Nga Mal Berisha
Si u njoha me Charles Telford Erickson?
Në vitin 1999, në përvjetorin e 90-të, të daljes në dritë të gazetës DIELLI, pata nderin të mbaja një kumtesë përpara anëtarëve të Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës VATRA, në New York. Tema ishte e lidhur me kontributin e disa amerikanëve shumë të shquar ndaj çështjes shqiptare. Ndër ata emra kisha veçuar edhe atë të Dr. Charles Telford Erickson. Vepra e tij ishte aq e madhe, aq e larmishme dhe aq e dobishme sa më rrëmbeu pas vetes në një punë kërkimore dhe studimore shumëvjeçare. Ky emër i madh, i harruar qëllimshëm nga diktatura komuniste deri në atë kohë, ishte zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Vepra e tij amerikane, më e dukshmja që jetonte mbi token shqiptare, ishte Shkolla Bujqësore në Golem të Kavajës, të cilën ai e ngriti me shumë mundime dhe e inaguroi më datën 20 Shtator të vitit 1925.
Në rrjedhë të viteve, asaj i ishte ndërruar emri, i ishte zhdukur historia dhe ishte lënë në një harresë vrastare për mëse pesë dekada.
I tërhequr me pasion rreth jetës së këtij njeriu, iu vura një punë të palodhur e cila u përmbyll me botimin e librit në tre volume:
Charles Telford Erickson – Për Shqipërinë dhe në Shqipëri
Libri u përurua me datën 5 Nëntor 2012, në nderim të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në inagurim mori pjesë Ambasadori Amerikan Alexander Arvizu dhe të gjitha autoritetet shqiptare të kohës.
Për ta bërë sa më të njohur veprën e këtij njeriu u angazhova në një seri promovimesh me audienca nga më të ndryshmet, përgjithësisht heterogjene dhe në salla shumë prestigjioze, brenda dhe jashtë (vendit) – Shqipërise, si në Londër, Gjenevë, Vjenë, New York, Prishtinë…
Degradimi dhe shkatërrimi i objekteve shkollore të ndërtuara nga amerikanët në Golem.
Në verën e vitit 2020, edhe pse në kushte pandemie vendosa ta vizitoja për të disatën herë shkollën që mban emrin e tij në Golem. Aty pashë se ishte ngritur një shkollë e re moderne, me financat programit evropian të integrimit IPA. Pashë gjithashtu që konvikti i Erickson – it po rrënohej e bashkë me të trashëgimia amerikane. Për mendimin tim kjo po ndodhte krejt pa arësye.
Thjesht ishte gjetur një sebep:
Tërmeti.
Ndërtesës i kishin shembur çatinë. Muret ishin aq solide sa nuk kishte tërmet që mund t’i rrënonte por ndërtuesit “donin punë”…!
E ngrita zërin sa munda, në gazeta, në televizion, por askush nga ata që i marrin ato vendime, nuk më dëgjoi. Vizitova edhe Kinemanë e Shkollës, e cila ishte lënë në degradim të qëllimishëm për të gjetur më vonë një shkak për ta rrënuar edhe atë dhe për t’i bërë dikujt favorin e radhës për ndërtim e ndonjë hoteli…!
Kështu pra, po zhdukej dhe po zhduket i pari objekt historik i pranisë amerikane në truallin shqiptar.
Pas vizitës në shkollë, bëra një donacion me një numër të konsiderueshëm librash që kishin të bënin me biografinë e shkollës dhe të themeluesit.
Duke parë prirjen që ekziston për fshirjen nga faqja e dheut e të tëra objekteve historike në vendin tonë, vendosa të bëja gjithçka që të mundja për ta përjetësuar veprën e atij amerikani:
Përjetësimi i veprës së Charles Telford Erickson-it në një bust prej bronxi.
E bisedova këtë çështje me autoritetet lokale të Kavajës të cilët shfaqën gatishmërinë për ngritjen e bustit të themeluesit të asaj shkolle.
