Një shfaqje politike e ndërthurur me elemente të komedisë!

Premierë në Teatrin “Hadi Shehu” të Gjakovës

Nga Blerim Valla

Komedia “Masë për masë” e Uiliam Shekspirit ndonëse e shkruar në shekullin e 17 – të, shumë bukur arrin të ndërlidhet me gjendjen aktuale të shoqërisë shqiptare – keqpërdorimin e pushtetit për interesa personale dhe për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve qoftë atyre politikë apo edhe atyre në dashuri.


Është tekst politik dhe i takon teatrit politik e ndërthurrur bukur me elemente të komedisë qoftë me situatat, por edhe me karakteret e personazheve.

Është komedi e zezë e cila, edhe pse e shkruar shume kohë më parë nga Shekspiri prapëseprapë është shumë aktuale pasi dihet vlera e veprave te Shekspirit të cilat kurdoherë që luhen zgjojnë interesim të madh tek publiku anembanë botës.


Shfaqja është komedi e zezë që trajton abuzimin nga njerëzit e pushtetshëm dhe përmban lojë fjalësh dhe ironi therrëse sikurse edhe elemente tragjike.


“Masë për masë” paraqet rrëfimin për protagonistin Dukën Vincentio (luajtur nga Xhevdet Doda) të Vjenës, që udhëheq punët e qytetit nën qeverisjen e zëvendësit të tij, Angelos (luajtur nga Besfort Berberi) i cili abuzon dhe keqpërdoron me pushtetin e dhënë nga Duka.

Ai shfrytëzon fuqinë dhe pushtetin për interesa personale, për të abuzuar me femra të ndryshme që gjenden në vështirësi, pastaj për t’ju hakmarrë kundërshtarëve të tij dhe për të siguruar të mira personale.

Temat kryesore të shfaqjes përfshijnë drejtësinë, moralin por edhe mëshirën në Vjenë pasi shfaqja ka të bëjë edhe me korrupsionin dhe punët e ndyra.

Mirëpo si në jetë ashtu edhe në këtë shfaqje, fiton e vërteta dhe drejtësia, mirësia dhe virtyti mbizotërojnë mbi të keqen, intrigat, shpifjet, gënjeshtrat dhe lakmia për pozitë e për pushtet. Dhe shfaqja për ironi nuk ka përfundim tragjik!


Komedia “Masë për masë” kalon nëpër disa nga masat kryesore mes masave të tjera duke përfshirë: pushtetin, prostitucionin, amoralitetin, martesën, fenë, rolin e femrës në mesjetë, gjykimin dhe ndëshkimin.

Shfaqja “Masë për Masë” na sygjeron se si dhe deri në ç’masë një person mund të gjykojë një tjetër vetëm pse ka pushtet dhe është në pozitë të lartë në pushtet. Vetëm për shkak se dikush mban një pozitë të pushtetit nuk tregon se ata janë moralisht superior!


Shumica e komedive të Shekspirit mbarojnë (festohen) me një martesë (ashtu si në përralla), pra kanë një fund të lumtur.

Megjithatë, në këtë shfaqje martesa përdoret si dënim: Angelo detyrohet të martohet me Marianën dhe Lucio detyrohet të martohet me zonjën Overdone.

Ky cinizëm me martesën si dënim është i pazakontë në një komedi! Ironikisht, në këtë shfaqje, martesa përdoret për të rregulluar dhe për të ndëshkuar sjelljen e keqe të disa personazheve.

Temat kryesore të kësaj shfaqjeje janë pra ato që lidhen me fenë; moralin, virtytin, mëkatin, dënimin, vdekjen dhe shlyerjes të të keqes bërë ndaj dikujt tjetër.

Karakteri kryesor i shfaqjes është murgesha Isabella, interpretuar jashtëzakonisht mirë, nga njëra prej aktoreve më të mira që ka për momentin Teatri i Gjakovës, nga aktorja Vlera Pylla, e cila në shfaqje është e obsesionuar me virtytin e dëlirësinë dhe udhëtimin e saj shpirtëror drejt së vërtetës dhe drejtësisë!


Me lojë të mirë, ndonëse në rol dytësor është dalluar edhe kësaj here, aktori fenomenal Edmond Hafizademi, por edhe aktorët e tjerë të shfaqjes.


