Nisin punimet e mirëmbajtjes në Tumën e Kamenicës në Korçë

Në Tumën e Kamenicës, ekipi i DRTK Korçë ka filluar punimet e mirëmbajtjes së monumentit.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bën të ditur se problematikat në gardhin rrethues, pergolat, ambientet ndihmëse dhe murit janë duke u riparuar sipas projektit të hartuar nga DRTKK.

“Për një guidë sa më të përshtatshme për turistët dhe për mbrojtjen e monumentit nga faktorë të ndryshëm, janë parashikuar punime, në ringritjen e pergolës së dëmtuar, rindërtim dhe riparim në të gjithë gjatësinë e gardhit të rrëzuar, riparim i derës hyrëse, rindërtim i murit në pjesët e dëmtuara  dhe të gjitha punimet e mirëmbajtjes në elementët e drurit”, bën të ditur DRTK Korçë.

Po ashtu, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka publikuar foto nga Tuma e Kamenicës si ftesë për turistët për ta vizituar atë pas përfundimit të punimeve duke respektuar rregullat e distancimit social.