërsa kryebashkiaku Gëzim Topçiu nuk ngurroi të bëjë një thirrje qeverisë për të rindërtuar godinën.
“Në radhë të parë është një kujtim për të madhin Dhimitër Orgocka. Një simbolikë jo thjeshtë pse ai e ka nisur dhe e ka vazhduar, por për të dhënë mesazhin se kjo do të vazhdojë edhe më tej ndër vite. Dhe për të bërë një apel që ky pallat kulture nuk duhet të rrijë kështu”, tha kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu.
Ky festival për 6 ditë me radhë do të sjellë prezantime dhe interpretime të ndryshme të artistëve ndërsa mbrëmja e parë u mbyll me një kaba duke përmbushur një nga dëshirat e Orgockes “Luani një kaba për shpirtin tim kur unë të mos jem”./shqiptarja.com