Në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta e publicistit dhe reportazhistit Fatos Baxhaku, familjarët edhe miqtë e tij i plotësojnë amanetin. Libri “Në emër të Noes, zëra arbër e shqiptarë nga Mesdheu i shekujve XV-XIX” sheh dritën e botimit.
Gazetari edhe botuesi Benet Koleka rrëfen njeriun e penës!
Tek njerëzit, ai vinte si përçues i lajmeve të mira. Për ato më të trishtat, pena e Tos Baxhakut, krijonte një shteg ndërgjegjësimi a rrugëdalje, me një delikatesë e logjikë të tillë, që pothuajse askush, s’mund t’i shpëtonte reflektimit. Edhe këtë njëvjetor të ndarjes nga jeta ai është pranë nesh. Të afërmit e miqtë e dashur, e sjellin amanetin e tij tanimë të përmbushur, pranë lexuesit. Gazetari dhe botuesi Benet Koleka na rrëfen se libri “Në emër të Noes, zëra arbër e shqiptarë nga Mesdheu i shekujve XV-XIX ” e sjell Fatos Baxhakun (Tiranë, 9 janar 1964 – 16 gusht 2019) në të gjitha dimensionet e tij, si historian, kërkues, gazetar, rrëfimtar të pashoq, e human.
“Këtë botim e sjell familja e tij, e bija, i vëllai dhe të gjithë miqtë e tij, me të cilët ai punonte për librat. Në një farë mënyre, kjo është përmbushja e amanetit… Ideja për librin, siç thotë gazetarja Klodiana Kapo, ka lind kur kanë bërë një reportazh për të parë pasardhësit e fundit të afrikanëve në Ulqin. Libri në dukje është i vogël, por në vetvete është shtrydhja e mijërave faqeve e të historive të shkruara nga historianë të tjerë, vendas edhe të huaj, që Tosi i ka qëmtuar me kujdes”, rrëfen Koleka.
Një histori pak e njohur ajo e arbërve në Mesdhe, përballja me forcat e mëdha si Venediku apo Perandoria Osmane. Pirateria, koklavitjet fetare, fatet e arbërve pas vdekjes se Skënderbeut, të rrëmbejnë në historinë tonë të hershme, që shpaloset me mjeshtëri të rrallë. Një libër për të gjithë brezat, pas së cilës fshihet një punë e gjatë kërkimore në tekste, dokumente arkivore dhe natyrisht, vizitave në terren.
“Tosi ishte historian fillimisht, prandaj duhet të themi se gjatë gjithë jetës ka bërë një studim të thellë dhe shumë të kujdesshëm për këto ngjarje, që sot na vijnë të ngjeshura në një rrëfim të bukur, pothuajse të pabesueshme disa herë për fatet e këtyre arbërve, që pas vdekjes së Skënderbeut fati i hodhi sa në një cep të Mesdheut, në tjetrin”, tregon Koleka.
Ishte kjo një nga karakteristikat më të forta të shkrimeve të Baxhakut, terreni, takimi nga afër me njerëzit, magjia e komunikimit të tij, fotografimi i realiteteve, duke i sjellë ato “të gjalla” tek lexuesi. E duke e bërë këtë të fundit shoqërues të rrugëtimeve e takimeve të tij.
“E para, ishte standarde me Tosin, që në pesë e gjysëm duhet të niseshe nga Tirana. Gjithmonë atje ku shkonte kishte një mik që e priste. E veçanta ishte që njihte zonën shumë mirë, historinë e njerëzve, zakonet, ritet e tyre dhe ndikimin nga feja në gjëra të caktuara. Shihte gjëra që unë nuk i shihja dot. Teknika e tij e të intervistuarit ishte e mrekullueshme. Nuk ndihej që po intervistonte dikë, fliste lirshëm dhe futej në bisedë. Njerëzit ishin të ç’tendosur, regjistruesin se kam parë ndonjëherë që ta përdorte, bllokun herë pas here, por jo që njerëzit të viheshin në siklet. Ai kridhej në këtë lloj përvoje dhe merrte gjërat që i duheshin. Bëhej miq me të gjithë këta njerëz, krijonte marrëdhënie të afërt me ta”, përshkruan Koleka.
Një vit pas vdekjes, Baxhaku është pranë nesh. Pavdekësinë e fitoi si një emblemë e gazetarisë, por edhe si autor i ndjeshëm e serioz i dokumentarëve televizivë e shumë librave, si “Shoqëritë fisnore e Shqipërisë së Veriore”, “Gur”, “Roje”, “Çadra e Kuqe” apo “Gra të përgjithshme”, që do t’u shërbejnë edhe brezave që do vijnë./Shqiptarja.com