Një mendje e lexuar nuk është detyrimisht një mendje e lartësuar!

elona caslli


“Leximi nuk është i dobishëm për ta mbushur një mendje me një inventar librash. Leximi është i dobishëm për të lartësuar mendjen e lexuesit.”- do të shprehej me të drejtë Dostojevski.

Nga Elona Caslli

Leximi është një proces i brendshëm dhe një përvojë që duhet ta shndërrojë njeriun. Me pak fjalë, pas leximit të një libri diçka duhet të ndryshojë tek njeriu. Lëkura e një mendimi të mykur duhet të rripet dhe mendja të ngjitet një shkallë më lart në arsyetim dhe në gjykim. Leximi duhet të shërbejë për rritje të brendshme dhe jo për kulturë të jashtme.

Çfarë është kultura e jashtme?!
Kultura e jashtme shërben për të cituar me saktësi të gjitha librat e një autori.Ti mund ta dish me saktësi jetën e personazheve, ditën kur u dashuruan apo u urryen, në binte shi, breshër apo ishte ditë me diell, por ti nuk arrin të krijosh një marrëdhënie të brendshme me personazhet në fjalë. Ti je thjesht një magazinier që bën hyrje dhe dalje në mendjen tënde personazhet e një autori. I shënon në bllokun e magazines cerebrale dhe i nxjerr që aty në rast bisedash letrare.
Vendosja e një marrëdhënieje të brendshme me personazhet e një autori, të bën të latosh gjuhën dhe mendimin, të përzgjedhësh saktë dhe me sqimë ndajfoljen apo foljen dhe të kuptosh, që pas leximit të një libri diçka ka ndryshuar brenda teje. Ke rrjepur lëkurën e vjetër të një mendimi dhe e ke lënë mendimin tënd të ripërtërihet, në mënyrë që të mos mbetesh peng në mendim, i vendit ku jeton apo i kohës që jeton. T’i kapërcesh kufijtë mendorë dhe kur të udhëtosh drejt Evropës ta shohesh këtë të fundit si shtëpinë tënde dhe jo si një tokë të huaj.


Post Scriptum- Karakteri nuk matet me dije, por me zemër. Qytetaria nuk matet me tituj shkencorë, por me qëndrime.

ObserverKult


elona caslli

Lexo edhe:

ELONA CASLLI: VDEKJA NUK I BËN NJERËZIT MË TË MIRË. NUK I SHFAJËSON!

Vdekja nuk shfajëson kënd.
Vdekja nuk i bën njerëzit më të mirë. Thjesht ata nuk ekzistojnë më.
Personalisht vdekja e një njeriu që ka bërë dëm në jetën e shumë njerëzve as nuk më gëzon dhe as nuk më trishton.

Më lë asnjëanëse. Nuk mund të arrij të gëzohem sepse vdekja e një njeriu nuk shpaguan gjithë dëmin që ai ka provokuar në jetët e të tjerëve dhe as nuk arrij të trishtohem sepse nuk më lidh emocionalisht asgjë me njerëzit që kanë bërë dëm me vullnet dhe me vetëdije të plotë tek shqiptarët.

Prirja që pas vdekjes dëmprurësi të trajtohet si dobiprurës është e zakonshme në shoqërinë shqiptare.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult