Nga Meri Lalaj
Këto ditët e fundit lexova librin e Ag Apollonit “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, lexoja faqe pas faqeje me lot në sy. Kam lexuar edhe plot libra të tjerë, të cilët bartin në brendinë e tyre atë çka ngjarë në Kosovë në fund të shekullit të njëzetë. Mund të ndodhë që ndërsa lexojmë një libër të mendojmë se ato që shkruhen në të jenë trillime të fantazisë së autorit, në këtë rast nuk ndodh kështu prandaj dhe Ag Apolloni e ka quajtur librin e vet “Dokuroman”, sepse ky libër është i mbështetur tërësisht mbi të vërteta, mbi të ngjarat e luftës së Kosovës.
Kur përmendim tragjeditë e dikurshme mendojmë: “Ouh, këto kanë ngjarë dikur në kohën e grekëve apo Shekspirit!” pa na shkuar fare në mendje se “Historia përsëritet!” Autori përmend dramat e humbura të Eskilit dhe për habi thuajse të gjitha titullohen me emra të gjinisë femërore, sikur kërkon të përgatisë lexuesin për fatin e femrave në Kosovën e përvëluar prej serbëve. Autori aludon teksa përmend humbjen e tragjedive të Eskilit, sepse Kosovës iu zhdukën në kohën e luftës shumë biblioteka personale, dorëshkrime, piktura, fotografi, kujtime dhe më kryesorja mijëra bij e bija të saj.
Autori vë paralel Niobën e dikurshme të tragjedisë antike e shndërruar në gur nga humbja e bijve dhe burrit, ndërsa Ferdonija, nëna që ka humbur në luftën e Kosovës katër bijtë dhe burrin vijon jetën me fijen e shpresës për të përçuar dhe më tej kujtimin e meshkujve të familjes së saj tek të tjerët. Ajo e shndërron shtëpinë në një muze të gjallë me fotot dhe kujtimet e tyre, ndoshta kështu arrin të sfidojë vdekjet.
Dhe njerëzit shkojnë e vizitojnë shtëpinë e saj mbushur tej e tej me fotografi, shkojnë për të takuar Ferdonijen e gjallë, një Nioba e shekullit të njëzet e njëtë. Kjo Nioba e re, e zgjoi nga gjumi birin e vet Edmondin katërmbëdhjetëvjeçar, sepse e prisnin xhelatët si për ta shpënë me duart e saj drejt vdekjes. Pashka, është një nënë tjetër, që ka humbur bijtë po nga genocidi serb, ajo nuk e duron dot dhimbjen dhe bën atë që do bënte çdo nënë për fëmijën e vet: flijohet me një fije shkrepëse duke i vënë flakën vetes. Po sa mijëra nëna kosovare jetuan dhe vazhdojnë të jetojnë shpirtpërvëluar?
Mendoj se ky libër është nga më të mirët ndër ata që kam lexuar për luftën e fundit në Kosovë, sepse në këtë libër autori ka shkruar me shpirt dhe me zemër, me dashuri dhe përkushtim për Kosovën e dashur dhe njerëzit e saj. Ag Apolloni ka bërë veç detyrën e tij si qytetar dhe si shkrimtar. Plagët lehtësohen kur shkruhet për të vërtetën./(Gazeta MAPO, Tiranë)
LEXO EDHE: