Një nga shkrimet e tij më të fundit ishte pikërisht për poezinë e Xhevahir Spahiut. Akademiku malazez Jevrem Bërkoviq u nda nga jeta në 24 janar të këtij viti.
Por si një borxh që duhej kthyer, për hir të kohërave të vjetra, por mbi të gjitha për hir të vetë letërsisë pak muaj përpara se të mbyllte sytë, ai shkroi për poetin shqiptar.
Pak kohë më parë, poetit dhe akademikut Xhevahir Spahiu iu dorëzua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë çmimi për vepër jetësore “Teuta”. Ai u shpall fitues në edicionin e 8-të të manifestimit letrar trekufitar “Muzat e Alpeve 2020” me motivacionin: “Skalitës i shkëlqyer i fjalës dhe i zbulimeve të papritura të thellësive të saj, si rrënjë dhe qiell në botën shqiptare”, “edhe në lëvizjen e saj nga një pikë e vdekur”, siç thotë vetë një varg i poetit.
Poezia e Spahiut shoqëron breza të tërë si shprehës i mbijetesës dhe i modernizmit
Poezia e Xhevahir Spahiut shoqëron breza të tërë si shprehës i mbijetesës dhe i modernizmit. Si shpirt dhe krenari për të qenë bir i një toke të përndritur nga bukuria njerëzore. Adhuruesi i tekstit poetik dhe teksteve të këngës së Xhevahir Spahiut do të ndiejë gjithmonë fuqinë për ta transformuar fjalën. Dhe për të arritur së bashku me poetin në majat e artit poetik të shqipes”.
Me këtë rast, Xhevahir Spahiut iu dorëzuan edhe ekzemplarët e përmbledhjes nga opusi i tij poetik “MOJI DUGOVI (Borxhet e mia), botim i “TEUTËS”, në përzgjedhje të Xhevat Limanit dhe Ajetë Beqirajt, me përkthim të Nikollë Berishajt (103 poezi në gjuhën malazeze) si dhe me recension dhe redakturë nga akademikët Jevrem Bërkoviq dhe Zuvdija Hoxhiq Berisha.
“Çdo poet i mirë, pavarësisht nga cili komb vjen, është i çmueshëm për të gjithë, sepse poezia është universale. Sigurisht, ai mbështetet në traditën sikur heroi antik Anteu, i cili fiton forcën sa herë vë këmbët në tokën mëmë.
Ajo forcë ndihet edhe te miku ynë Xhevahir Spahiu. Ajo lidhje e ngushtë me traditën, por në një mënyrë moderne. Dhe unë jam tejet i lumtur që një poezi e tillë sot flet edhe në gjuhën malazeze dhe jam shumë i nderuar që më është dhënë mundësia të jem redaktor i librit ‘Moji dugovi’ (Borxhet e mia)”, u shpreh Zuvdija Hoxhiq Berisha.
Çdo poet i mirë është i çmueshëm për të gjithë
“Çdo poet i mirë, pavarësisht nga cili komb vjen, është i çmueshëm për të gjithë, sepse poezia është universale. Sigurisht, ai mbështetet në traditën sikur heroi antik Anteu. I cili fiton forcën sa herë vë këmbët në tokën mëmë. Ajo forcë ndihet edhe te miku ynë Xhevahir Spahiu, ajo lidhje e ngushtë me traditën, por në një mënyrë moderne. Dhe unë jam tejet i lumtur që një poezi e tillë sot flet edhe në gjuhën malazeze. Dhe jam shumë i nderuar që më është dhënë mundësia të jem redaktor i librit ‘Moji dugovi’ (Borxhet e mia)”, u shpreh Zuvdija Hoxhiq Berisha.
SHKRIMI I AKADEMIK JEVREM BËRKOVIQ
Ndonjëherë, një varg është i mjaftueshëm për të dashur një poet. “Mbrëmë pashë në ëndërr një ëndërr të vjetër/ Jeta kishte vend për marrëzinë, marrëzia s’kishte vend për jetën”.
Xhevahir Spahiu është një poet i mençurisë dhe ndjenjës së fortë. Por, me të, këto nuk janë botë të kundërta, por fytyra që nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën. Fytyra që reflektojnë mbi njëra-tjetrën, duke krijuar një substancë unike, poetike – një para-element i vetë poezisë.
Më bën të lumtur që, në sajë të këtij përkthimi, Mali i Zi mund të takojë një poet si ky. Një zë autentik të tragjedisë së përjetshme ballkanike.
Spahiu kaloi edhe përvoja që në vendin tonë në Ballkan, poetëve nuk u mungojnë
Sot po shkruaj për vargjet e tij, por Xhevahir Spahiun e njoha në njërin nga momentet më dramatike dhe të vështira të jetës sime. Ai ishte një poet, i cili në tetor 1991 më priti në Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë. Si një emigrant që hyri ilegalisht në Shqipërinë e tij, duke u larguar nga të dëgjueshmit e Millosheviqit që drejtuan vendin tim. Unë kurrë nuk do ta harroj ngrohtësinë dhe njerëzinë e atij vështrimi dhe të asaj përshëndetjeje. Për një emigrant të freskët, detaje të tilla kanë domethënie të madhe..
Duke lexuar këtë libër, kuptoj që Spahiu kaloi edhe përvoja që në vendin tonë në Ballkan, poetëve nuk u mungojnë. Siç shpjegon shënimi poshtë poezisë, “qeli, ora 20:00,6 mars 1997”, ai shkroi: “Një popull i vrarë do t’ish më fatzi/po qe se nuk vriteshin dhe poetët e tij”. Kështu, të gjitha “shkollat” tona malazeze dhe shqiptare, poetike dhe të jetës janë të ngjashme. Kombet e pjekura nuk u besojnë poetëve të tyre. Dhe ata për këtë paguajnë shtrenjtë.
Te Spahiu do të gjeni gjithashtu muzikë të bukur, atë tingull unik mesdhetar:
“Lisat me rrush turfullojnë
si kuaj frelëshuar nëpër natë.
Pini se vreshtat s’mbarojnë,
mbaron vetëm jeta e ngratë”.
Poezitë e tij ngrehin një pikëpyetje të bukur mbi botën dhe fenomenet e saj
Poezitë e tij ngrehin një pikëpyetje të bukur mbi botën dhe fenomenet e saj, me një ndjenjë të veçantë për një imazh efektiv dhe poentë poetike. Dua të shtoj se më pëlqeu të kaloja kohën me poezinë e një poeti të jashtëzakonshëm. Vargjet e tij rrinë pezull si një flamur i artit të pastër, i cili ka fuqinë për ta kthyer çdo ngjarje të kësaj bote në një mesazh të vlefshëm dhe një strofë të paharrueshme. Dhe kjo është çfarë e bën poezia, qëkur ekziston ajo. Në poezinë “Njerëzimi”, poeti pyet: “Statuja e Lirisë/…Po kur/kur do t’u ngjajë/simboleve të tij/Njerëzimi?”. Me këtë pyetje vërtet reale, le të shtrojmë dhe një tjetër: Kur do të fillojnë vendet tona t’u ngjasojnë poetëve tanë…?
Përktheu: Jeta Beqiraj
Panorama.al
LEXO EDHE: Dje Jevrem Bërkoviqi mori udhën e Qiellit