Një kohë që mund të na ikte pa u vërejtur!

Shënimet e Fejzi Bojkut në formë ditari nuk janë vetëm të karakterit privat sepse në to gjejmë reminishenca të një kujdesi kreativ njerëzor lidhur me problemet sociale të cilat e rrethojnë. Këtë kujdes dhe shqetësim ai e shpreh me sinqeritet të plotë dhe gjithmonë duke kërkuar përgjigje për shumë çështje ideore dhe dilema që shfaqen gjatë proceseve nëpër të cilat kaloi shoqëria gjatë viteve të tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta

Nga EMIN AZEMI

Njerëzit mund të mbajnë ditar për shumë arsye, dhe në të shumtën e rasteve ditarët janë bërë objekt analizash e studimesh mbi një personalitet që përmes ditarit të tij ka ruajtur të paprekur një pjesë të padukshme të jetës së tij. Pikërisht ky dimension biografik i autorëve që kanë mbajtur ditar, është përfshi pastaj në korpusin më të gjerë tematik e problemor, duke ndihmuar në ndriçimin sa më të mirë të jetës dhe veprës së autorëve të caktuar.
Ka ndodhur gjithashtu që rrjedha biografike e një personaliteti, qoft i artit, i diplomacisë apo i shkencave, të pësojë ndryshim thelbësor pasi që janë zbuluar detaje të panjohura të gjetura në ndonjë ditar të tyre. Pikërisht këto detaje kanë determinuar edhe një dipotri tjetër gjykimi mbi veprimtarinë e tyre, sepse në të shumtën e rasteve gjurmët e jetës së një shkrimtari, artisti, diploamti, shkencëtari  i shohim të zënë vend edhe në veprimtarinë e tyre. 

Ditarët zakonisht kanë shërbyer si burim informacioni, pasi që shumë emra të njohur kanë ruajtur shënime të cilat më vonë i kanë botuar si ditarë, kujtime ose memoare. Shpesh ka qëlluar që ato ditarë pastaj shkrimtarët dhe skenaristët t’i kenë shfrytëzuar duke i shndërruar në vepra letrare ose kinematografike, sepse ditarët e tillë përmbajnë tema komplekse, drama dhe fate njerëzore.

Edhe shkrimtari ynë Fejzi Bojku jo vetëm që ka dëshmuar aftësitë e tij kreative letrare, por ka mbajtur shënime për ngjarjet dhe njerëzit e kohës me të cilët ka jetuar. Shënimet e tij pasqyrojnë periudhën e viteve të tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

Mund të shpresojmë se edhe këto shkrime mund të shfrytëzohen në forma të tjera kreative, për ndonjë roman, tregime, ose krijime poetike.

Autori i këtij ditari voluminoz në dy vëllime, i cili pothuaj tërë jetën e kaloi me dy revistat e njohura (“Gëzimi” e “Fatosi”) dhe krijimtarinë për fëmijë dhe të rinj, dikur u bind se botën e politikës dhe etjen për pushtet dhe pasuri nuk e njihte sa duhej.

Më në fund, ashtu si thotë edhe vet Fejzi Bojku në ditarët e tij, mendimet dhe vlerësimet për të tjerët nuk mund të jenë kriter absolut i të vërtetës, sepse ato janë të natyrës subjektive dhe në vartësi nga çastet dhe rrethanat e caktuara ideore dhe kohore.

Në ditarët e tij F. Bojku ia ka arritur të ndërtojë parabola rrëfimesh përplot kreativitet, të cilat ndërlidhin anët e ndryshme të botës. Ai vet është dëshmitar i kësaj lidhjeje, sepse ka qenë pjesëmarrës në udhëtime dhe ngjarje të tilla.

Posaçërisht frymëzuese janë udhëtimet e tij në Amerikë, Gjermani dhe vende të tjera, ku gjithmonë në një kënd të kujtesës ndriçon malli dhe kujdesi ndaj familjes, lidhjet me vendin e punës, si edhe problemet që preokupojnë shoqërinë dhe njerëzit me të cilët ai ka bashkëpunuar dhe bashkëjetuar.

Duke udhëtuar dhe biseduar, në kontaktet me njerëz, sidomos me ata të familjes së afërme dhe të fëmijërisë, Fejzi Bojku, njëkohësisht edhe mediton për ngjarjet dhe bisedat të cilat i bashkon në një kuti magjike të mbresave, të cilën e ruan me dashuri dhe fanatizëm.

Në ditarët e tij ai pasqyron ndriçimet dhe hijet e jetës së kurbetçinjve tanë në Amerikë, të cilat për të tjerët janë jo aq të njohura.

Përshkrimi i këtij realiteti bëhet thuaj në mënyrë telegrafike, mirëpo edhe mjaft  thelbësore dhe i bartur me plot detaje përcjellëse.
Shënimet e Fejzi Bojkut në formë ditari nuk janë vetëm të karakterit privat sepse në to gjejmë reminishenca të një kujdesi kreativ njerëzor lidhur me problemet sociale të cilat e rrethojnë. Këtë kujdes dhe shqetësim ai e shpreh me sinqeritet të plotë dhe gjithmonë duke kërkuar përgjigje për shumë çështje ideore dhe dilema që shfaqen gjatë proceseve nëpër të cilat kaloi shoqëria gjatë viteve të tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta.

Dilemat e Fejzi Bojkut janë të natyrës njerëzore, dilema të një shkrimtari, por gjithsesi edhe edhe të një intelektuali dhe krijuesi të njohur.

Shikuar nga një këndvështrim i këtillë, para nesh del një Fejzi tjetëri, të cilin nuk e kemi njohur sa duhet, një Fejzi që gjatë tërë jetës ka matur pulsin e kohës me ritmin e shqetësimit dhe kujdesit të tij të brendshëm.
Duke pasqyruar ngjarjet dhe mendimet në formën e ditarëve, ndoshta edhe duke mos qenë plotësisht i vetëdijshëm, shkrimtari ynë me këto shënime para nesh ka pasqyruar një formë shkrimi, e cila kombinon me mjeshtri pedanterinë e kronikut me mjeshtërinë krijuese të rrëfimtarit.

Këta ditarë janë një pasqyrë narrative kronike e ngjarjeve dhe rrjedhave jetësore, të cilat mund të na iknin pa i vërejtur.

Me këto vëllime biografike veprimtaria jonë botuese po begatohet me një gjini shumë pak të trajtuar te ne, kurse shkrimtari ynë i nderuar Fejzi Bojku do të bëhet nxitës dhe inkurajues edhe për autorë të tjerë.

ObserverKult