Pasi u sigurova, e takova mikun tim, skulptorin e njohur, Kreshnik Xhiku, me të cilin kishim ngritur edhe bustet e Skënderbeut në Londër dhe në Munxhufuni – Itali. Duke shfrytëzuar galerinë aq të pasur të fotografive që disponoja, skulptori arriti të modelonte në allçi një bust të Erickson – it i cili kishte të tëra tiparet e tij, të theksuara në një portret intelektuali, diplomati, dijetari, njeriu të urtë e misionari me zemër të butë e vepra të mëdha. Kreshniku e punoj atë vepër me shumë dashuri, bazuar në të dhënat biografike që e lidhnin atë me Shqipërinë, me shkollën dhe me jetën shqiptare.
Në jakën e majtë të xhaketës ai skaliti medalionin e bukur që Erickson e kishte marrë nga mbreti Zog, si “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” dhe që e mbajti me vete deri sa vdiq. Ajo medalje sot gjëndet në murin e Kishës Shqiptare të Shën Gjergjit, në Boston.
Pas kësaj na duhej që busti të derdhej në bronx. Kështu ndodhi. U gjet edhe fonderia. Me një veprim shumë bujar na ndihmoi nipi i vetë heroit të bustit, babai i të cilit kishte jetuar katër vjet në Tiranë dhe Elbasan (1908-1912), Paul Erickson Jr., nga shteti Oregon, në ShBA ku ai jeton. Ai e kishte vizituar shkollën në vitin 2012, kur ajo mori emrin e gjyshit të tij. Bashke me të ishte edhe motra, Mary Morris dhe djali i tezez, Donald, i biri i Grace Johnson – Erickson, e cila kishte jetuar në Elbasan foshnjërinë e saj.
Fondi i siguruar prej tyre dhe të afërmve të tyre, bëri që busti të realizohej si një vepër e denjë artistike, e skalitur bukur e me mjeshtri, e derdhur në një masë solide metali dhe i vendosur në piedestalin prej mermeri të zgjedhur e shumë cilësor.
Busti i Charles Telford Erickson – it sot qëndron krenar përpara asaj shkolle. Nxënësit e sotëm dhe shumë breza të mëparshëm, nga ata që jetojnë, ose fëmijët e tyre tanimë, kanë një vend ku të shfaqin nderimin e tyre për themeluesin e shkollës, të vendosin një tufë me lule dhe të ndjehen krenarë për atë shkollë. Ata janë krenarë pasi janë edukuar ose edukohen në të parën shkollë amerikane në Shqipëri dhe të vetmen e cila nuk e ka ndërprerë veprimtarinë e saj që prej 96 vjetësh, pavarësisht rrebesheve të historisë, pavarësisht ndërrimit të rregjimeve dhe pushteteve dhe emrave të vetë shkollës.
Ngritja e bustit të Charles Telford Erickson – t, është një vepër që nderon jo vetëm themeluesin e asaj shkolle por edhe tërë ata amerikanë që dhanë mësim aty, tërë ata mësues dhe nxënës që dhanë mësim dhe morën mësim aty. Po ashtu nderon ata që kontribuan për ndërtimin e asaj shkolle midis të cilëve gjënden emra njerëzish nga më të thjeshtët deri tek një emër i madh i Historisë së Amerikës:
Herbert Hoover – Presidenti i 31 – të i ShBA – së.
Ai dhuroi në fondin fillestar të shkollës 10.000 dollarë nga llogaria e vet personale, në kushte anonimiteti.
Uroj që kjo shkollë të ketë jetëgjatësinë e metalit në të cilin është derdhur busti si dhe të ketë edhe vëmendjen e Ambasadës së sotme Amerikane siç e pati kur ajo u themelua në vitet ’20 – ’30 të shekullit të kaluar.
Kjo gjë nuk do të bëhej dot pa mjeshtrinë e skulptorit Kreshnik Xhiku dhe kontributin e nipërve dhe mbesave të vetë Erickson – it, emrat e të cilëve janë të skalitur në faqen anësore të piedestalit.
Jam shumë i lumtur, që ne të gjithë së bashku ia arritëm që atë bust ta ketë në oborr Shkolla Profesionale “Charles Telford Erickson” në Golem të Kavajës.