Nisi “Vjeshta Letrare” në Gjilan, edhe sivjet vjen me program të pasur

Sabit Rrustemi

Nëntëmbëdhjetë tetori i këtij viti në Gjilan shënoi nisjen e veprimtarive letrare të edicionit të 15-të të “Vjeshtës letrare…”, të cilat i ka ideuar dhe i organizon asociacioni alternative i shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubi “Beqir Musliu, në bashkëpunim dhe me Bibliotetkën e qytetit, “Fan S. Noli”.

Pas mirëseardhjes dhe përshëndetjes për të pranishmit nga ana e mr. Liridonë Mehmetit, e cila udhëhoqi veprimtarinë e parë hapëse të këtij edicioni, drejtuesi i Ars Clubit “Beqir Musliu”, shkrimtari Sabit Rrustemi, mes tjerash theksoi se nga 18 tetori i vitit 2010 , kur e nisëm këtë Manifestim, arritëm deri te ky 19 tetor i vitit 2024, për ta nis së realizuari Edicionin e 15-të, me po të njëjtin mision si dhe vullnet, madje tash, edhe me një përvojë e traditë të krijuar letrare, të cilën e trashëguam nga pararendësit tanë të kësaj fushe: Ali Huruglica, Rexhep Elmazi, Beqir Musliu, Musa Ramadani, Mirko Gashi, Ibrahim Kadriu, Ramadan Mehmeti, Hasan Bunjaku …prej të cilëve mësuam se çka është vlera letrare dhe, sa mund e dije na duhet për ta shpalosur po këtë vlerë, në publik.

Duke e vazhduar më tej fjalën e tij të rastit, shkrimtari Rrustemi potencoi se, “kjo “Vjeshtë letrare” që atë kohë përuroi dy librat e parë që i botuam atë vit, tash kur po i afrohemi edhe botimit të 200-të, paraqet qysh në hapje 6 libra të rinj poezish, ndërsa librat tjerë në prozë, në kritikë letrare e publicistikë, të botuar gjithashtu gjatë këtij viti, i lë për përmbyllje të këtij edicioni, bashkë edhe me 5 numra të revistës letrare “AGMIA”, duke e kaluar kështu shifrën prej 20 botimesh letrare. E, nga botimet e sivjeme, vetëm tri sosh janë mbështetur nga MKRS-ja si dhe Kompleti i veprave të Ali Huruglicës, që pret ta shoh dritën deri kah mesi i dhjetorit”.

“Po, edhe për kaq ne iu themi faleminderit e, veçmas për veprat e Ali Huruglicës që lexuesit, e në veçanti shkollarëve tanë, iu rikthehen me një përgatitje të denjë si nga ana profesionale ashtu edhe nga përkujdesja teknike, sepse e meriton ky emër i çmuar e letërsisë sonë për fëmijë”, tha Rrustemi.

Më pas, kritiku letrar e poeti Nexhat Rexha, si njëri nga shtyllat kryesore të këtij klubi shkrimtarësh, paraqiti një vështrim të thuktë letrar, për pesë vëllimet poetike, botuar nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu”,: “Netët e Karadakut” të shkrimtarit Ibrahim Kadriu, që vjen si ribotim me ndryshime pas 55 vjetësh, “Frymë atdhe-dashurie”, të kompozitorit Izet Kallaba, “ Kur dielli lind në bebëza”, të poetes së re, Zanë Mali si dhe “Dritën ti e ndeze” të poetit Ibush Vishi e, “Uni i ndarë” të Kaltrinë Berishës, gjithashtu poete e re, që solli librin e saj të parë. Ndërsa për librin e gjashtë poetik të këtij viti, “Era shtegton hullive të ëndrrave” (me 8 poetë nga Italia e jugut), foli më gjerësisht, studiuesi letrar, Anton Nikë Berishsa.
Më pas, poetët e pranishëm, Izet Kallaba, Ibush Vishi,, Zanë Mali e Kaltrinë Berisha, para një publiku të respektuar, në shenjë falënderimi u paraqitën me nga një poezi.

Në përmbyllje, organizatori i “Vjeshtës letrare”, krijuesve e ardashësve të pranishëm ua dha falas numrin më të ri të revistës AGMIA.
Veprimtaria e radhës e këtij edicioni është planifikuar për t’u mbajtur më 26 tetor, ora 15:00, në Bibliotekën e qytetit, ku do të përurohet romani i Mehmetali Rexhepit, “Lëkura e gurit”.

ObserverKult


Lexo edhe:

SABIT RRUSTEMI: EJA, MOS MBAJ MËRI…