Nga Sami Milloshi
E gjeta më në fund edhe mënyrën për t’u bërë hero.
Është një flamur në atë faqen e murit të cilin po ta heq unë, mund të më shpallin hero.
Këtë mendoj pothuaj çdo ditë që e shoh atë flamur.
” Po sikur ta heq…” them me vehte.
Por nuk është edhe aq e lehtë. E kanë vënë me shkallë, lart, shumë lart. Pikërisht sipër shkallëve që të ngjisin nga kati i parë i bibliotekës deri në katin e katërt.
Nëse unë do ta heq, më duhen një palë shkallë të larta, pikërisht ato që u përdorën kur e vunë atë flamur aq lart.
Unë nuk e dij se ku janë ato shkallë.
Sikur të pyes dikë se ku mund t’i gjej, ai do të më pyeste mua:
– Për çfarë i do?
– Që të heq atë flamur nga ajo faqe muri – do t’i thosha unë.
Por, pas kësaj të gjithë të fuqishmit e këtij qyteti, do të rrekeshin të mos më lejonin mua ta heq flamurin.
Vetë nuk e heq dot. Duhet edhe dikush të më mbajë shkallët kur të kacavirrem ta heq flamurin. Duhen dy njerëz.
E shoh që për të bërë një heroizëm u dashkan dy vetë. Një i çmendur si puna ime dhe një tjetër që të më mbajë shkallët. Se, kështu ishte edhe kur e vunë atë flamur në faqen e murit, atje lart, fare lart, sa duhet të ngresh kokën përpjetë për ta parë, sikur je duke parë ndonjë qiellgërvishës në Manhattan në New York…
Edhe atë ditë që e vunë atë flamur dy njerëz ishin, ai që mbante shkallët dhe ai që kishte shfaqur idenë për ta vënë atë flamur aty …
Unë nuk e pashë kur e vunë.
Ndoshta e vunë për gjithë natë të mos linin dëshmi se kush e vuri. Por, ne e pamë, e pamë të çuditur në mëngjes. Nuk ishte flamuri i kombit. Ishte flamuri i dhomës së gjumit ku dy njerëz të së njëjtës gjini ndajnë të njëjtin krevat…
Ka kohë që asnjë grimë heroizmi nuk duket në qytet. Ndoshta mund të më shpallin hero mua po arrita ta heq atë flamur. Po, edhe po nuk arrita, të paktën do të thonë, se si e theva qafën duke u ngjitur në shkallët e larta për ta hequr. Do kem shahit atë tjetrin që do më mbajë shkallët. Se, siç e thashë, hero nuk bëhesh dot i vetëm…
ObserverKult
Lexo edhe: