Përpara disa ditësh pata një telefonatë të tensionuar.
Mund të dallohej qartë që personi me të cilin po flisja ishte i zemëruar dhe i irrituar dhe, sado që unë të përpiqesha, nuk do të mund ta qetësoja dot, të paktën jo gjatë asaj telefonate.
Nga Silvana Kola Loka
Por, unë nuk e dëgjova zërin tim të brendshëm që me thoshte “Mbyllja!” dhe u përpoqa të arsyetoja me të. Dhe e gjeta veten në një bisedë me tone të larta: sa më shumë orvatesha të komunikoja qetësisht, aq më të zemëruara më vinin pyetjet e tjera.
Përfundimin e merrni me mend lehtësisht.
Telefonata u mbyll me fyerje në adresën time. Unë mbylla telefonin me keqardhjen që nuk e kisha ndërprerë telefonatën sapo e kisha ndjerë që nuk mund të kishte një komunikim efikas dhe gjithë ajo ditë më shkoi si në jerm.
Të nesërmen personi më telefonoi dhe më kërkoi ndjesë. Unë isha bërë kokë turku për zemërimin që ai patur nga një lajm i keq që kishte marrë përpara se të më telefononte mua. Madje, me shaka, më tha gjithashtu se unë nuk duhet të isha kaq e mirëkuptueshme sa ta lija të shkarkonte gjithë zemërimin tek mua, pa të drejtë…
***
M’u ndërmend biseda me një taksist, vite më parë. Të ngecur në trafikun e një paraditeje të zakonshme në Tiranë, me bori makinash që binin me potere dhe këmbësorë që lëviznin pa ua bërë syri tërr mespërmes makinave të ngecura, e pyes me keqardhje:
-Si ia bëni të punoni çdo ditë në këtë trafik të çoroditur?
Më pa nga pasqyra dhe, me një zë gazmor, u përgjigj:
-Unë e kam zgjidhur! Përpara se të dal për në punë, çdo mëngjes, e mbyll mendjen në sirtar. Dhe, bashkë me mendjen, lë aty padurimin, zemërimin dhe çdo gjë tjetër që mund të ma prishë ditën. Madje, ndonjë herë qëllon që harroj dhe e marr mendjen me vete. Kthehem me vrap dhe hap e mbyll sirtarin dhe dal nga shtëpia i lehtë, gjeth. Gruaja qeshte në fillim me mua, ndërsa tani më lutet t’i mësoj si ta lerë mendjen në shtëpi…
***
Nuk di nëse do doja të kisha aftësinë ta mbyllja në sirtar ‘mendjen’ time përpara se të dilja dhe të ‘përplasesha’ me botën.
Di vetëm se komunikimi me të tjerët kërkon mirëkuptim, durim dhe konsideratë për atë tjetrin me të cilin komunikojmë.
E rikthej në mendje atë bisedë telefonike dhe bisedën me taksistin gazmor.
Mendoj se, nëse do ta kisha dëgjuar ‘pa mendje’ personin e zemëruar, nuk do ta kisha marrë atë telefonatë mirënjohjeje. Dhe nuk do të kisha patur mundësinë të zhvilloja një bisedë realisht produktive më pas.
Pastaj pyes veten; po humori im i prishur i asaj dite pas telefonatës??
Kam filluar ta zbraz pak nga pak një sirtar të vogël në një cep të bibliotekës…
ObserverKult