Studiuesi Pirro Misha e fton publikun, që përmes leximit të romanit të dytë të publicistit Mustafa Nano , të rrugëtojë “Një javë në Manastir” (botim i UET press), për të parë nga një këndvështrim i palëvruar më parë një nga ngjarjet më kulminante që ngjau në vitin 1908.
I ushqyer siç thotë Misha “nga burime të dorës së parë”, ku fiktiviteti i jep lirinë e të shprehur, duke i përngjarë, por pa imituar realitetin, Nano na zhvendos Manastirin e fillimshekullit XX. Është një histori që e ka joshur e ngacmuar të thellohet në kërkime e literaturë, për t’ia propozuar më tej lexuesit “zbulimin” e tij përmes gjuhës së letërsisë.
“‘Një javë në Manastir’, e kam parë si një libër të nevojshëm. Një libër që duhet ta bëja, pasi ndonjëherë na gënjen mendja se e njohim mirë historinë e këtij vendi, por më tej zbulojmë që kjo njohje nuk është e mjaftueshme. Gjithmonë mund të gërmohet, mund të rrënohet në historinë e një vendi, sidomos kur ajo është komplikuar, si në rastin e Shqipërisë sonë”.
Zhvendosja 112 vite më parë në kohë e këtij romani, sjell, siç tregon Nano edhe një fotografi të asaj periudhe, duke zbuluar përmes rrëfimit Shqipërinë dhe Ballkanin e asaj kohe. Gazetari tregon se zgjedhja e ‘qytetit të konsujve’ si vendin ku do të zhvilloheshin ngjarjet qe e kollajtë për të.
Manastiri në fillim të shekullit XX ka qenë Ballkani ‘par exellence’ dhe veçohej ndër qytete edhe për natyrën e tij multietnike”, tregon Nano më tej. Mes dilemave për përzgjedhjen e personazheve, braktis idenë e një figure të rëndësishme historike vendase ,dhe ia beson protagonizmin, Robertit, një udhëtari të huaj që ka vizituar Shqipërinë. Një zgjedhje kjo e ndikuar siç thotë, edhe nga leximet e shumta të shënimeve të udhëtarëve të huaj, si Edith Durham, që në periudha të veçanta qëndruan e shkruan për vendin tonë.
“Kam lexuar pjesën më të madhe të këtyre udhëtarëve dhe gjithmonë jam përpjekur të njëjtësohem me ta. E kam zhvendosur veten në atë kohë dhe jam përpjekur të shikoj ngjarjet me syrin e atyre njerëzve. Në këtë libër përpiqem të shikoj Ballkanin dhe botën shqiptare me sytë e një anglezi, që përveçse është vizitor ka edhe halle të tjera”, shton Nano.
HISTORI DHE “FICTION” NË KONGRESIN E NANOS
Botuesja Suela Bala, thotë se romani “Një javë në Manastir” i Mustafa Nanos, “dëshmon një qëmtim të thelluar në të gjitha faktet dhe kontekstin historik, si dhe një skrupolozitet të spikatur”.
Po ashtu, studiuesi dhe publicisti Pirro Misha, veçon në të përpos anës letrare, edhe elementin kremtues.
“Në këtë roman historik ai arrin të rindërtojë një realitet. Një realitet, që ndonëse me personazhe fiktivë, është shumë e qartë të kuptohet se kush qëndron pas tyre”, shton më tej Misha.
Nano nga ana tjetër e pranon natyrën historike të romanit, por i kërkon lexuesit ta marrë me rezervë çdo përngjasim apo përkim të mundshëm, pasi personazhet e tij letrarë “nuk përshkruajnë në mënyrë besnike” ata historikë.
“Kush pret të lexojë të përshkruar jetën e Edith Durham, Gjergj Fishtës, Mit’hat Frashërit, Luigj Gurakuqit, Faik Konicës etj., do të ngelet i zhgënjyer, sepse personazhet e këtij romani i përfaqësojnë vetëm pjesërisht”, thotë ai më tej./panorama