Një mural i rrallë i vitit 1987 në Lushnjë, autor është Edi Rama

Kjo pikturë është realizuar nga kryeministri Edi Rama në vitin 1987. Ka një shtrirje mbi 15 m gjatësi dhe rreth 3.5 m lartësi. Është realizuar në një mur në Lushnjë.

Në vitet ‘80 arti po përpëlitej që të dilte nga një rrymë që kishte mbizotëruar për dyzetë vjet, Realizmi Socialist.

Artistë të rinj me ide të reja mbi formën dhe përmbajtjen e artit pamor po përpiqeshin të sillnin koncepte të guximshme.

Tentativa vinte nga artistë të shumtë. Ajo çka tronditi artin e asaj kohe do të ishte një vepër murale nga dy autorë dhe e realizuar në një qytet provincial të vogël në zemër të Myzeqesë, Lushnjë.

Veprës i janë dashur tre vjet të realizohet. Në vitet e fundit të 10-vjeçarit, pra rreth 1987-‘90 në Lushnje do të realizohej një muze.

Aty ishin parashikuar edhe vepra murale me tema të ndryshme.

E pra, një vepër të tillë do ta realizonin dy artistë të rinj në moshë, por vizionarë në mendime. Impakti i tyre me qytetin e vogël ishte mbresëlënës: dy djem të gjatë (njëri dhe më shumë), simpatikë, që bënin tendencë që nga mënyra sesi visheshin, por edhe të shoqërueshëm me ne artistët e tjerë.

Qyteti befasohet, ambientet artistike gjallërohen; krijohet një grup artistësh rreth tyre me piktorë, poetë e muzikantë. Dukej tashmë një lëvizje e re e importuar në këtë qytet nga këta dy artistë që vinin nga Tirana. Këta ishin Edi Rama dhe Lad Myrtezai. 

Në Lushnjë do të vinin edhe artistë të tjerë, por impakti i Edit dhe Ladit do të ishte krejt ndryshe, i veçantë. Piktura murale që ata do të realizonin do të shtrihej në pavijonin e periudhës midis dy luftërave të Muzeut Historik. Kjo pikturë u trajtua si legjenda e tokës në kuptimin e përgjithshëm në zhvillimet e historive për çlirim nga zgjedha.

Tema ishte sa intriguese dhe e bukur. Duhej që artistët të prezantonin bocetet dhe komisioni të aprovonte realizimin e veprës.

Që në këtë moment, dy artistëve do iu duhej të luftonin në shumë drejtime për realizimin e veprës së tyre. Nga njëra anë me komisionin për konceptet formale. Ndërsa nga ana tjetër me veteranët dhe bindjet e tyre mbi jetën dhe regjimin.

Ata filluan veprën që do të shtrihej në faqen modeste të murit që më vonë do të bëhej tepër e rëndësishme me vlera të mëdha artistike.

Unë shikoja sesi lindnin figurat me format e tyre ekspresive. Sipërfaqja ishte e konsiderueshme, por artistët punonin me orë të zgjatura. Piktura është realizuar me ngjyra akrilike dhe fillon që nga toka dhe mbaron në tavan.

Është unike në të gjithë historinë e artit shqiptar. Në atë kohë gjithandej mërmëritej në ambientet politike e artistike për të dy artistët. Poshtë pikturës në atë kohë ishte e instaluar një formë ndarëse me material të ngurtësuar në simbol të tokës.

E më lart shtjellohej piktura e tyre në formë të një tërësie unike e fragmentarizuar me skena simbolike ndarjesh.

Gjithandej pëshpëritej në provincë në formë lajmi: “Çfarë po bëjnë ata dy djemtë e rinj në Lushnje?”

muralja e rames me logo

(Foto: Muralja e Edi Ramës dhe Lad Myrtezajt)

Vepra thyente të gjitha kanonet e artit

Vepra thyente të gjitha kanonet e artit të Realizmit Socialist. Me një shtrirje mbi 15 m gjatësi dhe rreth 3.5 m lartësi lindte në atë mur një vepër e cila do të sillte frymën e re të artit modern.

Mund të thuhet që dhe artistë të tjerë ishin shprehur, por të ekspozoje një vepër të tillë madhështore, e kontestuar shumë nga politika e kohës, kërkonte një kurajë të madhe. Ata të dy dukeshin krejt jashtë kohës ku jetonin me mënyrën e të menduarit dhe të sjelljen si sfidantë. Pensionistët e qytetit vinin e shikonin dhe përplaseshin në dyert e Komitetit të Partisë duke denoncuar përçudnimin që këta djem i bënin historisë së tyre.

Ata nuk mund të pajtoheshin me të rejat që do sillnin përpjekjet e ndryshme të gjuhës artit…
Kontakti me veprën është befasues. Në qendër fshatari që shtyn fort plot dhimbje parmendën i trajtuar me forma ekspresive me kontrastin e bardh të këmishës me ngjyrën e errët të portretit prekur me njolla të kuqe.

I gjatë i thatë, shtyn parmendën me kaun që i dukeshin brinjët, por që gjen forcën për të tërhequr parmendën. Përballë kësaj figure të pikturuar nga Rama do të qëndronin figurat e myzeqarëve të pikturuar nga Ladi. Ata janë të pikturuar plot ekspresivitet me njolla të guximshme të bardha në gri prekur me kafe te errëta, gri në blu okra, etj.

Stili i të dyve ishte një risi në atë kohë për artin shqiptar.Unë shikoja veprën që kompletohej dhe kuptoja qe ajo ishte madhështore, por më vonë u binda se ajo do të ishte vepra e parë ekspresioniste në artin shqiptar.

Shkoja në pavijonin e veprës. Shikoja Edin dhe Ladin që pikturonin me penela të mëdhenj, furça, spatula,  ngjyrat në kova dhe dëgjonin muzikë të ndaluar me një magnetofon. Shpesh herë punonin gjatë gjithë natës dhe pushonin ditën që të kumbisnin kontaktin e pakëndshëm të kuriozëve e veçanërisht veteranëve. Këta dy shiheshin si dy që kanë ardhur nga ndonjë planet tjetër.

Vërtet një ambient magjik. Le të kthehemi tek vepra. Ajo ka dy pjesë që rrinë bashkë shumë bukur. Edi do të pikturonte vuajtjen dhe dhimbjen e popullit, ndërsa Ladi qëndresën dhe revoltën.

Skena e dhimbjes e paraqitur me vdekje ku arkivoli ne qendër të shtëpisë prej qerpiçi i rrethuar nga gratë e veshura me të zeza me fytyrat e tyre të zbehta pa gjak flet qartë për mjerimin e ulur në çdo shtëpi myzeqari.

Malaria, vuajtjet, varfëria duken qartë në njollat e zeza të grave, në linjat e plota e të errëta të tokës trajtuar plot ngjyra e pastozitet që të emocionon. Fshatari me kaun në mes të tablosë do të ishte si lidhës nga ana formale me njollat e ngjyrave të tij e formës ekspresive por edhe të përmbajtjes se gjithë veprës.

Qëndresa e pikturuar nga Ladi paraqitet me figurat e fshatarëve të bashkuar me sfurqet në duar me një revoltë në portretet e tyre. Njollat ekspresive të pjesës së pikturuar nga Edi vazhdojnë e ndërthuren me njollat dhe linjat e theksuara ekspresive të pikturuara nga Ladi.

Vërtet vepra është e pikturuar nga dy artistë, por ajo duket qartë e plotë në unitet në stil e përmbajtje. Artistët kanë ruajtur të njëjtën gjuhë si nga ana koloristike ashtu edhe formale. Në sfond horizonti me një dritë të ngrohtë dhe kuajt të lirë që vrapojnë do të lajmëronin ditët e reja që do të vinin. 

rama

(Foto: Edi Rama dhe Lad Myrtezaj)

Elementët kubistë

Ekspresiviteti shoqëron veprën, por në të duken edhe elementet kubistë që i japin veprës dramaticitet dhe e bëjnë më interesante.

Në përfundim vepra e realizuar do të ishte vërtet një largim nga arti i realizmit socialist dhe do të hapte rrugën në ardhje më vonë të elementëve të artit modern.

Këta dy artistë që më vonë do të ndiqnin secili rrugën e tyre, Ladi drejt artit formal e përqendrimit në territore konceptualë dhe Edi do të realizonte vepra të tjera si shpella e Dragobisë (Varrimi i Azem Galicës) kishte element të theksuar, ekspresiv kubist dhe me vonë në situatë informale të pikturës e artit etj, do të bëheshin pika referimi për artin modern shqiptar.

Çuditërisht në ato kohë u fol pak ose fare për këtë vepër nga shtypi i kohës. Mbase fakti që ajo ishte një shuplak ndaj artit dhe indologjisë së kohës, por edhe xhelozia në ambientet artistike për vetë këta dy artistë të rinj apo lufta e një brezi të ri artistësh që po ndërronin faqen e artit shqiptar, do të krijonte shumë debate mbrapa kuintave, të lidhjes se artisteve.

Kthehemi në Lushnjë që tashmë ishte kthyer në ato vite me ardhjen e këtyre artistëve qendra e një lëvizje të re të artit ndryshe.

Edi do të pikturonte shpellën e Dragobisë ne një studio modeste të një artisti Lushnjar

Ndërsa Ladi do të realizonte disa piktura për galerinë e artit që i la në Lushnje që sot nuk dihet a ekzistojnë më.

Sot kjo vepër e bukur, dramatike mjeshtërore me të cilën do të krenohej çdo muze apo mur institucioni mbarë evropian është atje.

Çdo vizitor befasohet kur gjendet përballë saj. Ju këshilloj ta shihni veprën që shtrihet nga toka në qiell në atë muze modest të një qyteti që tashmë është mbushur me ndërtesa të reja e gradacela jo aq të larta.

Tashmë në një distancë kohe muzeu duket i vogël,  por që në të mban një vepër të madhe, veprën e dy artistëve,  Edi Ramës e Vladimir Myrtezait, dy njerëzve për shumë kohë të këtij qyteti./Ilir Çakalli- shqiptarja.com
 
 *Ilir Çakalli është piktor e jeta e tij artistike zhvillohet mes Italisë, Tiranës dhe Lushnjës. Bashkëkohës me Edi Ramën dhe Ladi Myrtezain, ai ka një aktivitet të pasur si piktor dhe gjurmues i historisë të artit në Itali.  

ObserverKult


edi rama ramën

Lexo edhe:

EDI RAMA ÇEL EKSPOZITËN PERSONALE NË ATHINË: JAM ARTISTI MË I MIRË NË MESIN E KRYEMINISTRAVE

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias ka publikuar disa foto nga ekspozita e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, e hapur në Athinë.

Kreu i qeverisë, ndodhet në një vizitë dyditore në Athinë, ndërsa i prezanton punët e tij homologut grek Kyriakos Mitsotakis.

“Me kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis dhe Edi Ramën. Që të dy në Hapjen e Ekspozitës së kryeministrit të Shqipërisë me titull “Improvizimet”. Prezantohen vepra dhe skulptura”. Kështu ka shkruar Dendias në postimin e tij në Twitter.

Ekspozita që mban emrin “Improvizimet”. Kjo ekspozitë është inauguruar nga kryediplomati grek Dendias në “Zapion Megaro” në kryeqytetin grek.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult