Një milion klikime në dy ditë!

GENTI ÇELA

Një milion klikime në dy ditë!, – me këtë lajm u ndërpre edicioni qendror i lajmeve në një TV kombëtar për një këngë të fundit. Pse u dashka që një këngë të futet në një edicion informativ, e kuptova vetëm në fund të lajmit, para se kënga të kapte shifrën e një milion e një klikimeve bashkë click-un tim të shastisur…

Qëllimi, më shumë se kënga, ishte telepubliciteti për resortin luksoz diku në jug, ku zhvillohej klipi e ku rreziten VIP-at, paria e vetëshpallur e atdheut. Produkte të social fabric sonë, përbërë prej speciesh që në kushte të caktuara mund të shqyhen e vriten për ca tenderë apo hapësira shezlongësh. Klipi i këngës, mbushur me duzina vajzash robotike, të cilat tek i sheh të kujtojnë se produkti që i kanë ngarkuar të të shesin vazhdon të mbetet thjesht një justifikim për përballjen me ty.

Teksti, diçka mes fjalës dhe lehjes, kënduar nga zëra të paradizuar e tallavizuar, me një tush togfjalësh “me ty Nina, me ty Nina o (4x), Jeta jon’ jeta jon’ si në filma (2x).” Një muzikë surrugato on use që këto ditë vere dëgjohet zëlartë nga makinat për të tërhequr vëmendjen e vajzave, nën qelbjen e mjedisit akustik plot bass që u turbullon mendimet.

Asgjë që lidhet a të kujton sadopak art.

Për Bodler, arti është lulja e së keqes. Shpesh, vështirësitë, vuajtja, rreziku, janë motive më të fuqishme në krijimtari se zhurma, ahengu, vardisja, veleritja. Arti është e vetmja fushë ku njeriu mund të jetë i lirë, i patjetërsuar, ku vendos një raport human me njerëzit, shoqërinë, botën dhe veten. Në këtë kazan kakofonie ku gjithçka vlon, nuk mund të pritet që media, në mënyrë të pavarur, të prodhojë ndonjë vlerë të pranueshme për veshët apo shpirtrat e shqiptarëve. Askush nuk guxon të jetë festëprishësi i kësaj lukunie përbindëshe milionaklikimëshe. I ulërimave kolektive si të një shoqërie në panik. Nga haremi i madh virtual selfie-sh të brezave të djegur në kohë paqeje.

I djegies së qyteteve ku nuk gjen teatër, librari, kinema, por ka një longue bar, beach bar, irish pub për çdo 20m2 e ku vritet shpresa e një brezi të patekst si këngët që dëgjon. Të dehur tapë nga iluzioni i ngadhënjimit, qytetet që jetojnë me rrëfenja prioritetesh mitologjike dhe kulinarie. Qyteti im përmendet kryesisht për një lloj peshku. Vanitet i kohës së lirë pa ca liri brenda, pa rebelimin që do t’i qëndronte bukur rinisë në kohë si e sotmja, nën paqen e një anomalie, të këtij mutacioni demokracie, duke mbetur vetëm politikisht korrektë dhe pa një adresë finale.

Ai që nuk është i vetëdijshëm, ai që nuk e dallon të keqen, është e keqja vetë – mendonte Aristoteli. Ne shqiptarët e marrim si fakt të kryer se jemi europianë dhe se i takojmë qytetërimit perëndimor. Fyhemi tek fryhemi nëse dikush vë në diskutim këtë përcaktim. Mirëpo, të jesh europian, pjesëtar i qytetërimit perëndimor, nënkupton një kusht të vogël; me vetëdije, ose instinktivisht, të pranosh dhe të identifikohesh me parimet themelore të atij qytetërimi, trashëgimisë intelektuale, kulturore, standardet shoqërore apo sistemin e vlerave në përgjithësi.

Asgjë kundër Lindjes dhe botës së pafundme që vjen nga orienti, por çdo komb duhet të ndërtojë veçoritë dalluese (differentia specifica), të kodifikojë atë që e dallon nga të tjerët.

Guri kilometrik i kthesës së ëndërruar, i një kthese të thiktë dhe pa lëbyrje, rri e pret zgjimin e ndërgjegjes kryesisht të më të rinjve. Mbetemi me shpresë se disa inde kanë mbetur ende gjallë nga e gjitha kjo kakofoni.

Pasi përfundoi edicioni informativ, hasa në një citim për një libër udhëpërshkrues “Qytete dhe fantazma” të diplomatit e poetit Jovan Duriç, i cili hedh një vështrim gorgone drejt brigjeve tona ku thuhej se “Shqipëria e bukur, gri dhe e zhveshur, një grumbull gurësh ku rriten gjarpërinj dhe arnautë.” Jeta jon’ si nëpër filma – më mbeti në mendje vargu nga kënga me emrin e pafajshëm të një vajze. Me këngë të tilla, jeta mund të jetë vetëm si në filmat e kinostudios “Shqipëria e Re”./panorama