Komedia “Masë për Masë” është shfaqje që bashkoi dy teatro. Teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës dhe ai “Bekim Fehmiu” i Prizrenit janë bashkuar për realizimin e kësaj komedie që është edhe premiera e dytë për këtë vit e teatrit gjakovar, pasi në mars të këtij viti ishte dhënë premiera e parë, shfaqja “Antigonat”.


Shfaqja është bashkëprodhim mes Teatrit të Gjakovës dhe atij të Prizerenit ku interpretojnë 14 aktorë si Vlera Pylla, Besfort Berberi , Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Edmond Hafizademi, Altina Kusari. Edi Gjakova, pastaj Xhevdet Doda, Butrint Lumi, Edona Sopaj, Alban Çela, Alban Krasniqi, Valmira Lumi e Valmir Krasniqi. Skenografinë e shfaqjes e punoi Petrit Bakalli, kostumografinë Iliriana Loxha, koreografinë Robert Nuha, kompozitor është Memli Kelmendi.

Me regji tejet interesante dhe të guximshme të regjisorit të njohur Altin Basha, ashtu siç di vetëm ai me realizimin e shfaqjeve masive (me shume aktorë), pastaj me një koreografi mjeshtërore, skenografi statike por shume funksionale, dhe me muzikë brilante që moti nuk është përjetuar ne skenën teatrore të Gjakovës, por edhe me kostumet që përshtaten shumë bukur me situatat dhe ngjarjen e shfaqjes.


Mbase duhet cekur se Teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës tashmë ka një kastë aktorësh të rinj shumë të mirë e të talentuar, të afirmuar dhe të shpërblyer nëpër shumë skena teatrore brenda dhe jashtë Kosovës, si Bujar Ahmeti, Vlera Pylla, Edmond Hafizademi, Besfort Berberi, Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Altina Kusari, Arbies Komoni, Yllka Lota etj.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM UJKANI: KAM PAK DASHURI TË TË DASHUROJ…

Poezi nga Qerim Ujkani

Sa bukur që po ndjej pranë teje
Që kam kaq pak dashuri të të dua

E do ta falja me katër zemra
Dashurinë e zogjëve që ia falin agimeve
Të ngjyera me purpurin e përgjakur

Edhe ngrohtësinë e shikimit të përmalluar
Që bukurinë gjurmon ndër buzëmbrëmje
Kur dielli konak kërkon pas bjeshkëve

Edhe freskinë flokëprishur të vërrinit
Që grish kalorës gjaknxehtë
Kur vapa rrit lulen e flakën në gur

Edhe dashurinë e duarëve të tërë botës
Që shtresojnë në lëkurë lule përkëdheljen
Për përshëndetje gëzimi dhe malli

Edhe kuqlimin e trëndafilit në agim
Që në aromë ia zgjat jetën kujtimit
Të fjetur nën hijen e syrit të qetë

Edhe heshtjen e barit në gufim të njomë
Që di vetëm një rrugë rrugën
Prej gjelbrimit deri te qarkullimi i gjakut

Edhe ato (pak) fjalë që mbolli dashuria
Në buzët e afshta për puthje të reja
E për ligjërime më të bukura se të zogjëve

Edhe dashuritë e padashuruara
Edhe këngët e pakënduara
Edhe pëshpëritjet e papërshpëritura

Ti qetësinë time e rritë në hektarët e bardhë
E nën hijen e qepallave
Mëkon poezinë më të bukur

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


JACK KEROUAC: VROJTIMET

Nga: Jack Kerouac

Çfarë do të dua më tepër përveç një vakti kur kam uri, ose një
shtrat kur jam i kapitur,
ose një trëndafil kur jam i pikëlluar?
Çfarë i duhet dikujt më tepër në këtë botë përpos disa kënaqësive
që ia ofron
kjo tokë, kjo tokë e pasur që gufon, që mugullon
me lulëzim çdo
Pranvere, dhe na jep të mirat e saja të ngrohtësisë së njomur për një
verë të shkëlqyeshme?
Çfarë më duhet më tepër përpos një gruaje kur kam pasion,
ose një gotë ujë
kur kam etje, ose muzikë kur jam i vetmuar?

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult