
Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë dhe Kino Armata në Prishtinë, organizon ciklin kulturor “Netët e Filmit Shqiptar”. Një retrospektivë filmash të prodhuar në Shqipëri gjatë viteve ’70–’90, të cilët do të shfaqen nga shtatori deri në nëntor si pjesë e programit publik të kinemasë.
Mbrëmë, në një atmosferë të ngrohtë dhe me pjesëmarrje të lartë të publikut, përfaqësuesve të institucioneve në Kosovë, ambasadorëve dhe anëtarëve të trupit diplomatik, u çel në ambientet e Kino Armata në Prishtinë cikli kulturor “Netët e Filmit Shqiptar” – një nismë që bashkon përmes artit dhe kujtesës së përbashkët.
Ceremonia e hapjes u prit me entuziazëm dhe interes të madh nga audienca, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë të publikut në Kosovë me kinematografinë shqiptare. Mbrëmja u hap me filmin klasik “Përrallë nga e Kaluara”, si një homazh për mjeshtrin Dhimitër Anagnosti, i cili u nda nga jeta pak kohë parë, por vazhdon të jetojë përmes veprës së tij.
– Ky projekt është një bashkëpunim mes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë dhe Kino Armata në Prishtinë, me synimin për të ndarë dhe promovuar trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore.
Kujtojmë se gjatë javëve në vijim, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë disa nga veprat më të spikatura të kinemasë shqiptare, si:
* Koncert në vitin 1936 – Saimir Kumbaro (8 – 9 tetor 2025)
* Vdekja e Kalit – Saimir Kumbaro (29 – 30 tetor 2025)
* Kur xhirohej një film – Fehmi Hoshafi (3 – 4 nëntor 2025)
* Kapedani – Fehmi Hoshafi & Muharrem Fejzo (12 – 13 nëntor 2025)
Hyrja është falas dhe të gjitha shfaqjet janë të hapura për publikun, me një fokus të veçantë tek të rinjtë dhe nxënësit e shkollave, të cilët do të kenë mundësinë në shfaqet e dedikuara ekskluzivisht për ta që të lidhen me trashëgiminë historike të kinematografisë sonë, në gjuhët tonë të ëmbël shqipe.
“Netët e Filmit Shqiptar” është aktivitet i mirëfilltë i diplomacisë kulturore në veprim – një diplomaci që ndërton ura përmes kujtesës, krijimtarisë dhe vlerave tona të përbashkëta kombëtare.
Pra filmi i parë i programit, “Përrallë nga e kaluara” u shfaq mbrëmë.
Sinopsis:
“Përrallë nga e kaluara” nga Dhimitër Anagnosti
Marigoja 20-vjeçare është e dashuruar me Trimin, një djalë nga fshati i saj, por detyrohet të martohet me Gjinon, 14-vjeçar nga një familje më e pasur. Bazuar në motive nga poema satirike “14 vjeç dhëndër” nga Andon Zako Çajupi, ky film është një nga filmat komedi më të shquar në kinematografinë shqiptare, i realizuar nga një nga regjisorët më të mirë të filmit shqiptar, Dhimitër Anagnosti.
Skenari dhe Regjia: Dhimitër Anagnosti
Kompozitor: Limos Disdari
Drejtor Fotografie: Pëllumb Kallfa
Prodhuar nga: Kinostudio “Shqipëria e re”
Në role: Elvira Diamanti, Admir Sorra, Robert Ndrenika, Hajrie Rondo, Xhevdet Feri, Xhemil Tagani, Zef Mosi, Mimika Luca, Teli Stefani, Mira Minga, Baftjar Çena, Mehdi Malkaj, Margo Arseni.
Restaurimi 2K u krye në vitin 2015 nga Hungarian Filmlab, në Budapest, nën mbikëqyrjen e AQSHF.
Kush ishte Dhimitër Anagnosti?
Ishte një nga figurat më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare. Ai lindi në Vlorë në vitin 1936, kreu studimet për regji filmi në Moskë, dhe pas kthimit në Shqipëri u bë një nga themeluesit e kinemasë kombëtare moderne. Gjatë karrierës së tij ka realizuar dhjetëra filma artistikë ndër të cilët veçohen: ‘Ngadhënjim mbi vdekjen’, ‘Komisari i dritës’, ‘Lulëkuqet mbi mure’, ‘Horizonte të hapura’ dhe ekranizimi i romanit të Kadaresë ‘Kthimi i ushtrisë së vdekur’. Anagnosti është vlerësuar për aftësinë e tij për të sjellë në ekran realitetin shoqëror, dilemat morale dhe dramën njerëzore me një gjuhë filmike moderne e të fuqishme. Pas viteve ’90, ai kontribuoi edhe në jetën publike si Ministër i Kulturës dhe më pas themeloi fondacione për mbështetjen e artit dhe kinemasë shqiptare. Ai ndërroi jetë më 1 shtator 2025 në Tiranë, në moshën 89-vjeçare.
ObserverKult


Lexo edhe:






