Një rrëfim për Anita Bitrin: Kush ja shpëtoi jetën kur ishte fëmijë…

Anita Bitri ishte ndër këngëtaret më të mira të brezit të viteve ’90, që erdhën në skenat e festivalit shqiptar, me një vokal të shkëlqyer dhe mjaft e talentuar duke rrëmbyer zemrat e publikut.

Karrierën e nisur në Shqipëri, këngëtarja shqiptare do ta vazhdonte më pas në Amerikë ku arritjet e saj do të ishin gjithmonë e më shumë në rritje, derisa një tragjedi do të ndërpriste jetën e Anita Bitrit, si dhe të nënës dhe vajzës së saj 7-vjeçare Siborës, duke e lënë në mes jetën dhe karrierën e këngëtares shqiptare. 

Në një intervistë në “Rreze Dielli’’ shkrimtari Albert Zholi, kohë më parë rrëfeu jetën dhe karrierën e artistes shqiptare, sipas të cilit, një rastësi fatlume bëri që Anita të zbulohej si këngëtare:

“U zbulua si talent në vitin e tretë të shkollës së mesme, kur shkolla do bënte një aktivitet të rëndësishëm përpara publikut vlonjat dhe ka qenë në teatrin e Vlorës, një këngëtare gocë e re atë ditë kishte dy tre këngë kryesore dhe do ishte ajo promotorja e gjithë zhvillimit të festivalit dhe gjërave të tjera që kishte në program shkolla për të dhënë përpara njerëzve.

Dhe për fat apo për rastësi ajo këngëtarja nuk vjen atë ditë dhe drejtuesi i këtij emisioni, i këtij festivali ja beson këngën Anita Bitrit dhe këtu ndodhi ajo që nuk imagjinohej, që me fillimin e këngës së parë. Atë e kthyen tre herë askush nuk e besonte dhe ajo dilte për të dhënë këngën tjetër dhe brohorisnin që të kthehej tek kënga e parë’’ u shpreh shkrimtari Zholi, për fillimin e karrierës së saj e cila do të ishte mjaft e sukseshme.

Anita ishte mjaft e lidhur me vëllain e saj Arbenin, një lidhje e veçantë dhe mjaft e bukur e cila vinte që nga fëmijëria dhe do ta bënte atë udhërryesin e saj si në jetën artistike dhe atë personale, duke i qëndruar gjithmonë pranë:

Mbasdite Anita shkon me shoqet për të luajtur, ishte sheshi aty mbas shtëpisë dhe ishte dhe një kanal i ujrave të zeza për një moment topi bie tek ujërat e zeza, Anita ngaqë e donte shumë atë top dhe ishte i veçantë dhe ishin mbledhur për atë top, e shikonin si diçka magjike, që koha nuk ua rezervonte të gjithëve, Anita nuk mund ta shikonte ashtu të pistë topin dhe turret dhe hidhet për ta marr.

Pa ditur që atje ishte një vend me ujëra të zeza shumë i thellë, duke kapur topin, topi shkiste, ajo po fundosej, më tutje ishte vëllai i vet Lulëzimi që luante me shokët nuk i dha rëndësi fare, të tjerët fëmijët nuk kishin mundësi që ta ndihmonin dhe ishin shumë të vegjël.

Në atë kohë vëllai, Arbeni ishte më tutje kur pa që askush nuk reagoi u turr me vrap dhe u hodh, në momentin që ajo ishte drejt mbytjes mundi ta shpëtojë, kjo bëri që ajo në çdo hap që hidhte pa pyetur Arbenin nuk e bënte’’, u shpreh ai.

Një lidhje e veçantë mes vëllait dhe motrës që do të vazhdonte deri në fund të jetës së këngëtares shqiptare./shqiptarja.com

——————

Lexo edhe:

Anita Bitri një meteor, në qiellin e këngës shqiptare

ObserverKult