Një libër për Zotin dhe filmat

Libri Zoti në kinema i autorit Dritan Dragusha, vjen si një koleksion esesh mbi filmat që trajtojnë problemin e Zotit dhe të religjionit. Në të trajtohen momente kinematografike nga filmat e Bergmanit, Scorseses, Costa-Gavras, Meirelles etj. Në një shënim për librin, Ag Apolloni thotë: “Libri Zoti në kinema vjen me një titull goditës. Vetëm në dukje është efektiv, pasi në analizat, përqasjet, komentet, reflektimet e tij, Dragusha e tejkalon diskursin gazetaresk dhe strehohet aty ku ndihet rehat: në filozofi. Filozofia është pika e pozicionimit të tij, kinematografia është ekrani përballë tij, ndërsa mediat i përdor për t’i ruajtur ca lidhje me realitetin aktual, por edhe për ta shtuar dozën e qasjes spektrale. Eseja e parë dhe disa ese për filma që trajtojnë në mënyrë specifike relacionin me Zotin, janë ato që i japin formën librit, i cili qëllimisht, për çështje larmie, nganjëherë e tejkalon temën e premtuar në titull. Meqenëse Zoti në shkrimet e Dritanit është temë e përhershme dhe problem i pashmangshëm, ai s’kishte si të mungonte edhe në krye të titullit të librit të tij të parë. Këta dy kanë çfarë të thonë për njëri-tjetrin, kanë një histori të gjatë (mos)marrëveshjeje. Përderisa i pari (Zoti) ka vendosur të heshtë, i dyti (Dritani) ka vendosur të flasë. Dhe ky është vetëm fillimi”.

Dritan Dragushaka përfunduar studimet për filozofi në Universitetin e Prishtinës. Ka publikuar shkrime nëpër revista të ndryshme shkencore. Është redaktor në revistën kulturore Symbol. Gjithashtu, bashkëpunon me disa portale, ka qenë një nga drejtuesit e emisionit Filozofema në RTK, kurse nga viti 2018 drejton emisionin Prizma në T7.

Librin Zoti në kinema e ka botuar shtëpia botuese Bard Books, në Prishtinë.

LEXO EDHE: NJË MONOGRAFI PËR METAMORFOZËN E NJË AUTORI