Nga Esmeralda Shpata
Atë mbrëmje, porsa u fut në shtratin e tij të ngrohtë, mbylli sytë dhe kaloi nëpër mend gjithçka.
Era lëvizi pak perden. Hëna iu derdh e gjitha mbi trup. Sytë kërkonin të shihnin. Një fëshfërimë ndjeu. Një flutur krahgjerë i qëndroi mbi dorë. “Shtyhu tutje,-i tha, – më bëj pak vend dhe mua.”
E njohu, ishte po ajo që i rrinte mbi kokë, të parën atë shihte çdo mëngjes, qe ajo që e ndiqte gjithkund. Ajo dukej mes mijëra të tjerave, ishte flutura e tij.
U tërhoq në cep të krevatit dhe iu lut: “Të përgjërohem! Më ler të prek krahët e tu të pluhurta, të prek dhe adhurimin tim për to.”
Flutura e vështroi me sytë e ujtë e të njelmët. Përnjëherësh i solli kujtimet e vajzave dhe grave të jetës. Ai e shikonte pa zemërim, kuptonte emocionin dhe njeriun, kuptonte dëshirën dhe të vërtetën e tij.
U shqetësua… dhe ndërgjegjja e tij…
Ajo që kishte për të bërë tani ishte e vështirë. Të mendonte ishte shumë e vështirë.
Gjatë ditës endej në mes të njerëzve. Gjithmonë e kishin goditur kur kishte të drejtë. Askush nuk ia kishte dëgjuar mërmërimat. Vetë mësoi të ngjitej e të hidhej nga dega në degë për të shpëtuar. Askush nuk e shihte ç’bënte. As dështimin s’e shihte kush.
Vetëm dëgjonte zhurmën e dallgëve të turbullta, vetëm fjalosej me hijen e tij, vetëm klithmën e kukuvajkës, vetëm lëngesat e largëta. Vetëm!
Fjetën të dy.
Ajo i qëndroi tërë natën mbi gjoks.
Kur u zgjua një drithërimë iu përhap nëpër trup. Gjithë natën kishte ndier praninë e dikujt. Diçka e ndukte. Një lagështi sikleti iu krijua. Ai u trondit dukshëm. Kjo do të thoshte se askush nuk kishte nevojë për të.
Kërkoi me sy. Prapë vetëm.
Insekti i hijshëm, me barkun ngjyrë trëndafili, dergjej mbi nënkresë i shpërbërë. Sytë e saj të shndritshëm kishin marrë grinë e reve.
*Titulli i origjinalit: “Flutur mbi prozë”
(Shkëputur nga “Tregimet e një personazhi”)
ObserverKult
Lexo edhe:
ESMERALDA SHPATA: TI E DI, MEZI MBIJETOVA NGA VDEKJA!
Nga Esmeralda Shpata
Dëgjomë!
Ti e di, po s’më lëndove unë nuk mund të të dua. Në qoftë se unë nuk e ndiej gjëmën, si mund të të dua?! E mban mend kur më braktise, kur më le mes katër rrugëve për një nga ato të lëvizurat e vogla?!
Sa shumë të desha atëherë, i përmbysi dashuria të gjitha rastet e tjera. Sa nuk u çmenda nga dhimbja. Ti e di, mezi mbijetova nga vdekja. Kur e mora veten nga sëmundja dhe u bëra më mirë, shkova dhe mblodha të gjitha lulekuqet që kisha parë. Bleva ftesa dhe të përgatita funeralin.
Ti erdhe i lemeritur nga çmenduria ime, më gjuajte mes gjindjes me këpucë.
ObserverKult